Prirja shqetësuese po përhapet në çdo cep të ekonomisë globale, me efekte dramatike. McKinsey Global Publishing vëren të dhënat më të fundit
Çdo mëngjes, një titull i ri nënvizon shqetësimet ekonomike që po rriten: Inflacioni është në nivelin më të lartë që nga vitet 1970.
Bankat qendrore po rrisin, në mënyrë agresive, normat e interesit. Besimi i konsumatorëve është në nivele të ulëta rekord. Çmimet e mallrave janë pranë niveleve më të larta të të gjitha kohërave.
Duket qartë se inflacioni ka ndryshuar gjendjen ekonomike dhe ai mund të ketë ndryshuar gjithashtu rrugën e ekonomive globale dhe kombëtare në mbarë botën, për vitet në vijim.
Ekspertët e McKinsey kanë shqyrtuar shumë nga implikimet strategjike të inflacionit. Ata përdorin të dhënat më të fundit të disponueshme publikisht, për të ofruar shtatë tabela që ilustrojnë përshkallëzimin e rrezikshëm të inflacionit.
Një telash i dyfishtë
Në gjashtë muajt e fundit, inflacioni ka tejkaluar shumë pritshmëritë e dhjetorit 2021. Në shumë vende, normat aktuale kanë dyfishuar parashikimet. Vendet europiane janë veçanërisht të cenuara. Për shembull, inflacioni në Lituani ka arritur në nivelin 15.5% në bazë vjetore, gati sa pesëfishi i normës së parashikuar.
Polonia e ka në nivelin 11% dhe Mbretëria e Bashkuar në 9%, shumë më lart se parashikimet. Zvicra është në një gjendje më të mirë, me 3%. Azia po përjeton një ndryshim më pak të rëndë: inflacioni në Indi është rreth 7%, vetëm paksa mbi parashikimet; dhe në Korenë e Jugut është në nivelin 5%. Në Kinë dhe Japoni, inflacioni mbetet i ulët.
Inflacioni në shumë vende ka qenë mbi dy herë më i lartë se parashikimet në gjashtë muajt e fundit
Përpjekjet për shpëtim
Në përgjigje të rritjes alarmante të inflacionit, bankat qendrore në mbarë botën, po rrisin normat e interesit bazë të huadhënies bankare. Megjithatë, deri tani, rritja e normave në shumicën e vendeve, nuk është përputhur me ritmin e inflacionit.
Rritja e normave pritet të lehtësojë kërkesën dhe të ulë çmimet për dy komponentë kritikë të inflacionit total: banesat dhe mallrat, mbi të gjitha energjia dhe metalet.
Bankat qendrore në mbarë botën po rrisin normat
Të sigurta si shtëpitë?
Çmimet e banesave u rritën ndjeshëm edhe para valës së inflacionit të vitit 2022, pasi pandemia nxiti riorganizim masiv të pasurive të paluajtshme. Këtu vëmë në dukje rritjen nga viti 2020 në 2021.
Çmimet e banesave u rritën shumë më tepër se sa pritshmëritë, në një nivel global. Në Europë, pronarët turq të shtëpive arritën fitimet më të mëdha, të ndjekur nga ata në Republikën Çeke dhe në Lituani.
Në rajonin Azi-Paqësor, Zelanda e Re dhe Australia shënuan fitime të mëdha. Në Amerikën e Veriut, Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja, përfituan të dyja nga rritja, ndërsa Meksika jo. Në Kolumbi, një nga tre vendet e Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) në Amerikën e Jugut, fitimet ishin të vogla.
Çmimet reale të banesave u rritën fuqishëm në vendet e OECD-së gjatë pandemisë
Kontributi i mallrave
Investitorët shpesh thonë se në kohë inflacioni, duhet investuar në mallra. Kjo për shkak se çmimet e mallrave pasqyrojnë kërkesën për lëndë të para të nevojshme për zgjerimin ekonomik. Kjo është e vërtetë për shumicën e të gjitha mallrave: ndërsa stimuli ekonomik ringjalli ekonominë globale që ishte goditur nga pandemia COVID-19, çmimet u rritën.
Më pas pushtimi i Rusisë i rriti edhe më tepër çmimet. Rritja më e madhe ishte për çmimet e plehrave kimike. Për shkak të mungesës së gazit natyror, një komponent kyç në prodhimin e plehrave kimike, dhe për shkak të rritjes së kërkesës nga fermerët, çmimet e plehrave kimike u rritën ndjeshëm.
Çmimet për mallrat janë më të larta në të gjithë sektorët
Afrimi i një krize ushqimore
Rritja e çmimeve të plehrave kimike, së bashku me pasojat e tjera nga lufta në Ukrainë, i ka shtrenjtuar shumë ushqimet bazë. Që nga viti 2021, çmimet e ushqimeve janë rritur në nivelin më të lartë që kur Zyra e Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë, filloi indeksin e saj.
Çmimet sot janë shumë më të larta se në rritjet e kaluara në vitet 2008 dhe 2011, të cilat u nxitën nga trazirat e krizës financiare globale. Në dekadën që nga ajo kohë, çmimet janë moderuar ndjeshëm. Por ato u rritën sërish në vitin 2021, për shkak të pengesave në zinxhirët e furnizimit, thatësirës dhe faktorëve të tjerë. Lufta në Ukrainë i ka rritur çmimet e ushqimeve në një nivel rekord.
Çmimet e ushqimeve kanë arritur nivele rekord
Ndikimi tek pagat
Nga komponentët e inflacionit, ne u drejtohemi tani dy nga efekteve më kritike të tij në ekonominë globale, duke filluar nga pagat.
Pagat reale ishin ulur për shumë vite në ekonomitë më të mëdha të OECD-së. Pak para pandemisë, pagat reale u rritën fuqishëm; shtrëngimi i tregjeve të punës u dha punëtorëve përparësinë në negociata. Pandemia e ndryshoi rrënjësisht ekuacionin.
Ndërsa ekonomitë u stabilizuan dhe u ndryshuan, pagat reale filluan të rriteshin përsëri. Por inflacioni i shfrenuar e shfuqizoi këtë rritje, duke zvogëluar fuqinë blerëse të pagës së njerëzve. Për shembull, punëtorët në Mbretërinë e Bashkuar sot vërejnë se kompensimi i tyre real ka rënë me afërsisht 8% në bazë vjetore.
Inflacioni më i lartë po godet rritjen e pagave reale
Një perspektivë e zymtë për rritjen ekonomike
Ndërsa çmimet po rriten dhe tregojnë pak shenja uljeje, rreziku është që inflacioni të rrënjoset dhe bankat qendrore të duhet të rrisin normat edhe më tepër, për të ngadalësuar kërkesën. Prandaj, shumë analistë po ulin parashikimet e tyre për rritjen ekonomike.
Për shembull, në Perspektivën Ekonomike të OECD-së, rritja e parashikuar reale e PBB-së në Turqi, është tani rreth tetë pikë përqindje më e ulët se parashikimet e mëparshme; dhe për Argjentinën është pothuajse e njëjta gjë. Parashikimet për Mbretërinë e Bashkuar tani janë 7.4 pikë përqindje më të ulëta.
Megjithatë, në sajë të kërkesës së lartë për naftë, parashikimet për rritjen reale të PBB-së së Arabisë Saudite, tani janë rreth 6 pikë përqindje më të larta. /Monitor.al/
E ardhmja duket më e zymtë në një periudhë afatshkurtër për shumicën e ekonomive në G-20