Policët, mësimdhënësit, mjekët, edukatorët, ambasadorët dhe zjarrfikësit janë disa nga pozitat që janë përfshirë në Projektligjin e ri për Paga për Sektorin Publik.
Duke filluar nga dita e enjte, ky Projektligj ka dalë në konsultim publik deri më 6 tetor.
Në dokumentin e publikuar, Zyra e Kryeministrit ka treguar arsyetimin se pse është dal në publik ky Projektligj.
“Situata aktuale sa u përket pagave që realizohen nga buxheti i shtetit ka krijuar një situatë komplekse për shtetin e Kosovës. Kjo situatë është si rezultat i një numri relativisht të lartë të akteve të veçanta ligjore dhe nënligjore, apo edhe vendimeve me të cilat rregullohen dhe përcaktohen niveli i pagave dhe kompensimeve”, thuhet në arsyetimin e konsultimit, shkruan Telegrafi.
“Sistemi aktual i pagave në sektorin publik është i fragmentuar dhe në këtë mënyrë vlerësohet se është edhe i paefektshëm, sepse nuk është i ndërtuar mbi parime Projektligji për Pagat ka për qëllim kryesor përcaktimin dhe rregullimin e sistemit të pagave dhe shpërblimeve për të gjithë të punësuarit që përfitojnë pagë nga buxheti i Kosovës. Nga kjo kategori e cila mbulohet me këtë projektligj përjashtohet vetëm Agjencia Kosovare e Inteligjencës, për arsye se ka natyrë tejet specifike të punës”, vijon Zyra e Kryeministrit.
Kjo zyre ka nxjerr edhe koeficientët e propozuar për të gjithë punëtorët shtetërorë, ku sipas tyre është propozuar që të jetë paga.
“Vlera monetare e koeficientit përcaktohet me ligjin vjetor të buxhetit. Përcaktimi i vlerës së koeficientit bëhet në pajtim me legjislacionin për menaxhimin e financave publike”, thuhet në nenin e 9 të Projektligjit që përcakton koeficientin e pagës, përcjell Telegrafi.
Raporti i koeficienteve është një me tetëmbëdhjetë, të shpërndarë në 111 nivele të koeficienteve. Koeficienti më i lartë është 18 që e ka Presidenti i vendit, pasuar nga kryetari i Gjykatës Kushtetuese me 17.5 dhe më pastaj vinë kryeministri dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës me 17.
Nëse miratohet ky Projektligj, atëherë një polic do të paguhet me koeficientin 4.5.
Për sa i përket arsimit, përveç pozitave drejtuese, pagë më të lartë pritet ta merr profesori i rregullt universitar me një koeficient prej 12.4, kurse në niveli para-universitar, mësimdhënësi i shkollës së mesme do ta ketë koeficientin prej 6, ndjekur nga ai i shkollës fillore prej 5.6 dhe edukatorët me koeficient 5.
Në shëndetësi, mjeku specialist do ta ketë koeficientin 12, pasuar nga mjeku i përgjithshëm me 7.4 dhe kryeinfermieri me koeficient prej 6.
Ambasadorët po ashtu do të janë ata që do të paguhen mjaftë lartë, me një koeficient prej 10.8.
Në fund, zjarrfikësit do të paguhen me një koeficient prej 7.2.
Ligji i cili ishte shpallur i pavlefshëm nga Gjykata Kushtetuese, pritej të rregullonte pagesën e të punësuarve që marrin rroga nga buxheti i shtetit.
Pra, Ligji rregullonte rritjen e pagave për 70 për qind të punëtorëve në sektorin publik, kurse 30 për qind e tyre mbetën jashtë. Por, punëtorë në sektorë të ndryshëm publikë, kishin shprehur pakënaqësitë lidhur me përcaktimet dhe përfshirjen e tyre në Ligj.