Reduktimet me energji elektrike, të cilat po zbatohen në Kosovë, po u shkaktojnë humbje të mëdha financiare bizneseve dhe prodhuesve vendas. Pronarët e bizneseve thonë se humbjet kanë shkuar në miliona euro. Lokale të gastronomisë kanë filluar edhe të mbyllen. Nga qeveria është kërkuar të krijohet një fond i veçantë për përkrahje të bizneseve dhe kompanive. Mungesa e energjisë e ka kthyer Kosovën 20 vite mbrapa.
Nga mesi i muajit gusht, qytetarët e Kosovës janë duke u përballur me reduktime të ashra të energjisë elektrike. Si pasojë e reduktimeve, bizneset, prodhuesit vendas dhe kompani të ndryshme po ballafaqohen me probleme dhe humbje të mëdha.
Lulzim Rafuna, kryetar i Odës Ekonomike, ka thënë se bizneset kanë filluar të ankohen, për shkak të reduktimeve të energjisë elektrike. Sipas Rafunës, humbjet financiare janë shqetësuese, sidomos në sektorin e prodhimit.
“Problemin e energjisë elektrike do ta pësojnë shumë kompani, të cilat eksportojnë produkte, pasi ato nënshkruajnë kontrata me fuqi juridike ndërkombëtare. Çdo vonesë e paraparë me kontratë nënkupton edhe zgjatjen e afateve të kontratave për eksport dhe për shkak të vonesave në dorëzimin e mallrave, bizneset kosovare do të penalizohen. Ajo që është më e dhimbshme, rrezikohet humbja e tregut, i cili është fituar me shumë mund”.
Kreu i OEK-ut shtoi se ndërprerja e energjisë një kompanie prodhuese po i kushton rreth 25 mijë euro.
“Procesi i prodhimit është i tillë që, nëse paraprakisht nuk lajmërohen bizneset për ndërprerje të rrymës, dëmet për disa biznese prodhuese me vetëm një ndërprerje mund të shkojnë rreth 25000 euro dhe ato janë të pashmangshme, sepse malli që gjendet në të gjitha vijat e prodhimit, dëmtohet. Sipas Rafunës, kriza energjetike është globale, por thotë se qeveria ka hapësirë të bashkëpunojë me komunitetin e biznesit.
“Ne jemi të vetëdijshëm që problemi i energjisë elektrike është global, mirëpo konsiderojmë se nëpërmjet bashkëpunimit të mirëfilltë dhe transparent me komunitetin e biznesit do të gjejmë zgjidhje sa më të favorshme për bizneset kosovare”, deklaroi ai. Drejtori i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, ka kritikuar institucionet e vendit për mosveprim, në përmirësimin e furnizimit të rregullt me energji elektrike.
Ai bëri të ditur se si pasojë e reduktimeve të energjisë elektrike të paparalajmëruara për bizneset, dëmet financiare në fabrika kapin shifra milionëshe vetëm brenda një dite.
“Është për të ardhur keq që nuk po ndërmerren masat e duhura për të përmirësuar ose për të ofruar një furnizim të pandërprerë me energji elektrike. Pasojat i bartin qytetarët dhe bizneset, por ajo që ne si Odë Ekonomike Amerikane kemi kërkuar nga institucionet e vendit është të bëjnë më të mirën dhe të garantojnë një furnizim të pandërprerë për ndërmarrjet private në vend, sidomos për ndërmarrjet prodhuese, te të cilat shkaktohen dëme shumë të mëdha edhe në aspektin financiar, edhe në aspektin teknik, për shkak të ndërprerjeve edhe të paparalajmëruara të energjisë elektrike.
Te bizneset, sidomos ato të sektorit prodhues, dëmet financiare arrijnë dhjetëra mijë euro, po flas për raste individuale, për fabrika të veçanta brenda një dite. Kosova nuk ka industri shumë të zhvilluar, por megjithatë te të gjithë prodhuesit, dëmet financiare kapin shifra milionëshe, e për të cilat natyrisht që pasojat do të jenë shumë më të mëdha se sa vetë dëmi financiar aktual”, thotë Zeka.
Ai shton se viti 2022 do të jetë vit i humbur për nga ndikimi i investimeve kapitale, pasi siç thotë Zeka, nuk ka pasur realizim të investimeve dhe shpenzim të mjeteve buxhetore. Kryetari i Bordit të Klubit të Prodhuesve të Kosovës, Berat Mustafa, ka thënë se reduktimet e shpeshta të energjisë po shkaktojnë humbje të mëdha në biznesin e tyre. Mustafa thekson se Qeveria e Kosovës duhet ta ketë në fokus prodhuesin, pasi sipas tij, është sektori që ka ndikim në zhvillimin e vendit.
“Ky është një shqetësim shumë i madh për prodhuesit dhe një pengesë që ndikon drejtpërdrejt në ndërprerjen e energjisë pa paralajmërim, pra këtu është thelbi. Po të kemi një paralajmërim është një gjysmë dëmi, por nuk kemi mundur ta gjejmë me KEDS-in për njoftimin rreth ndërprerjes e rrymës. Posaçërisht në zonat industriale ku janë prodhuesit, pra ku janë linjat e ndara, edhe Qeveria duhet ta ketë në fokus prodhimin që ndikon në zhvillimin e vendit, duhet të trajtohet pak ndryshe”.
Ai shton se nga këto reduktime, humbjet e prodhuesve janë shumë të mëdha. “Humbjet janë shumë të mëdha, kështu janë rritur importet. Tani edhe me mungesën e energjinë elektrike, kemi vakum në punë, pra vetë ndërprerja e rifillimi i punës”, shtoi ai. Mustafa thotë se ndërprerjet e rrymës po shkaktojnë çrregullimin e programeve, duke ndikuar në procesin e punës.
“Prodhuesit tanë nuk janë më vetëm vendas, pra janë rajonalë dhe europianë, posedojnë teknologjinë më të lartë të mundshme, e punojnë me programe më të sofistikuara. Në qoftë se ndërpritet energjia elektrike, në moment, pa paralajmërim, sigurisht që çrregullohen programet, ku prodhuesit do të kenë kosto shtesë për kthimin e tyre”.
Humbjet do të jenë 1 milion euro në ditë
Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, tha se nëse problemi me energjinë vazhdon, humbjet do të jenë 1 milion euro në ditë, duke pasur parasysh përdorimin e gjeneratorëve dhe shtrenjtimin e naftës.
“Humbjet në ekonominë dhe bizneset e Kosovës do të jenë diku rreth 1 milion euro në ditë, duke përdorur gjeneratorët si alternativë qoftë në sektorin e prodhimit, qoftë atë të shërbimeve, duke pasur parasysh se nafta, tani është shtrenjtuar dhe kjo do të ishte goditje në këtë krizë për biznesin vendas, por edhe për investitorët e huaj”.
Krahas pagesave të faturave të energjisë në Veri, Shahini thotë se qeveria duhet të subvencionojë energjinë, sepse është organi kryesor i çdo sektori të ekonomisë.
Ndërprerjet e vazhdueshme të rrymës kanë vështirësuar punën në sektorin e gastronomisë.
Kryetari i Odës së Hotelerisë e Turizmit në Kosovë, Hysen Sogojeva, është shprehur se do të ketë rritje të çmimeve, duke theksuar se nëse vazhdon zgjatja e orarit pa rrymë, atëherë do të mbyllen një numër i konsiderueshëm i tyre.
“Vetë fakti që kjo veprimtari ka qenë më e goditur gjatë kohës së pandemisë, pastaj nuk është ndihmuar fare, ashtu si kanë qenë parashikimet dhe tash ndalja dhe paraqitja e problemit me rrymë ndikon që kjo veprimtari të jetë shumë e rrezikuar në të ardhmen. Fakti që kemi rritje të çmimeve në çdo produkt është shumë normal tani edhe me harxhimin që e bëjnë me gjenerator, që të kemi rritje të çmimeve. Nëse kemi rritje të madhe të çmimeve, atëherë klientela mund të largohet. Shumica e bizneseve sot në Kosovë, nga 18 mijë biznese, nëse situata vazhdon kështu dhe do të zgjatet orari pa rrymë, do të mbyllen, në një numër i konsiderueshëm”.
Ndërprerja e energjisë elektrike në pikë të verës po u hap telashe kompanive ndërtuese. Pronari i një kompanie ndërtimi, Jahir Morina, tha se ndërprerja e energjisë i ka shkaktuar rreth 30% humbje në ditë. Ai tha se kjo po i kthen ata 20 vite mbrapa.
“Reduktimet e energjisë elektrike, sidomos në sektorin e ndërtimtarisë dhe gastronomisë, na kanë sjellë humbje jashtëzakonisht të mëdha. Na ka kthyer 20 vite mbrapa dhe po ndodh në valët e punës, sepse dihet se është sezon i ndërtimit. Çdo reduktim dy orë po na shkakton humbje 30% të orarit të punës gjatë ditës. Në start jemi me 25% humbje çdo ditë, tani me blerje të gjeneratorëve, jemi kthyer mbrapa. Ne nuk mund të funksionojmë me ndërprerje të energjisë”.
Pronari i kompanisë “Frutex”, Shaqir Palushi, ka deklaruar se janë të gatshëm ta paguajnë 50% më shtrenjtë energjinë nëse nuk u ndërpritet.
Sipas tij, po u rrezikohen të gjitha linjat e prodhimit, duke u rrezikuar seriozisht humbja e tregjeve të jashtme.
Ai ka bërë të ditur se për shkak të mungesë së rrymës, do të bëhet e pamundur të grumbullohen 4 milionë kg mollë nga fermerët.
“Për shkak të problemeve me furnizim me energji, si pasojë e kapaciteteve prodhuese të KEK-ut dhe rritjes së çmimit të energjisë elektrike në tregun ndërkombëtar, ne jemi të gatshëm të paguajmë 50% me çmim më të lartë për energjinë e shpenzuar, me kusht që të mos të ketë ndërprerje.
Ndërprerjet e shumta, përveçse rrezikojnë linjat prodhuese, janë bërë edhe problem në përmbushjen e kërkesave për eksport, duke u rrezikuar seriozisht humbja e tregjeve të jashtme. Gjithashtu, për shkak të mungesës së energjisë elektrike nuk mund të aktivizohet linja e përpunimit të frutave, duke e bërë të pamundur grumbullimin e 4 milionë kg mollë nga fermerët sa kemi paraparë për këtë vit. Kompania “Frutex”, gjatë ditës, do të përgatisë edhe kërkesën zyrtare për KEDS dhe shpresojmë të arrijmë në një marrëveshje”.
Pse nisën reduktimet e energjisë
Zëdhënësi i kësaj kompanisë KEDS, Viktor Buzhala, ka thënë se ata kanë një listë të bizneseve, të cilat i njoftojnë edhe individualisht për furnizim. “Ne kemi një listë të bizneseve, një pjesë të konsiderueshme të të cilave i kemi parësore, i lajmërojmë edhe individualisht, mirëpo kur ka kufizime të vazhdueshme dhe kur as ne nuk e dimë cila do të jetë lista, atëherë e kemi të pamundur. Mirëpo aplikacioni eKESCO i shërben secilit qytetar që të njoftohet në kohën më të shkurtër të mundshme”.
Buzhala ka njoftuar se reduktimet me rrymë pritet të vazhdojnë. Më 14 gusht të këtij viti, kompania përgjegjëse për shpërndarjen e rrymës, KEDS, njoftoi se reduktimet e energjisë do të nisin.
Arsyetimi i KEDS-it ishte se reduktimet kanë ardhur si rezultat i çmimeve të larta në tregjet ndërkombëtare dhe mosmbulimit të kostos së sistemit. “Kjo ka sjellë situatë të rëndë financiare edhe për KOSTT-in, të cilën ENTSO nuk e lejon më të bëjë devijime. Kjo bën që secila kërkesë mbi prodhimin vendor të kufizohet, në pamundësi të mbulimit nga importi”, thuhej në kumtesën e KEDS-t.
Por Kosovës më pas i erdhi në ndihmë Republika e Shqipërisë, duke i dhënë Kosovës rrymë. Megjithatë, furnizimi nga Shqipëria nuk mjafton për të reduktuar ndërprerjet, ka thënë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë një konference për media.
“Javën e kaluar kemi pasur një bashkëpunim të shtuar me Shqipërinë. Ky bashkëpunim ka mundësuar zbutjen e reduktimeve, megjithatë energjia, që mund ta marrim nga Shqipëria, për fat të keq nuk e plotëson në tërësi mungesën tonë”, deklaroi Kurti.
Kreu i ekzekutivit shtoi se “Ministria e Ekonomisë është përgjegjëse për këtë fushë”, duke kërkuar nga mediat që të drejtohen atje për informacione më të detajuara. Artane Rizvanolli, ministre e Ekonomisë, tha se Qeveria ka ndarë 41 milionë euro si pjesë e zotimit për 90 milionët eurot në subvencionimin e faturave të energjike elektrike.
“Së shpejti çdo konsumator(e) do të informohet për kontributin e fondeve të Qeverisë dhe ndikimin e tyre në faturën e tij/saj”, ka thënë Rizvanolli
Por qytetarët e bizneset po humbin nga reduktimet e vazhdueshme të rrymës, në muajin gusht – sezon kur konsumi i energjisë është më i ulët. Kjo ka shkaktuar shqetësime se me çfarë situate energjetike Kosova mund të përballet në dimër, kur konsumi arrin kulmin. Korporata Energjetike e Kosovës operon me dy termocentrale në Obiliq, të cilat prodhojnë energjinë nga thëngjilli – Termocentrali “Kosova A” dhe “Kosova B”.
Termocentrali “Kosova A” përbëhet nga pesë blloqe punuese. Blloku i parë ka filluar punën në vitin 1962. Por, ky termocentral prej gati një dekade operon me vetëm tri blloqe.
Duhet theksuar se edhe vitin e kaluar, Kosova është prekur nga kriza energjetike, si pasojë konsumatorët janë përballur me reduktime dhe shtrenjtim të tarifave. Në Kosovë, rreth 94% e energjisë prodhohet nga djegia e thëngjillit, ndërsa rreth 6% nga burimet e ripërtërishme sikurse hidrocentralet, centralet me erë dhe panelet diellore.