Kurti: Kam pasur synim drejtësinë dhe punësimin, jo rritjen e pagave

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i është kundërpërgjigjur deputetit të AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili kishte thënë se nuk ka pasur rritje të pagave që nga viti 2018, duke i thënë se “Kam pasur synim drejtësinë dhe punësimin, jo rritjen e pagave”, gjersa ka shtuar se kjo do të ndodhë me Ligjin për Paga.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në seancën e 29 shtatorit në Kuvendin e Kosovës, duke iu kundërpërgjigjur opozitës të cilët në fjalimet e tyre kanë potencuar se greva ka zgjatur shumë dhe ka dëmtuar nxënësit, ka thënë se kjo grevë në arsim nuk mund të trajtohet si problem specifik.

“Nuk mund të matem për sukses qeveritar, nëse vlerësohem se sa i plotësoj kërkesat e atyre që janë në opozitë”.

Reklama e sponzorizuar

Sipas Kurtit, pakoja për përballje me inflacionin është edhe si rezultat i trysnisë së BSPK-së me greva.

“Më 1 shtator kemi takuar kryetarin e BSPK-së, Atdhe Hykollin, dhe ia kemi ofruar triumfin ta publikojmë bashkë pakon për inflacion. Kam dashur që ata të bëhen pjesë e fitores. Është edhe rezultat i trysnisë së tyre pakoja që po e bëjmë. U ka pëlqyer, por nuk kanë pranuar pasi kanë dalë nga takimi e nuk e di me kë janë konsultuar. U ka pëlqyer ideja që po sjellim pako për përballje për inflacion. BASKK-ja do ta kishte triumfin më 2 shtator e të mos detyrohesha vetëm unë me ministrin ta prezantonim pakon më 3 shtator”, ka thënë Kurti.

Po ashtu, ai edhe arsyetoi ndërhyrjen e ministrit të financave, Hekuran Murati në fjalimin e Haradinajt.

“Ndërhyrja është dukuri në kuvend, jo përjashtim, e pashë që ministri i Financave i ndërhyjti haradinajt, por nuk e fyejti”.

Kurti i është kundërpërgjigjur Haradinajt, i cili tha se nuk ka pasur rritje të pagave.

“Unë kam ardhur për punësim dhe drejtësi, jo për rritje të pagave”, gjersa ka shtuar se kjo do të bëhet me Ligjin e Pagave.

Ndërsa, deputeti i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se mësimi është dashur të fillojë më 1 shtator, e jo të bëhen diskutimet kur greva ka qenë e paralajmëruar që prej prillit.

“Erdhi dita keni thënë, por kryeministër dita shkoi, erdhi mbrëmja e ju ende asgjë nuk keni bërë”, i ka thënë Krasniqi-Kurtit.