Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka treguar bilancin e shkëmbimit energjetik mes Kosovës dhe Shqipërisë.
“KEK deri sot i ka dhënë KESH-it 121.7 mijë MWh. Sot po marrim më pak se 1 mijë MWh për të evituar reduktimet”, tha ajo.
“Këto janë rezultatet e prekshme për qytetarët kur ne bashkëpunojmë!”, shtoi Rizvanolli.
Korporata Energjetike e Kosovës operon me dy termocentrale në Obiliq, të cilat prodhojnë energjinë nga thëngjilli – Termocentrali “Kosova A” dhe “Kosova B”.
Termocentrali “Kosova A” përbëhet nga pesë blloqe punuese. Blloku i parë ka filluar punën në vitin 1962.
Por, ky termocentral gati që një dekadë operon me vetëm tri blloqe.
Ministria e Ekonomisë ka njoftuar se aktualisht në prodhim janë dy blloqe nga “Kosova A”, edhe një bllok i ”Kosovës B”.
Ndërkohë, blloku tjetër i “Kosovës B” është në riparim dhe puna pritet të përfundojë më 26 gusht 2022.
Duhet theksuar se edhe vitin e kaluar Kosova është prekur nga kriza energjetike, andaj konsumatorët janë përballur me reduktime dhe shtrenjtim të tarifave.
Në Kosovë, rreth 94 për qind e energjisë prodhohet nga djegia e thëngjillit, ndërsa rreth 6 nga burimet e ripërtërishme sikurse hidrocentralet, centralet me erë dhe panelet diellore.