Ministri Murati kërkon hetime për të hyrat e SBASHK-ut

Hekuran Murati-Ministër i Financave, Punës dhe Transfereve

Ministri i Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka kërkuar hetime nga institucionet përkatëse lidhur me ngritur të hyrat e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK).

“Do doja të flas edhe për pasqyrat financiare të SBASHK-ut. Kam përmendur shumën e mjeteve që janë derdhur në llogari të tyre në emër të kontributeve nga anëtarësia, nga 25 mijë persona që paguajnë kontribut 2-3 euro në muaj. Prisja që të këtë sqarim se çfarë është bërë me ato mjete”, shtoi Murati.

Sipas tij, edhe pse janë pranuar raporte të ndryshme të auditimit të sindikatave, ka shpërputhje mes asaj që ka mbledhur Thesari në emër të anëtarësisë dhe shifrës që SBASHK-u i paraqet si të hyra nga anëtarësia.

Reklama e sponzorizuar

Murati shtoi se në bazë të raportit të auditimit të vitit 2017 të prezantuar nga SBASHK-u, të hyra nga anëtarësia të cilat janë derdhur në llogarinë e SBASHK-ut janë gjithsej 550 mijë e 317 euro e 60 centë, ndërsa SBASHK-u në pasqyrat e veta financiare, të hyra nga anëtarësia ka deklaruar vetëm 220 mijë e 136 euro e 54 centë.

“Pra, bëhet fjalë për një diskrepancë prej 330 mijë euro. Diskrepancë të madhe me mijëra euro në SBASHK ka pasur edhe në vitet 2018 dhe 2019 dhe ftoi organet e rendit që të fillojnë hetimet për këto dyshime”, është shprehur Murati..

Këto dyshime ministri Murari i bëri të ditura në konferencën e mbajtur dje për media, ku tha se nuk janë ekzekutuar në tërësi pagat e punonjësve të sektorit publik dhe se kjo kryesisht ka të bëjë me grevën që kanë nisur disa institucione publike që nga data 25 gusht.

Ai paralajmëroi se çdo person që vazhdon grevën do trajtohet sipas Ligjit për greva, me ç’rast punëdhënësi në raste të tilla e pezullon obligimin e pagesës ndaj punëtorit.

“Çdo person që ka qenë në grevë dhe vazhdon të jetë, do të trajtohet sipas nenit 18 paragrafi 1 të Ligjit për greva, i cili parasheh që të pezullohet obligimi i dyanshëm. Pra, në njërën anë punëtori nuk ka obligim që ta respektojë kontratën e punës dhe punëdhënësi pezullon obligimin e pagesës. Për të gjithë ata që vazhdojnë grevën do trajtohen kështu”, ka përfunduar Murati.