Kosova vazhdon të mos ketë asnjë ditë të vetme të sigurtë sa i përket furnizimit me rrymë. Kapacitetet tona gjeneruese nuk mjaftojnë për të përmbushur nevojat e konsumit gjatë ditëve të acarta të dimrit, edhe po të punonin me parashikimet më ideale. Thënë më thjeshtë dhe më konkretisht: Kosova nuk ka energji të mjaftueshme elektrike të veten për të furnizuar me rrymë normalisht qytetarët e vet. Nuk pati, praktikisht qe 23 vjet, dhe Kosova edhe sivjet do të ketë mungesë të rrymës dhe kjo mungesë do të ndihet posa të fillojnë ditët e ftohta. Pse ngurrohet për të nisur së ndërtuari kapacitete të reja elektroenergjetike?
Mehmet GJATA
Mediat në Kosovë, edhe përfaqësuesit e tyre, gazetarët pra, qofshin edhe profesionistë të mirë, nuk e kanë tashmë të lehtë të trajtojnë temat rreth zhvillimeve elektroenergjetike në Kosovë. Ata, doemos do të përsëritin vetveten, të dhënat nga shkrimet e tyre në vazhdim, parashikimet eventuale. Sepse, në energjetikën kosovare nuk po ndodhë, praktikisht asgjë, asnjë zhvillim i vetëm, asnjë investim për të pasur një kapacitet të ri elektroenergjetik, nga çfarëdo burimi, qoftë nga qymyri apo energjia e ripërtëritshme.
E tërë bota elektroenergjetike e Kosovës, tani e 23 vjet, sillet në një rreth vicioz, ndoshta edhe më keq, në një labirinth pa rrugëdalje. Prandaj mediat do të përsërisinn deri në monotoni, mbase duke paralajmëruar gjendjet e rënda të pritshme elektroenergjetike, krizat e mospasjes mjaftueshëm rrymë dhe mungesat e furnizimit normal të këtij vendi me energji elektrike. Gjithsesi, do të ketë përsëritje pikëpamjesh vështrimi, parashikimi dhe trajtimi të zhvillimeve energjetike që vazhdojnë të jenë të paqena, edhe në këtë tekst.
Kosova vazhdon të mos ketë asnjë ditë të vetme të sigurtë sa i përket furnizimit me rrymë. Kapacitetet tona gjeneruese nuk mjaftojnë për të përmbushur nevojat e konsumit gjatë ditëve të acarta të dimrit, edhe po të punonin me parashikimet më ideale. Thënë më thjeshtë dhe më konkretisht: Kosova nuk ka energji të mjaftueshme elektrike të veten për të furnizuar me rrymë normalisht qytetarët e vet. Nuk pati, praktikisht qe 23 vjet, dhe Kosova edhe sivjet do të ketë mungesë të rrymës dhe kjo mungesë do të ndihet posa të fillojnë ditët e ftohta.
Më saktësisht, konsumi i Kosovës kontinentale shtohet vrullshëm dhe paparshikueshëm që në gjysmën e dytë të vjeshtës, dhe po se po, gjatë tërë dimrit, që rëndom është i ftohtë dhe i gjatë për kosovarët e skamur dhe pa para të bollshme për t’u përballur me mungesën e rrymës.
Kosova, siç dihet, ka gjithsej termokapacitete me fuqi në rrjet 1070 megavatë-orë, po të punonin pa ndalje Kosova B me të dy njësitë (B1 dhe B2) dhe Kosova A me 3 njësitë (A3, A4 dhe A5), dhe diku rreth 160-170 megavatë-orë energji të rinovueshme ((hidrocentralet e vogla të Kosovës dhe nga parqet e energjisë në bazë të erës në Shalë të Bajgorës dhe në Kitkë të Anamoravës).
Më saktësisht: Blloqet e termocentraleve Kosova B bashkarisht kanë kapacitet mbi 600 megavatë në gjenerator, ndërsa në rrjet kapaciteti i tyre është 520 megavatë. Secili bllok, pra ka kapacitetin në rrjet 260 megavatorë. Në anën tjetër, Kosova A, që nga pas lufta ka operuar me tri blloqe A3, A4 dhe A5, të cilat bashkarisht kanë kapacitet në rrjet prej 550 megavatësh. Këto janë kapacitetet aktuale në termocentralet Kosova A, tashmë e stër-stërvjetëruar dhe në Kosovën B- të vjetëruar bukur shumë. Këto janë kapacitetet po të punonin pandërprerë termocentralet tash të stërvjetëruara (Kosova A mbi 60 e sa vjet, dhe Kosova B mbi 40 vjet). Por, siç është e njohur për të gjithë, në termocentralet kosovare, që figurativisht njihen në opinion edhe si dinosaurët energjetik, ndodhin jo rrallë defekte teknike të paparashikueshme dhe remonte goxha të shpeshta të planifikuara.
Pra, bukur shpesh, nuk i kemi të angazhuara edhe këto termokapacitete të përmendura, siç po ndodhë këtyre ditëve. Dhe, në rast të ndodhjes së ndonjë të papriture eventuale, ndonjë defekti teknik të paparashikuar, që te termocentralet e stërvjetëruara, siç e kemi provuar shumë herë deri tash, mund të ndodhë në çdo çast, mungesat e energjisë elektrike bëhen ndjeshëm më të mëdha, shpërfaqen pasojat evidente të kësaj mungese, sikundër që shumëfishohen edhe vështirësitë rreth sigurimit (importit) të rrymës me çmime stratosferike.
Aktualisht nga termokapacitetet elektroenergjetike të Kosovës janë në prodhim vetëm të dy njësitë e termocentraleve Kosova B (B1 dhe B2), me rreth 500 -520 megavatë dhe rreth 160-170 megavatë nga kapacitetet e energjisë së ripërtëritshme. Nga 25 shtatori, për shkak të rishfaqjes së një defekti teknik, nuk është në prodhim as blloku A3, njësia e vetme e termocentraleve Kosova A, e cila që nga 1 shtatori ka qenë në funksion dhe ka prodhuar diku rreth 130 megavatë-orë energji elektrike. Ndërsa, blloku A4, që nga fillimi i shtatorit gjendet jashtë funksionit për shkak të remontit të planifikuar. A5-shi nuk është në operim që nga gjysma e korrikut, për shkak të planifikimeve për ta bërë remontin kapital dhe pa ndonjë sqarim bindës, punët, madje ato nismëtare, po stërzgjatën akoma.
Situata fare të ngjashme me këtë aktualen mund të përsëriten në çdo moment edhe në periudhën dimrore. Dhe, shi për këto shkaqe, e tashmja dhe e ardhmja e afërt, muajt e dimrit pra, kur në orët e pikut konsumi di të shkojë edhe deri në 1300 megavat-orë, sa i përket furnizimit me energji elektrike, do të jenë me shumë gjasë muaj krize elektroenergjetike. Krizë është kur nuk ke energji vetanake, dhe nuk ke para të importosh atë me çmime enorme të larta. Dhe kjo situatë është e pritshme të ndodhë. Ky është fakt kaherë i njohur dhe i ditur edhe nga shteti, edhe nga konsumatorët. Dhe, pasojat e rënda egërsisht të shfaqura, u panë në fund të vitit të kaluar dhe në fillim të këtij viti, kur edhe Kosovën, sikundër shumicën e vendeve të botës e kaploi kriza e ashpër energjetike, reduktimet e gjata dhe shpenzimi i qindra miliona eurove për ta importuar energjinë me çmime rekorde të shtrenjta.
Në bazë të kësaj gjendjeje të sotshme elektroenergjetike në vend, po del që ishin të kota dhe ‘rrahje uji në havan”, qysh prej ditëve të krizës së ashpër energjetike, alarmet e parreshtura nga njohësit e rrethanave dhe ekspertët për domosdonë e një zgjidhje më urgjente të problemit. Dhe problemi i rëndë i mungesës së rrymës, po vazhdon të përsëritet njëtrajtshëm dhe shumëtrajtshëm pa ndryshuar asgjë, po bëhet i komplikuar dhe, gjithsesi, me pasoja tronditëse për Kosovën e varfër. Ndërsa, dimri është te dera. Dhe, nga institucionet përgjegjëse dhe vendimmarrëse, nuk është bërë asgjë konkrete, së paku, as aty ku ka paksa mundësi reale për ndërmarrjen e ndonjë veprimi më urgjent, siç është, bie fjala, kontraktimi tani i importit të ndonjë sasie të energjisë elektrike, kur çmimet janë ndjeshëm më të ulëta. Ose, nisja e punëve përgatitore për të siguruar dhe për të ngritur impiantet e deponimit të energjisë elektrike gjatë muajve të verës, kur kemi relativisht boll rrymë për ta ruajtur për kohën e acart. Sikundër që nuk u bë asgjë gjatë 21 e sa vjetëve të shkuara, për të nisur ndërtimin e ndonjë kapaciteti të ri elektroenergjetik, termocentrali të ri, aq të nevojshëm për vendin, ose ndonjë kapaciteti më të efektshëm të energjisë së rinovureshme, qoftë me erë, qoftë të energjisë solare, sado që tashmë janë goxha të njohura potencialet për energjinë e gjelbërt, madje janë të identifikuara edhe vendet e mundshme për të ngritur këto kapacitete, edhe qeveria aktuale nuk është që ka bërë ndonjë veprim për të pasur ndonjë “fabrikë” të re të rrymës.
Për sa dihet, dhe për sa është bërë e njohur publikisht, thuaja asgjë nuk është bërë nga institucionet përgjegjëse dhe nga pushteti aktual, të obliguara dhe kompetente për ta siguruar rrymën e nevojshme për qytetarët e vendit. Përveç retorikës dhe fjalamanisë shabllone për “ëndrrat energjetike”, nuk doli një person as nga qeveria, as nga mjediset e tjera zyrtare, që ta thotë një të dhënë konkrete se çka është bërë, apo cilat nga masat e mundshme janë ndërmarrë për ta zbutur mungesën e rrymës në Kosovë gjatë sezonit të sivjetshëm të dimrit.
Më nuk vlejnë fajësimet e qeverive të shkuara për mungesë të energjisë në Kosovë, vendi që karakterizohet se “gjallon dhe fle” mbi resurse të pashterrshme të qymyrit. Kosovarët duan rrymën, qoftë nga thëngjilli, qoftë nga burimet e ripërtëritshme të energjisë. Për të arritur synimet që energjia nga burimet e rinovueshme të bëhet me ndikim dhe efekte më të shpejta konkrete në stabilizimin e sistemit elektroenergjetik të Kosovës, dhe për të pasur më shumë energji nga prodhimi vendor, nuk mjaftojnë vetëm vizionet afatgjate, qofshin ato mrekullisht të mira. Për Kosovën e ballafaquar me mungesa, në raste edhe goxha ekstreme të rrymës, duhet ndërmarrë edhe hapa urgjentë, për zgjidhje më të shpejtë.
Prandaj, është edhe i pakuptueshëm dhe i diskutueshëm ngurrimi kaq i gjatë për t’ia nisur ndërtimit të ndonjë kapaciteti të ri energjetik, qoftë në bazë të erës, qoftë me panele solare. Ekzistimi i dy-tre kapaciteteve të reja të energjisë së ripërtëritshme me 100-120 megavat-orë secili, do të ishte një zgjidhje premtuese. Por, këto kapacitete për t’i pasur, duhet nisur së ndërtuari ato.
Kosova ka vendet e identifikuara tashmë për ndërtimin e tyre, por edhe nuk i ka të mbyllura të gjitha dyert për të kërkuar dhe siguruar mjetet e nevojshme financare për këto projekte. Duhet përgatitur projektet dhe duhet bindur institucionet ndërkombëtare financiare për vlefshmërinë e këtyre “fabrikave’ të rrymës. Po të nisej ndonjë kapacitet i ri i energjisë së rinovueshme qëkur nisi mandatin qeverisës ekzekutivi aktual i Kosovës, tashmë do të kishim ose të finalizuar këtë impiant, ose do të ishte fare pranë finalizimit. Kaq, rreth 2 vjet e ca muaj zgjasin të gjitha punët për ta ndërtuar një park të energjisë me erë, ose me diell.
Por, edhe rindërtimi i tërësishëm i termocentraleve Kosova A, projekt i inicuar nga Qeveria e sotme qysh në ditët e para të ardhjes së saj në pushtet, si vizion për ringjallje elektroenergjetike të Kosovës, tani ndonjëri nga njësitë e termocentralit Kosova A, do të ishte fare i ri dhe potent për stabilitetin e sistemit elektroenergjetik të vendit. Edhe Qeveria Kurti ngurroi, pa shpjegim, për të investuar në gjithë këta muaj të qeverisjes. Prandaj, jemi këtu ku jemi-me kërcënime të vazhdueshme krizash elektroenergjetike megjithë këto rezerva të pamata të resurseve që ka Kosova. Sa më shumë të vonohemi, më shumë do t’ia zgjasim vetes agoninë e mungesës së rrymës. /Buletini Ekonomik/