Rama prezanton shifrat e turizmit: Sot pa llogaritur kosovarët kemi rritje

Shqipëria ka rritje të numrit të turistëve këtë vit. Këta e tha kryeministri Edi Rama që u shpreh se tashmë pa llogaritur vizitorët nga Kosova shifrat janë të qartë se bëhet për një vit të suksesshëm në turizëm.

Rama u shpreh se në muajin qershor ka pasur rritje të turistëve për 45% në Shqipëri pa përfshirë shtetasit kosovarë.

“Ne kishim një turizëm të brendshëm dhe një industri inekzistente turistike që mbahej në këmbë vetëm dhe ekzluzivisht nga motrat dhe vëllezërit tanë në Kosovë… Unë kam marrë shifrat e këtij viti që flasin më qartë sesa çdo fjalim për vizitorët e huaj, duke përjashtuar vizitorët nga Kosova, të cilët tanimë hynë të pa regjistruar për shkak se kemi hapur kufirin që nga 1 qershorin dhe hyrja nga Kosova është si hyrje nga Shkodra për në Vlorë, njësoj. Në qershor kemi pasur 604 mijë turistë, përfshirë dhe turistët nga Kosova. Sot kemi 876 mijë turistë të huaj, pasaporta të huaja, as të Shqipërisë, as të Kosovës, 45% qershori”, tha Rama.

Reklama e sponzorizuar

Ndërsa duke dhënë shifrat për muajin korrik, Rama u shpreh se kanë hyrë 1.4 milionë të huaj, sërish pa pamëshirë personat me pasaportë të Kosovës.

Ai u shpreh se Tirana zë vendin e dytë mbas Antalyas për rritjen më të lartë të turizmit në gjithë zonën e Mesdheut.

“Në korrik kemi pasur 1.1 milionë, sot kemi 1.4 milionë pasaporta të huaja, as nga Shqipëria, as nga Kosova dhe në këtë periudhë, 1 deri në 10 apo 7 gusht, 411 mijë vjet, 482 mijë sivjet dhe në një nga klasifikimet e bëra për vendet me rritjen më të lartë të turizmit në gjithë zonën e Mesdheut, kuptohet rritje relative, Tirana zë vendin e dytë mbas Antalyas në rritje relative kuptohet në raport me vetveten”, deklaroi Rama.

Këto deklarata Rama i bëri gjatë nënshkrimit të memorandumit të bashkëpunimit, midis “Eagle Hills Real Estate Development” përfaqësuar nga investitori Muhammed El Alabbar dhe “Albanian Seaports Development Company”, për realizimin e projektit “Durrës Yachts & Marina”, portit më të madh turistik të Mesdheut në Durrës, një investim prej 2 miliardë dollarësh që u vlerësua se do të ketë impakt të jashtëzakonshëm në ekonominë e vendit.