Tregtia e Shqipërisë me Kosovën në rënie, me Serbinë rritet për 4,8%

Eksportet

Nisur nga të dhënat e Institutit të Statistikave mbi tregtinë e jashtme për muajin korrik të këtij viti, televizioni Scan ka analizuar se si ka ndryshuar tregtia e jashtme me vendet e rajonit, krahasuar me korrikun e një viti më parë.

Nga të dhënat e përpunuara vihet re se eksportet me Kosovën kanë vlerën më të lartë, por kanë pësuar rënie me 12,1% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndër vendet e rajonit rënien më të madhe të eksporteve gjatë korrikut Shqipëria e ka pësuar me Serbinë deri në 41.1%.

Edhe me Maqedoninë e Veriut, Shqipëria paraqet rënie të eksporteve me 4.9%.

Reklama e sponzorizuar

Marrëdhëniet tregtare të Shqipërisë me Malin e Zi dhe Bosnjë e Hercegovinën, sa u përket eksporteve në vlerë, paraqiten me rritje. Eksportet me Bosnjë e Hercegovinën janë rritur me 33,4%, ndërsa me Malin e Zi janë rritur me 21,4%.

Por si paraqiten eksportet në volum me vendet e rajonit, krahasuar me korrikun e vitit 2021?

Nga shifrat e përpunuara bie në sy një rënie e eksporteve në volum pothuaj me të gjitha vendet e rajonin përveç Bosnjë e Hercegovinës, e cila ka pësuar rritje me 7,1%.

Scan gjithashtu ka analizuar edhe importet me vendet e rajonit sa i përket korrikut të këtij viti. Sipas shifrave të tregtisë së jashtme Shqipëria ka regjistruar rritje të importeve në vlerë vetëm me Serbinë.

Gjatë korrikut eksportet me Serbinë kanë vlerën e 3.1 miliardë lekëve, ndërkohë që gjatë korrikut të një viti më parë vlera e eksporteve me Serbinë regjistrohej në 2.04 miliardë lekë. Nëse do të flisnim për vendet e tjera të rajonit, Shqipëria regjistron rënie të importeve, ku me Kosovën rënia regjistrohet në 3%, ndërsa rënien më të madhe e regjistron me Bosnjë e Hercegovinën.