Në Kosovë, sipas Bankës Botërore, inflacioni kap nivelet prej 19%, dhe kjo sipas njohësit të ekonomisë, Florin Aliu, rritë pothuajse të gjitha çmimet në ekonomi.
Përmes një statusi në rrjetin facebook, Aliu ka kundërshtuar deklarimet e ministrit të Financave, Hekuran Murati, për rritje ekonomike.
Sipas Agjencisë së Statistikave, rritja ekonomike në Kosovë më 2021 ishte 10.7 për qind, më e larta që nga shpallja e pavarësisë.
Po ashtu, rritje ka shënuar edhe Bruto Produkti Vendor, duke arritur rreth 8 miliardë euro. Mirëpo Aliu thotë se shëndetin e ekonomisë e masim përgjithësisht me inflacion dhe me rritje ekonomike.
“Në momentet e këtij niveli inflacioni, rritet shpejtësia e qarkullimit të parasë. Pra, për shkak se fuqia blerëse e parave bie dhe paga zhvlerësohet, njerëzit dhe bizneset priren t’i shpenzojnë paratë e tyre sa më shpejt që të munden. Kjo krijon përshtypjen se vëllimi nominal është rritur, por jo ai real”, thotë ai.
Nga ana tjetër, kur inflacioni është 19%, sipas Aliut, bilancet e firmave priren të jenë më të mëdha (por gjithmonë në terma nominalë).
“Për shkak se tani kostoja e prodhimit është rritur sepse inputet e tyre kushtojnë më shumë. Bizneset kanë rritur çmimet e tyre, kjo të jep përshtypjen se vëllimi i tyre është rritur që është e vërtetë në terma nominalë por jo në atë real. Por sasia e shitjes dhe e prodhimit ka rënë dhe këtë e dëshmon rritja e BPV-së në 6 muajt e fundit në Kosovë”, vlerëson ai.
“Në fund, shëndetin e ekonomisë e masim përgjithësisht me inflacion dhe me rritje ekonomike. Inflacioni është shumë i lartë, pra është 19%. Ndërsa ritmet e rritjes së PBB-së janë në rënie, gjë që konfirmohet nga agjencia statistikore, në linkun e mëposhtëm”.