Banka e Shqipërisë: Çmimet e banesave kanë shënuar rritje rekorde me 39% në gjysmën e parë të këtij viti

Çmimet e banesave në Shqipëri kanë shënuar një rritje rekorde në gjysmën e parë të këtij viti. Sipas Indeksit Fischer të Çmimeve të Banesave, i llogaritur nga Banka e Shqipërisë, çmimi mesatar i banesave të shitura gjatë 6-mujorit të 2022-s është rritur me 28.4% në krahasim me gjashtëmujorin e kaluar dhe me 39% në krahasim me një vit më parë.

Kjo është rritja më e lartë 6-mujore e këtij indeksi që prej vitit 2013, kur Banka e Shqipërisë nisi llogaritjen e tij. Në raport me periudhën bazë, indeksi i çmimeve të banesave është rritur me afërsisht 110%.

Rritja e 6-mujorit të parë të vitit u përcaktua sidomos nga rritja e vëllimit të shitjeve të kryera në zonën e Tiranës, e cila përfshin qendrën, periferinë dhe zonat jashtë qytetit. Indeksi i çmimeve për shitjet në kryeqytet regjistroi një rritje prej 28.5% ndaj periudhës paraardhëse dhe rreth 40% ndaj një viti më parë.

Reklama e sponzorizuar

Sipas agjentëve, rritja e çmimeve ka ardhur nga rritja e kërkesës dhe e kostove të ndërtimit.

Koha mesatare e shitjes së banesave në rang vendi ka rënë lehtë në një mesatare prej 10.8 muajsh. Për Tiranën, subjektet e intervistuara kanë raportuar një kohë mesatare shitjeje prej 9.7 muajsh, por kjo vlerë shënoi rritje të lehtë nga një gjashtëmujor më parë. Për zonën e bregdetit, koha e shitjes është zvogëluar në mënyrë të ndjeshme, duke rënë nga 11 në 6 muaj. Koha e shitjes së pronave në zonat e tjera ka qëndruar pothuajse e pandryshuar në 13.1 muaj.

Financimi nëpërmjet kredisë bankare ka vijuar të figurojë në një pjesë të mirë të shitjeve të pronave. Sipas agjentëve, ashtu si periudhën e kaluar, rreth gjysma e pronave për banim dhe e atyre për përdorim tregtar të shitura prej tyre janë blerë me hua bankare. Nga këto, në shumicën dërrmuese të rasteve, kredia ka mbuluar deri në 60% të vlerës.

Numri i banesave të reja të regjistruara nga agjentët ka shënuar rënie në krahasim me periudhën paraardhëse. Balanca neto e atyre që raportojnë rritje të numrit të banesave të regjistruara dhe atyre që raportojnë rënie të numrit të tyre, ishte rreth -6%, duke treguar rënie nga periudha e kaluar. Numri i pronave të pashitura, si për banesat, ashtu edhe për godinat tregtare, ka vijuar të shënojë rënie për disa gjashtëmujorë radhazi.

Pritjet për të ardhmen paraqiten pozitive pavarësisht pasigurive të lidhura me situatën e përgjithshme ekonomike. Agjentët kanë pritje pozitive për ecurinë e tregut në territorin ku ata veprojnë për të ardhmen afatshkurtër dhe për periudhën më afatgjatë (deri në dy vjet).

Vlerësimet e subjekteve të intervistuara si pjesë e vrojtimit për gjendjen e tregut dhe çmimet në tregun e banesave janë të balancuara për afatin e shkurtër, duke qenë neutrale për situatën në zonën e Tiranës dhe pak më pesimistë për situatën në zonat e tjera. Ky vlerësim mund të jetë ndikuar nga zhvillimet e jashtme dhe pasiguria për ecurinë e inflacionit apo kostot e ndërtimit. Por, në afatin më të gjatë, pritjet e këtyre subjekteve për gjendjen dhe ecurinë e tregut të banesave mbeten optimiste.

Në parashikimet e tyre, agjentët presin gjithashtu rritje të çmimeve të pronave të paluajtshme për banesat dhe pronat tregtare: balancat neto ishin pozitive, përkatësisht 24% dhe 22%.

Informacioni mbi ecurinë e çmimeve dhe vlerësimin e situatës nga ana e agjentëve në tregun e pasurive të paluajtshme merret nëpërmjet vrojtimit në terren të një kampioni të përbërë nga 230 subjekte, që kanë si aktivitet kryesor tregtimin e pronave të paluajtshme. Subjektet e zgjedhura janë agjentë të zyrave të tregtimit të pasurive të paluajtshme dhe shoqëri ndërtimi shitjet e të cilave përfaqësojnë rreth 75%-80% të xhiros së të gjithë popullatës. /Monitor.al/