Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besjan Mustafa, ka folur në lidhje me vendimin e Qeverisë së Kosovës për pakon e mbështetjes për qytetarët.
Mustafa e ka quajtur pako në panik duke shtuar se masat e prezantuara nga Qeveria, janë të vonshme.
“Qeveria këtë fundjavë paraqiti një pako të re në panik e sipër, qe do të kenë pak ose fare ndikim. Shumica e masave janë të vonshme, nuk janë të planifikuara mirë. Për LDK-në ky është një veprim në panik i kësaj Qeverie, për të ulur pakënaqësinë në rritje, në vend se të jetë një plan i menduar mirë për të zgjidhur këtë krizë” – tha Mustafa.
Deputeti i LDK-së u shpreh se Qeveria e ka injoruar sektorin privat, i cili sipas tij, është ndër kontributdhënësit më të mëdhenj tatimor.
“Qeveria ka vendosur të injorojë tërësisht të punësuarit në sektorin privat dhe vëtë sekorin privat të cilët janë kontributdhënësit më të mëdhenj tatimor dhe motori i ekonomisë tonë. Nga ta kjo qeveri vetëm merr dhe asgjë nuk jep. Asnjë centë nuk ju dha as të papunëve. Kjo pako është diskriminuese. Shkakton pabarazi duke e ndarë vlerën e njëjtë edhe atyre që kanë 300 euro rrogë edhe atyre 2000 euro rrogë. Është e paqartë se si një Qeveri që pretendon që është social demokrate nuk qanë kokën për barazinë sidomos kur shpërndan para publike”- deklaroi Mustafa.
“Masat e muajit prill i mori qeveria asnjë analizë e asnjë plan. E vetmja anlizë që pamë ishte vizita e ministrit të Financave në marketin e lagjes” – shtoi ai.
Mustafa i ka bërë thirrje Qeverisë që të trajtojë krizën dhe të koncentrohen me masa konkrete.
“E thërrasim Qeverinë që të trajtojë këtë krizë me seriozitet dhe përfundimisht të koncentrohen në masa konkrete që zhbllokojnë potencialin e zhvillimit ekonomik, përshpejtojnë projektet kapitale dhe përmirësojnë jetën e qytetarëve të Kosovës” – ka theksuar Mustafa.
Qeveria e Kosovës do të ndajë nga ky muaj nga 50 euro për të gjithë zyrtarët publikë.
Kështu njoftoi të sthunën kryeministri i vendit, Albin Kurti të shtunën në një konferencë për media.
Ai tha se ekzekutivi që drejton ka përgatitur një pako të re për ta përballuar inflacionin.