Gjatë ditës së sotme u raportua se në bazë të matjeve të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), inflacioni vjetor në Kosovë, në muajin gusht ka arritur në 13 për qind.
Por, ndonëse inflacioni i gushtit është në shifër më të ulët sesa që ishte një muaj më herët (korrik -14.2 për qind), të ardhurat reale të qytetarëve po vazhdojnë të pësojnë rënie të vazhdueshme.
Njohësi i ekonomisë, Edison Jakurti, përmes një postimi në faqen e tij në facebook, tregon se nëse Kosova don ta ruajë fuqinë blerëse, atëherë edhe pagat duhet t’i rrisë së paku 11.2 për qind.
Kështu, ai e mori një shembull konkret sa i përket vlerës së euros këtë vit, në krahasim me vlerën e 100 eurove vitin e kaluar.
Sipas tij, vlera reale e 100 eurove në gushtin e vitit 2021 ka qenë rreth 90.8 euro, ndërsa në gushtin 2022 ka rënë në 80.3 euro.
“Për shembull, vlera reale e 100 eurove në gusht 2021 ka qenë rreth 90.8 euro, ndërsa në gusht 2022 ka rënë në 80.3 euro. E gjatë gjithë këtij viti, mesatarja e inflacionit është 11.2%. Kjo do të thotë se, nëse duam që ta ruajmë fuqinë blerëse, pagat duhet rritur për së paku 11.2%”, ka shkur Jakurti. /Buletini Ekonomik/