Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), iu ka bërë thirrje të gjithë tatimpaguesve se në bazë të legjislacionit tatimor janë të obliguar të regjistrohen, mbajnë dokumentacion, të deklarojnë dhe të paguajnë saktë dhe me kohë detyrimet tatimore.
Kjo thirrje i atribuohet impelmentimit të projektit të ATK-së, që titullohet “Mosdeklaruesit”, përcjell Buletini Ekonomik.
Bazuar në Planin Strategjik 2022-2026 dhe Planin e Trajtimit të Rreziqeve për vitin 2022, ATK thotë se ka hartuar Planin e Veprimit për të përmirësuar përmbushjen tatimore sa i përket Deklarimit dhe Deklarimit me vonesë, ku përmes këtij plani do të identifikohen tatimpaguesit, të cilët nuk përmbushin detyrimet e tyre sipas Ligjit, pra identifikimin e tatimpaguesve që nuk deklarojnë dhe deklarojnë me vonesë.
Sipas ATK-së, trajtimi i mos deklaruesve dhe deklaruesve me vonesë, do të realizohet përmes aplikimit të aktiviteteve, si në vijim:
-Masat parandaluese, dhe
-Masat për trajtimin e mos deklaruesve.
“Administrata Tatimore e Kosovës, inkurajon të gjithë tatimpaguesit që t’u përgjigjen detyrimeve tatimore, në të kundërtën, do të ndërmerren masat e përcaktuara me legjislacionin tatimor”, thuhet në njoftimin e sotëm të ATK-së.
Me moton “Deklarimi i tatimit është obligim ligjor!”, nga ATK-ja shprehen tutje se me kryerjen e detyrimeve tatimore, qytetarët kontribuojnë direkt në ofrimin e shërbimeve publike, arsimim me standarde të larta, shërbime më të mira shëndetësore dhe sociale, mbrojtje ligjore dhe siguri, si dhe infrastrukturë të përgjithshme për një mirëqenie të qëndrueshme ekonomike dhe shoqërore. /Buletini Ekonomik/