Ngrohja me ‘alternativën’ më ndotëse e ajrit

Rekomandimet e Qeverisë së Kosovës që qytetarët ta kursejnë energjinë elektrike, droja nga reduktimet e shpeshta të energjisë dhe çmimi i lartë i druve, e kanë shtyrë Afrimin (identiteti i vërtetë i njohur për redaksinë) nga Prishtina, që të blejë nga shitës jolegalë thëngjill për ngrohje gjatë dimrit.

Ai tha se në muajin gusht i ka blerë pesë metra kub dru për ngrohje, por ato janë të pamjaftueshme për t’i dalë në fund stinës së dimrit. Për një metër kub dru, siç tha ai, ka paguar 75 euro, që krahasuar me vitin e kaluar, është më shtrenjtë për rreth 25-30 euro. Kjo, sipas tij, ka qenë arsye për të siguruar edhe rreth gjashtë tonelata thëngjill.

“Ne i kemi marrë dy kamioneta me thëngjill. Do të thotë, kanë kushtuar rreth 300 euro”, tha Afrimi.

Reklama e sponzorizuar

Ai theksoi se është i vetëdijshëm se thëngjillin e ka blerë nga shitësi ilegal dhe se djegia e thëngjillit është ndër ndotësit kryesorë të ajrit.

“Shteti kërkon prej nesh që ta kursejmë energjinë (elektrike). Në tjetrën anë, kërkohet kujdes ndaj pyjeve, që të mos i dëmtojmë. Po ashtu, kërkohet që thëngjill të mos merret në mënyrë jolegale. Por, edhe ne nuk kemi zgjidhje tjetër gjatë stinës së dimrit. Me diçka duhet të ngrohemi. Në qoftë se shteti do të siguronte një zgjidhje tjetër për ne, atëherë as ne si qytetarë, nuk do të vepronim në këtë mënyrë”, tha Afrimi.

Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar se në sezonin e dimrit do të ketë reduktime të energjisë, për shkak të mungesës së kapaciteteve prodhuese për të mbuluar kërkesën dhe çmimit të shtrenjtë të importit të rrymës. Ekzekutivi u ka bërë thirrje qytetarëve që ta kursejnë rrymën gjatë dimrit, në mënyrë që niveli i reduktimeve të ulet.

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), me dy termocentralet, Kosova A dhe Kosova B, mund të prodhojë energji deri në 800 megavat në orë, kurse nevojat e konsumatorëve, në ditë dimri, arrijnë deri në 1.300 megavat në orë. Diferenca tjetër sigurohet nga importi.

Shitja ilegale e thëngjillit “për mbijetesë”

Sipas Ligjit për miniera dhe minerale, licencën për eksploatimin e thëngjillit në Kosovë e ka vetëm Korporata Energjetike e Kosovës (KEK). Rrjedhimisht, askush tjetër nuk ka të drejtë ligjore të eksploatojë dhe shesë thëngjill pa licencë të shfrytëzimit.

Por, në mjaft vende në Prishtinë, thëngjilli për ngrohje shitet në formë jolegale. Ai ngarkohet në kamionë të vegjël me rimorkio të mbuluara.

Radio Evropa e Lirë e ka kontaktuar një nga shitësit e tillë, i cili kërkoi të mbetej anonim për publikun porse identiteti i tij është i njohur për redaksinë.

Ai tha se kudo në Prishtinë, mund të sillte një kamionetë me rreth tri tonelata thëngjill, me çmimin prej 120 eurosh. Ai rrëfen se si e siguron thëngjillin për shitje.

“Nxirret (thëngjilli) në Zhilivodë (Komuna e Vushtrrisë). Unë e blej në Zhilivodë dhe pastaj e shpërndaj. Të gjithë ata njerëz që e nxjerrin thëngjillin 10 deri 20 metra nën tokë, janë të varfër dhe mbajnë familje”, tha ky shitësi i thëngjillit.

Ai shtoi se është i vetëdijshëm se puna që bën është e paligjshme, por, sipas tij, është e vetmja mënyrë që të sigurojë mbijetesën për familjen e tij 7-anëtarëshe.

“I kam 5 fëmijë që i mbaj. Jam familjar. Le t’më japin pagë, le t’më punësojnë dhe unë e lë këtë menjëherë. Unë jam i papunë. Jetoj në Obiliq. Çka thua ti, a ta ndali këtë punë dhe të më vdesin fëmijët nga uria apo çfarë?”, tha ky shitës.

Ai shtoi se kërkesat për thëngjill janë shtuar, marrë parasysh që çmimi i druve për djegie është ngritur shumë në raport me vitin e kaluar.

Drutë, prej 65 deri 100 euro

Se çmimi i druve tashmë është rreth 30 deri 40 për qind më i shtrenjtë se sa vitin e kaluar, e konfirmoi edhe një shitës i druve, që tha se quhej Xhafer.

Ai i tha Radios Evropa e Lirë se rrallëherë mund edhe të gjenden në treg edhe dru me çmimin e vitit të kaluar, pra deri 45 euro, por ato dru janë prerë në formë jolegale.

“Çmimi sillet prej 65, 70, 80 euro (për metër kub), varësisht nga kualiteti i druve. Ka deri në 100 euro. Llogaritet që ato me çmim 75 euro shiten më së shumti”, tha Xhaferi.

Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, me pyetjen se cilat kanë qenë aktivitetet e sivjetme për parandalimin e shitblerjes së paligjshme të druve, si dhe për sasitë eventuale të konfiskuara këtë vit nga inspektoratet kompetente. Por, deri në publikimin e këtij teksti, kjo ministri nuk ka kthyer përgjigje.

Ngritje të çmimit sivjet ka pësuar edhe peleti. Një ton i kësaj lënde djegëse, vitin e kaluar, ka kushtuar rreth 200 euro, ndërkaq në gusht të këtij viti kushtonte deri në 450 euro.

Ministria e Mjedisit: Ndaluam eksploatimin e paligjshëm në pesë lokacione

Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, me pyetjen se sa ka arritur Inspektorati i kësaj ministrie të luftojë eksploatimin dhe shitjen e paligjshme të thëngjillit.

Në përgjigjen me shkrim të kësaj ministrie thuhet se Inspektorati, bashkë me Policinë e Kosovës “kanë kryer disa aktivitete rreth parandalimit të eksploatimit dhe shitjes së thëngjillit”.

“Janë inspektuar pesë lokacione në Komunat Vushtrri dhe Obiliq dhe janë ndaluar këto aktivitete, janë bllokuar disa mjete të rënda, me të cilat është kryer aktiviteti, si: kamionë, ekskavatorë, si dhe një seperacion i thëngjillit”, thuhet në përgjigjen e kësaj ministrie, e cila ka shtuar se aktivitetet në këtë drejtim janë duke vazhduar dhe do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim “deri në parandalimin e plotë të kësaj dukurie”.

Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Policisë së Kosovës, me pyetjen se sa raste të eksploatimit dhe shitjes së paligjshme të thëngjillit dhe prerjes dhe shitjes së paligjshme të druve ka proceduar këtë vit. Por, deri në publikimin e këtij teksti, nuk ka kthyer përgjigje.

Bektashi: Në rast krize energjetike, do të shtohet ndotja e ajrit

Agron Bektashi, ekspert për çështje të mjedisit, tha se pjesa më e madhe e qytetarëve në Kosovë, vazhdojnë të ngrohen me pelet, dru dhe thëngjill, marrë parasysh krizën energjetike, e cila po parashihet jo vetëm në Kosovë.

Ai mori shembull Prishtinën, ku sipas tij, vetëm 30 për qind e qytetarëve janë të kyçur në rrjetin e ngrohtores së qytetit, Termokos, ndërkaq 70 për qind e tyre ngrohen në forma tjera alternative, disa prej të cilave e ndotin ajrin.

Marrë parasysh, siç tha ai, që çmimi i peletit dhe druve për ngrohje është ngritur, për qytetarët është bërë e papërballueshme blerja e tyre. Ata tash janë orientuar që të sigurojnë thëngjill, për shkak se çmimi është i përballueshëm për qytetarët. Për më shumë, sipas tij, për ngrohje, shumë objekte përdorin edhe naftë dhe vajra të djegura.

Të gjitha këto, sipas tij, rrezikojnë të ndotin ajrin.

“Unë frikohem se nëse vjen një krizë, siç po parashihet, mund të kemi ndotje të shtuar të ajrit dhe rënie të cilësisë së tij, pikërisht për shkak të djegies së thëngjillit, si dhe materialeve të tjera të dyshimta, të cilat popullata dhe shtëpitë individuale do t’i përdorin për t’u ngrohur”, tha Bektashi.

Ai shtoi se ndotja e ajrit, krahasuar me dy-tre vjetët e fundit, mund të jetë e nivelit shumë më të lartë. Kjo, për shkak se gjatë pandemisë së koronavirusit, cilësia e ajrit ishte përmirësuar, sepse ishin ndaluar aktivitetet e mëdha industriale, qarkullimi i veturave gjatë orareve të caktuara e sidomos gjatë natës.

Rikthehet “thëngjilli si dhuratë”

Deri në vitin 2018, e Korporatës Energjetike të Kosovës u ka dhënë thëngjill si dhuratë punëtorëve të kësaj korporate. Në atë vit, Ministria e Zhvillimit Ekonomik ka marrë vendimin për ndalimin e dhënies së thëngjillit si dhuratë për punëtorët e KEK-ut.

Së fundmi, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka theksuar se e ka shfuqizuar këtë vendim, në mënyrë që punëtorët të ndihmohen për tejkalimin e krizës.

Organizata Botërore e Shëndetësisë vlerëson se miliona vdekje çdo vit lidhen me ekspozimin e njerëzve ndaj ndotjes së ajrit të jashtëm nga elemente të ndryshme.

Në matjet e organizatave të ndryshme, Kosova shpesh është renditur në mesin e vendeve me ajrin më të ndotur në botë. Ndotësit më të mëdhenj të ajrit në Kosovë, konsiderohen termocentralet, të cilat djegin thëngjill për prodhimin e energjisë elektrike.

Vitin e kaluar, organizata Botërore e Shëndetësisë ka thënë se ndotja e ajrit shkakton vdekjen e parakohshme të shtatë milion personave në vit. /REL/