Shifrat e bëra publike këtyre ditëve nga Ministria e Ekonomisë për përdorimin e paautorizuar të energjisë elektrike, ose humbjeve komerciale të KEDS-it, që përkthehet në vjedhjet e energjisë elektrike, edhe gjatë këtyre ditëve të krizës së ashpër të gushtit, janë, më së paku të thuhet, tronditëse, shqetësuese dhe alarm për shtetin dhe subjektet, që urgjentisht t’i dilet në ballë kësaj vjedhjeje, pasojat e shpërfaqura të së cilës po i përjetojnë konsumatorët, edhe në verën e sivjetshme.
Mehmet GJATA
Pos mungesës evidente të energjisë elektrike të prodhuar nga kapacitetet vendore edhe për shkak të remonteve të planifikuara në bllkun B2 dhe A5, të cilët do të prodhonin diku rreth 380-390 megavatë-orë, në destabilizimin e furnizimit të konsumit të vendit me rrymë, në këto ditë vere, tani po del se ka ndikuar në përmasa jo të vogla edhe vjedhja e energjisë elektrike nga konsumatorët e pandërgjegjshëm dhe humbjet teknike në rrjetin elektrik.
Shifrat e bëra publike këtyre ditëve nga autoritetet dhe institucionet e vendit, përkatësisht nga Ministria e Ekonomisë për përdorimin e paautorizuar të energjisë elektrike, ose humbjeve komerciale të KEDS-it, që përkthehet në vjedhje të energjisë elektrike, edhe gjatë këtyre ditëve të krizës së ashpër të gushtit, janë, më së paku të thuhet, tronditëse, shqetësuese dhe alarm për shtetin dhe subjektet, që urgjentisht t’i dilet në ballë kësaj vjedhjeje, pasojat e shpërfaqura të së cilës po i përjetojnë konsumatorët, edhe në verën e sivjetshme.
Më konkretisht, sipas Ministrisë së Ekonomisë përdorimi i paautorizuar i energjisë elektrike, humbjet komerciale të KEDS-it – vjedhjet e energjisë elektrike gjatë vitit 2021, do të kushtonin deri në 110 milionë euro nëse do të sigurohej sasia e shpërdoruar e rrymës me çmimet e importit. Ose, “dy blloqet e Termocentralit “Kosova B” duhet të punojnë 31 ditë në vit për t’i mbuluar vetëm vjedhjet e energjisë elektrike”.
Po sipas ministrisë së Ekonomisë, në këtë vit, pra më 2022, vjedhjet parashikohen të arrijnë deri në 99 milionë euro, nëse çmimi i energjisë nuk rritet më tej në bursat ndërkombëtare, apo 26 ditë pune të dy blloqeve të termocentralit “Kosova B”. Dhe këto shifra të vjedhjes së energjisë elektrike në Kosovë, shpërfaqen sikur të bëhej fjalë për ndonjë planifikim, apo parashikim të ndonjë objektivi të prodhimit, dhe jo vjedhje të energjisë elektrike dhe për humbje në rrjet, që do të duhej që me çdo kusht dhe me çdo kosto financiare të parandalohen, domosdo edhe duke u sanksionuar penalisht, sepse vjedhjet, aq më shumë vjedhja e energjisë elektrike është vepër klasike penale.
Ndërsa, për minimizimin e humbjeve teknike në rrjet, që me rastin e privatizimit të Distribucionit (ndërmarrjes shoqërore për shpërndarjen e energjisë elektrike, që ka vepruar në kuadër të Elektroekonomisë së atëhershme të Kosovës) është zotuar pronari i ri KESCO-KEDS, edhe nëpërmjet kontratës për shitblerjen – privatizimin e Distribucionit. Megjithatë, siç po shihet, humbjet në rrjet dhe vjedhjet e energjisë elektrike në Kosovë, kanë vazhduar me të njëjtin ritëm dhe në përqindje të përafërta siç kanë qenë para privatizimit. Dhe, kurrgjë kurrkujtë…
Kosova vazhdon ta vuajë mungesën e energjisë elektrike, të vuajë nga reduktimet e egra dhe mospasja e rrymës së mjaftueshme përkundër shifrave të prodhimit që pak a shumë janë thuaja të mjaftueshme për përmbushjen e konsumit veror, por që rrugës nga prodhuesi, deri te konsumatori, po vazhdon të avullohet në sasi të dhimbshme energjia dhe me ndikim në furnizimin e Kosovës me rrymë.
Është shumë, përtej imagjinatës së shëndoshë, që 19 për qind e prodhimit të energjisë elektrike nga kapacitet tona, të vjedhet dhe të keqpërdoret në mënyra prej më të ndryshmeve, dhe para syve të KESCO-KEDS-it, të avullohet pra, sikur nuk ka ekzistuar fare, përkundër kostos së lartë që i kushton vendit prodhimi i kësaj sasie të rrymës.
Dhe, pas publikimit të fundit të shifrave tronditëse për vjedhjen e energjisë elektrike, të bëra pubike sërish nga Ministria e Ekonomisë në këto ditët e fundit, të gjithë të tjerët, subjektet ekonomike-industriale, që përbëjnë zinxhirin e funksionimit të sistemit elektroenergjetik të Kosovës, po tregohen të shurdhër e memecë fare, pa e thënë asnjë fjalë të vetme dhe asnjë shpjegim për këtë skandal evident. Po heshtin fare, KESCO-KEDS, subjektet që do të duhej përditë dhe gjithnjë të preokupohen me vjedhjen e energjisë elektrike (subjekte që e kanë për detyrë edhe në në bazë të kontratës së privatizimit), po heshtë edhe KEK-u, ZRRE-ja dhe kështu me radhë, sado që tani më, pas bërjes publike të shifrave për vjedhjen e energjisë elektrike, nuk mund të fshihet dëmi që në vazhdimësi, tani sa kohë i bëhet vendit.
Po e ripërsërisim, se janë shifra alarmante dhe tronditëse ato që po vazhdon t’i publikojë Ministria e Ekonomisë këtyre ditëve rreth vjedhjeve të energjisë elektrike ( nuk ka ku të shkojë më alarmante se akoma të vjedhet, ose të evidentohet si humbje teknike apo humbje komerciale 19 për qind e energjisë elektrike, që i bie që të dy blloqet e Termocentralit “Kosova B” duhet të punojnë 31 ditë në vit për t’i mbuluar këtë vjedhje).
S’ka ku të shkojë më alarmante se sa e dhëna se po të llogariteshin në para (euro), sipas ministrisë së Ekonomisë – vjedhjet e energjisë elektrike gjatë vitit 2021, do të kushtonin deri në 110 milionë euro nëse do të blihej e gjithë sasia e rrymës së vjedhur me çmimet e importit. Dhe, për të gjitha këto shifra, që dorën në zemër, janë pafundësisht shqetësuese, ministria e Ekonomisë, tani, veçmas këtyre ditëve, në njëfarë mënyre, po e akuzon drejtpërdrejt KEDS-in. Ndërsa në KEDS, sado që Buletini Ekonomik i pyeti me shkrim, siç e kërkojnë rëndom ata, se si i vlerësojnë këto vjedhje të energjisë në këto përmasa, dhe a ka pasur mundësi dhe çka ka bërë KEDS-i konkretisht për të zbutur përmasat e vjedhjeve të rrymës dhe si komentohen në KEDS sulmet dhe akuzat e Ministrisë së Ekonomisë ndaj KEDS-it në raport me vjedhjet e energjisë elektrike, deri sa e përmbyllëm këtë tekst, nuk kanë kthyer asnjë përgjigje, as me shkrim as gojarisht.
Në të njëjtën pyetje të bërë nga Buletini Ekonomik, nuk është marrë asnjë përgjigje as nga Korporata Elektroenergjetike e Kosovës (KEK-u).
Ndërkohë, në situatën e krijuar me furnizim me energji elektrike, përkatësisht pas rikthimit të reduktimeve 2 orë pa energji elektrike dhe gjashtë orë me të, Ministria e Ekonomisë, goxha e mllefosur, ka thënë ndërmjet një komunikate se “jemi duke ndërmarrë masa për të dhënë ndihmën e duhur në ndërprerjen e përdorimit të paautorizuar të energjisë elektrike së bashku me organet ligj zbatuese dhe kompaninë e distribuimit të energjisë elektrike, KEDS, e cila e ka për detyrë sipas kontratës së privatizimit që t’i ndalë ato”.
Ministria e Ekonomisë, po kështu e rithekson se “këto vjedhje të energjisë elektrike, jo vetëm që janë vepra penale sipas Kodit Penal, por tashmë janë një kosto e papërballueshme që duhet të paguhen nga paratë e të gjithëve nëse nuk ndalen”.
Sipas ministrisë, “kryerësit e këtyre veprave, energjinë e vjedhur e shfrytëzojnë në mënyrë jo racionale, dhe jo për nevojat bazike. Ndërkohë që kyçjet e paautorizuara në rrjetin e energjisë elektrike përbëjnë rrezik edhe të jetës dhe rrezik në stabilitetin e rrjetit të distribuimit”.
Ministria e Ekonomisë shton se ditëve në vijim institucionet do të qëndrojnë në monitorim të aksioneve të KEDS-it për të ndalur vjedhjet e energjisë. Ndërkohë po koordinohen masat shtesë për këtë dukuri.
“Ju inkurajojmë që përveç kursimit të energjisë elektrike të raportojmë secili rastet e vjedhjeve të energjisë kudo ku i vini re apo keni dijeni për to”. “Raportimi i tyre masiv do të ndikojë në sigurinë e furnizimit me energji elektrike në këtë kohë të vështirë të krizës energjetike, e gjithashtu edhe në parandalimin e fatkeqësive”, thuhet në fund të komunikatës së Ministrisë së Ekonomisë.
Megjithatë, kjo Qeveri, që tani nëpërmjet Ministrisë së Ekonomisë po drejton goxha akuza në drejtim të KEDS-it, për “avullimin” e madh të rrymës rrugës nga prodhuesi deri te konsumatori, por edhe Qeveria me të gjitha kabinetet e saj duhet më në fund që të përqëndrohen njëherë e mirë në zbatimin e masave të domosdoshme për të parandaluar sa më shumë vjedhjen e energjisë elektrike. Sikundër që duhet urdhëruar ligjërisht subjektet ekonomike, qoftë private, qoftë publike, që e kanë detyrë dhe obligim stopimin e vjedhjeve të rrymës dhe minimizimin e humbjeve teknike. Kjo punë nuk mund të bëhet vetëm kur ka mungesa të mëdha të rrymës dhe në kohëra krizash energjetike. Kjo punë duhet bërë sistematikisht, dhe përditë, deri sa të evitohen vjedhjet dhe të zvogëlohen në maksimum humbjet teknike. Kështu veprohet në të gjitha shtetet e botës. Ndërsa, te ne Qeveria dhe autoritetet duhet t’ia përkujtojnë përditë dhe më në fund ta detyrojnë KEDS-in që të përmbushë obligimet kontraktuese, siç janë të shkruara (e zeza në të bardhë) në kontratën e shitblerjës së Distribucionit -obligimet e kompanisë turke për të minimizuar maksimalisht humbjet teknike dhe ato komerciale si dhe për modernizimin e rrjetit të shpërndarjes elektrike anembanë Kosovës.
KEDS-i, dihet qartë, nuk e ka bërë privatizimin e Distribucionit me koston thuaja simbolike dhe tashmë të njohur vetëm për të arkëtuar paratë nga faturat e konsumit të energjisë elektrike. Modernizimi i rrjetit dhe minimizimi i humbejeve teknike dhe humbjeve komerciale ka qenë dhe vazhdon të mbetet akoma një nga detyrat e rëndësishme të KEDS-it. /Buletini Ekonomik/