Kosova në gusht importoi mallra në vlerë të 526 milionë eurove

Kosova në muajin gusht të këtij viti ka shënuar një vlerë rekorde sa i përket  importit të mallrave nga vendet e huaja.

Saktësisht 526.8 milionë euro është vlera e mallrave të importuara në vend vetëm gjatë gushtit, që është një rritje prej 26 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2021, përcjell Buletini Ekonomik.

Në bazë të të dhënave më të fundit nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), deficiti tregtar i Kosovës mes importit dhe eksportit gjatë këtij muaji ka qenë 441.9 milionë euro, ku eksporti i mallrave në muajin gusht 2022 kishte vlerën e vetëm 84.8 milionë eurove, ndërsa importi siç e cekëm më lartë, shënoi një vlerë rekorde prej 526.8 milionë eurove.

Reklama e sponzorizuar

Por, çka importoi më së shumti Kosova gjatë muajit gusht të këtij viti?

Sipas të dhënave të grupeve kryesore për import, sipas ASK-së,  22.9 për qind të totalit të mallrave të importuara e përbëjnë produktet minerale, 12.2% ushqimet e përgatitura,pijet dhe duhani, 10.5% makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike, 9.3% metalet bazë dhe artikujt prej tyre, 6.4% plastika,goma dhe artikujt prej tyre, 6.3% produkte të industrisë kimike, si dhe 6.0% mjetet e transportit, etj.

Importet e Kosovës nga vendet e BE-së gjatë gushtit u vlerësuan rreth 213,2 milion euro, ose 40.5% e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 20.2%, nga viti i kaluar. Importet me pjesmarrje me të lartë ishin nga: Gjermania me 9.5%, Greqia me 8.7%, Italia me 3.8%, Sllovenia me 3.4%, etj.

Ndërsa, importet nga vendet e CEFTA-së në muajin gusht 2022, arritën në 100,0 milion euro, ose 19.0% të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 26.9%. Vendet me pjesëmarrjen më të lartë për import ishin: Serbia me 7.4%, Maqedonia me 5.5%, Shqipëria me 4.1%.

Kurse, importet e Kosovës me vendet tjera të botës, arritën në 213,5 milionë euro, ose 40.5%. Vendet me pjesëmarrjen më të lartë për import në këtë grup ishin: Turqia me 13.6% dhe Kina me 10.1%. /Buletini Ekonomik/