Bankierët shqetësohen se po nis një epokë e re e inflacionit të lartë

Ka tre arsye për të besuar se kjo mund të ndodhë

Në gusht 2020, Jerome Powell, kryetari i Rezervës Federale, njoftoi për një ndryshim në kuadrin e politikës së Bankës Qendrore.

“Ekonomia është gjithmonë në zhvillim”, vuri në dukje ai. “Deklarata jonë e rishikuar pasqyron vlerësimin… që një treg pune i fuqishëm mund të ruhet pa shkaktuar një rritje të padëshiruar të inflacionit”. Për një periudhë të gjatë, çmimet shpesh janë rritur më pak se sa dëshironte Rezerva Federale.

Ndërsa tashmë, dy vjet më vonë, Rezerva Federale po përballet me rrethana shumë më të ndryshme: papunësi të ulët, rritje të lartë të pagave dhe norma inflacioni mbi objektivin e bankës qendrore. Më 26 gusht, në një takim vjetor për bankierët qendrorë në Jackson Hole, Wyoming, zoti Powell e ndryshoi tonin.

Reklama e sponzorizuar

“Pa stabilitet çmimesh, ekonomia nuk mund të funksionojë për askënd”, deklaroi ai, duke shtuar se Rezerva Federale ishte e përgatitur të shkaktonte dhimbje në ekonomi, për ta rikthyer inflacionin brenda objektivit. Fakti se sa shumë dhimbje ekonomike mund të jetë e nevojshme për të frenuar inflacionin, mbetet për t’u parë.

Por ekonomistët dhe politikëbërësit kanë shprehur vazhdimisht një shqetësim serioz: se forcat globale, të cilat në dekadat e fundit ndihmuan për të mbajtur inflacionin të ulët dhe të qëndrueshëm, mund të dobësohen apo edhe të zhduken.

 

Fenomeni i inflacionit

Siç ka thënë edhe Milton Friedman, inflacioni është shpesh dhe kryesisht një fenomen monetar. Bankat qendrore kanë shumë mjete për të kufizuar shpenzimet në ekonomi dhe për të parandaluar që kërkesa të tejkalojë ofertën në një mënyrë që nxit inflacionin.

Por ata e bëjnë këtë punë në një sfond ekonomik në zhvillim, i cili mund ta bëjë më të lehtë zbutjen e presioneve të çmimeve në disa raste, sesa në të tjera. Nga vitet 1980 e më tej, inflacioni në vendet e pasura përgjithësisht ra dhe u bë më pak i luhatshëm.

Kjo ndodhi kryesisht falë një politike monetare më të mirë, por edhe kushteve më të mira globale, në krahasim me ato që u përballën bankat qendrore në vitet 1960 dhe 1970, kur ekonomitë u goditën nga rënia e produktivitetit. Bota tani mund të jetë “në prag të një ndryshimi historik”, siç u shpreh Agustín Carstens, në një fjalim në Jackson Hole.

Pesimistët shohin disa arsye pse inflacioni mund të qëndrojë i lartë. Shpenzimet e qeverisë dhe tendencat e huamarrjes duket se kanë ndryshuar. Në të gjithë ekonomitë e pasura dhe ato në zhvillim, ngarkesa e borxhit publik është rritur gjatë dy dekadave të fundit.

Me rritjen e barrës së borxhit, tregjet mund të fillojnë të kenë frikë se bankave qendrore do t’u duhet të financojnë detyrimet e qeverive, si për shembull, duke shtypur para të reja për të blerë bono. Kjo mund të ulë besueshmërinë në bankën qendrore dhe të rrisë pritshmëritë e publikut për inflacionin në të ardhmen.

Stimuj?!

Fuqia e madhe fiskale gjatë pandemisë Covid-19, mund të pasqyrojë gjithashtu gatishmërinë më të madhe të qeverive për të përdorur stimuj për të luftuar recesionin, gjë që mund të shkaktojë që tregjet të parashikojnë më shumë shpenzime dhe inflacion.

Studimi nga Francesco Bianchi në Universitetin Johns Hopkins dhe Leonardo Melosi në Bankën e Rezervës Federale të Çikagos, tregon se inflacioni në Amerikë është afërsisht katër pikë përqindje më i lartë se sa do të kishte qenë, po të mos ishte miratuar paketa stimuluese me vlerë 1.9 trilionë dollarë, në vitin 2021.

Edhe punëtorët janë më të paktë. Rritja e popullsisë në vendet e pasura është ngadalësuar në mënyrë drastike, për shkak të ndryshimeve demografike dhe emigrimit më të ulët. Në disa ekonomi, si Amerika, pandemia u shoqërua me një rënie të mëtejshme të pjesëmarrjes në fuqinë punëtore.

Nga viti 1990 deri në vitin 2010, oferta globale e punës u zgjerua, pasi ekonomitë e populluara si Kina dhe India, u integruan më mirë në ekonominë botërore.

Por kjo dukuri nuk mund të përsëritet dhe plakja ka filluar të godasë ofertën e punës edhe në disa pjesë të botës në zhvillim. Punëtorët mund të gëzojnë më shumë fuqi negociuese në të ardhmen, duke nxitur rritjen e pagave dhe duke e bërë jetën më të vështirë për bankat qendrore që luftojnë inflacionin.

Ka ndryshime të ngadalta edhe në strukturën e ekonomisë globale. Si ekonomitë në zhvillim, ashtu edhe ato të përparuara, u angazhuan në një valë reformash liberalizuese nga mesi i viteve 1980, deri në mesin e viteve 2000. Tarifat ranë, ndërsa tregjet e punës u bënë më të lirshme.

Këto reforma ndikuan në rritjen e tregtisë globale, ndryshime në shkallë të gjerë në prodhimin global dhe uljen e kostove në një sërë industrish. Reforma mund të ketë nxitur edhe produktivitetin, i cili u rrit në ekonomitë e përparuara në fillim të mijëvjeçarit dhe në ekonomitë në zhvillim, në vitet 2000.

Por ritmi i reformës dhe produktiviteti ranë pas krizës globale financiare të viteve 2007-09, ndërsa tregtia u vu nën presion të vazhdueshëm nga luftërat tregtare, pandemia dhe tensionet gjeopolitike.

Globalizimi shërbeu si një “amortizues gjigant i goditjeve”, nga vitet 1980 deri në vitet 2010, vuri në dukje Isabel Schnabel nga Banka Qendrore Europiane, ku zhvendosjet në kërkesë ose ofertë, kompensoheshin lehtësisht përmes rregullimeve përkatëse në prodhim, në vend të luhatjeve të egra të çmimeve. Tani, fleksibiliteti është në rrezik.

Asnjë vend për t’u fshehur

Për bankierët qendrorë, kjo është diçka shqetësuese, por jo katastrofike. Disa tendenca mund ta bëjnë pak më të lehtë përballimin e një epoke të re makroekonomike. Ndryshimet demografike mund të lëvizin në të dyja drejtimet, siç vuri në dukje Gita Gopinath nga FMN.

Megjithëse punëtorët në ekonomitë e plakura mund të jenë më të paktë, ata gjithashtu do të kursejnë më shumë, duke ndihmuar në zbutjen e presioneve inflacioniste. Dhe ndryshimet e nxitura nga pandemia, mund të japin ende një dividend produktiviteti.

Më e rëndësishmja, sot ka më pak konfuzion intelektual, sesa në vitet 1970. Siç vuri në dukje zoti Powell, bankierët qendrorë dikur duheshin bindur se ata mund dhe duhej të mbanin përgjegjësi për nivelin e inflacionit – një situatë që lejoi rritjen e inflacionit për më shumë se një dekadë.

Sot, “përgjegjësia e Rezervës Federale për të ofruar stabilitet çmimesh është e pakushtëzuar”. Bankierët qendrorë kanë filluar të pranojnë se detyra e tyre mund të jetë më e vështirë në vitet në vijim.

Vetëdija mund të parandalojë që një epokë e re tronditjesh dhe paqëndrueshmërie, të bëhet katastrofike. /monitor.al/