ZRRE i kthen përgjigje KESCO-s: Nuk do të ketë shtrenjtim të rrymës

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) i ka kthyer përgjigje negative kompanisë Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO) pas kërkesës për shtrenjtim të energji elektrike deri në 88 për qind.

Kjo vjen pasi Qeveria ka vendosur për ndarje të subvencionit me të cilën kanë pushuar rrethanat për Shqyrtim të Jashtëzakonshëm të të Hyrave të Lejuara Maksimale të FSHU-së, respektivisht të tarifave të energjisë elektrike për konsumatorët me të drejtë të Shërbimit Universal.

“Me vendimin e Qeverisë së Kosovës të datës 24.08.2022, për ndarjen e subvencionit kanë pushuar rrethanat për Shqyrtim të Jashtëzakonshëm të të Hyrave të Lejuara Maksimale të FSHU-së, respektivisht të tarifave të energjisë elektrike për konsumatorët me të drejtë të Shërbimit Universal”, thuhet në komunikatën e ZRRE-së, transmeton Telegrafi.

Reklama e sponzorizuar

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) më datë 9 gusht 2022 ka pranuar aplikimin për Shqyrtim të Jashtëzakonshëm të të Hyrave të Lejuara Maksimale për Furnizuesin me Shërbim Universal (FSHU).

Ndër të tjera, në kërkesën e saj FSHU thekson se në mungesë të rimbursimit të mjeteve të subvencionit nga Qeveria e Republikës së Kosovës të shumës prej 32.8milion eurove për periudhën 9 shkurt – 30 qershor 2022 është tejkaluar pragu i materialitetit prej 5% siç përcaktohet në Rregullën e të Hyrave të FSHU-së, duke mundësuar kështu hapjen e shqyrtimit të jashtëzakonshëm.

ZRRE në përputhje me Rregullën për Përcaktimin e të Hyrave të Lejuara për FSHU-në, ka analizuar me kujdes aplikacionin e FSHU-së, dhe konstaton se ngjarja e jashtëzakonshme nuk ka qenë nën kontrollin e FSHU-së, dhe se mungesa e subvencionit të Qeverisë së Kosovës do të tejkalonte pragun e materialitetit prej 5% në të Hyrat e Lejuara Maksimale të FSHU-së, e cila do të hapte shqyrtimin e jashtëzakonshëm të tarifave për konsumatorët që gëzojnë të drejtën e shërbimit universal.

Qeveria e Kosovës më 24 gusht ka aprovuar kërkesën e Ministrisë së Ekonomisë për ndarje buxhetore në shumë prej 41 milion euro lidhur me Pakon e Ringjalljes Ekonomike për zbatimin e Masës 3.7 – Mbështetje në tejkalimin e krizës energjetike.

ZRRE thotë se gjatë muajve në vazhdim, do të monitorojë nga afër gjendjen e kostove të sektorit të rregulluar të energjisë elektrike dhe do të ndërmarrë hapat e nevojshëm në përputhje me mandatin mandatit e saj ligjor.

Ndryshe, KESCO kishte kërkuar shtrenjtimin e tarifave të rrymës deri në 88 për qind për amvisëritë dhe deri në 70 për qind për bizneset.