Dollari arrin nivelin më të lartë në 5 vjet në tregun shqiptar

Albanian coin on top of dollar bills for financial and investment concepts

Dollari amerikan ka prekur dje nivelin më të lartë të pesë viteve të fundit në kursin e këmbimit me lekun.

Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, Dollari u këmbye me 118.81 Lekë, niveli më i lartë prej vitit 2017. Që prej fundit të muajit gusht, kur kaloi pikën e paritetit ne Euron në tregjet ndërkombëtare, Dollari po qëndron në vlera më të larta se monedha Europiane edhe kundrejt Lekut.

Sipas ekspertëve të këmbimit valutor, USD-LEK, në ndryshim nga ai EUR-LEK, nuk ndikohet shumë nga zhvillimet e tregut të brendshëm dhe është vetëm reflektim i kursit USD-EUR në tregjet ndërkombëtare. Duke qenë se Euro ngelet monedha e referencës për ekonominë dhe sektorin financiar shqiptar, kursi i këmbimit të të gjitha valutave të tjera përcaktohet nga raportet e tyre me Euron. Në javët e fundit, Euro po qëndron poshtë nivelit të 1 Dollari amerikan. Mesditën e të mërkurës, Euro këmbehej me 0.99 USD.

Reklama e sponzorizuar

Dominimi i Dollarit në tregjet valutore në këtë periudhë po mbëshetet njëkohësisht nga rritja e fortë e normave të interesit të Rezervës Federale, por edhe nga ecuria e mirë e ekonomisë amerikane. Në veçanti, treguesit e punësimit nuk po e vuajnë shumë inflacionin e lartë dhe shtrëngimin e shpejtë monetar të FED. Shëndeti i mirë i tregut të punës vlerësohet si një nga indikatorët më të rëndësishëm të performancës ekonomike. Ekspertët besojnë se tashmë goditja inflacioniste mund ta ketë arritur pikun e vet dhe mund të lëvizë drejt një rënieje të ngadaltë gjatë muajve të ardhshëm. Rezistenca e tregut të punës kanë forcuar pritshmëritë se Rezerva Federale nuk do të hezitojë të rrisë më tej normat e interesit, duke favorizuar një forcim të mëtejshëm të Dollarit.

Për ekonominë shqiptare, kursi i Dollarit ka një ndikim më të vogël krahasuar me atë të Euros, por sidoqoftë një Dollar i fortë ushtron presione rritëse në çmimet e karburanteve dhe lëndëve të para, që importohen kryesisht në monedhën amerikane.

Ndërkohë, kursi i këmbimit Euro-Lek e ka nisur javën me një ecuri të qëndrueshme. Të mërkurën, Euro u këmbye me 117.73 Lekë, 0.08 Lekë më pak krahasuar me fundin e javës së kaluar. Pasi preku nivelet më të ulëta historike në sezonin veror, kursi i Euros ka shënuar një korrektim të lehtë në rritje në pjesën e fundit të gushtit dhe javën e parë të shtatorit. Për agjentët e tregut, tendencat e kursit të Euros në javët e fundit janë reflektim normal i zbehjes së efektit sezonal. /Monitor.al/

Burimi: Banka e Shqipërisë