Bankat turke ndalojnë përdorimin e sistemit rus të pagesave

Lira turke

Dy nga bankat më të mëdha të Turqisë kanë pezulluar pranimin e sistemit rus të pagesave, i quajtur Mir.

Ky vendim vjen pas paralajmërimeve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për një ndëshkim të mundshëm në rast të shmangieve të sanksioneve të vendosura ndaj Rusisë, përcjell Telegrafi.

Ky sistem i pagesave ishte prezantuar si një alternativë për rusët pasi kartat e tyre Visa dhe MasterCard ndaluan së punuari jashtë vendit. Dy ofruesit e sistemit ndërkombëtar të pagesave pezulluan operacionet ruse për shkak të pushtimit ushtarak të Ukrainës më 24 shkurt.

Reklama e sponzorizuar

Huadhënësit më të mëdhenj turk Is Bank dhe Deniz Bank, pezulluan transaksionet në kuadër të Mir.

Departamenti amerikan i Thesarit paralajmëroi bankat jashtë Shteteve të Bashkuara se marrëveshja me Mir do të “rrezikonte mbështetjen e përpjekjeve të Rusisë për t’iu shmangur sanksioneve të SHBA-së”.

Is Bank tha se po vlerësonte deklaratën e Thesarit, derisa Deniz Bank tha se “aktualisht nuk ishte në gjendje të siguronte këto transaksione”.

Shoqata ruse e Operatorëve Turistikë (ATOR) ka rekomanduar që shtetasit e saj që udhëtojnë drejt Turqisë të përdorin paratë e gatshme, për shkak të tkurrjes së mundësive për pagesë me kartelë bankare.

Tetë vende, kryesisht miqësore me Rusinë, pranojnë kartelat bankare në kuadër të Mir. Turqia dhe Vietnami janë të vetmet vendet që e pranojnë këtë sistem, të cilat nuk janë ish-anëtare të Bashkimit Sovjetik.