Projekti i ndërrimit të filtrave në termocentralin Kosova B pritet të fillojë zbatimin në vitin 2024. Kështu ka thënë Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes IPA III ndërmjet Kosovës dhe BE-së, në vlerë 64 milion euro. Projekti që ishte planifikuar të fillonte zbatimin me 2020 është shtyrë disa herë.
Ndryshe, zëvendëskryeministri Bislimi ka nënshkruar marrëveshje me ambasadorin e zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, për programin e parë financiar vjetor IPA III, në vlerë prej 63.96 milion euro, raporton Kosovo.Energy.
Bislimi ka njoftuar se numri i projekteve që janë realizuar në IPA II është i madh, pasi sipas tij, për çdo vit ka pasur një numër të madh të projekteve. Zëvendëskryeministri ka theksuar se projektet të cilat kanë përfunduar dhe kanë rezultuar me kursime, i kanë bartur në IPA 2021.
“Ndërkaq për projektet të cilat kanë përfunduar dhe kanë rezultuar me kursime, të njëjtat kursime i kemi bartur tutje në IPA 2021 në mënyrë që të sigurohemi që asnjë cent të granteve që vijnë nga BE të mos humbin. Duke pa rëndësinë që ka projekti i vendosjes së filtrave në Kosovën B, shumicën absolute të mjeteve të kursyera i kemi bartë tek projekti i filtrave për Kosovën B e cili pritet të fillojë me zbatim në vitin 2024” – shtoi ai.
Ndryshe, deri më tani, nisja e punëve për realizimin e projektit për ndërrimin e elektrofiltrave në termocentralin Kosova B është shtyrë disa herë, edhe pse ka kohë që është i rrumbullaksuar edhe financiarisht ky projekt.
Kronologjikisht, pak a shumë kështu janë shtyrë punët rreth nisjes së vendosjes së elektrofiltrave në TC Kosova B: Fillimisht ka qenë e planifikuar që të nisë puna më 2020, por është shtyrë për 2021 për shkak të COVID 19. Dhe sërish është shtyrë për shkak të pandemisë për ta riplanifikuar nisjen e punëve më 1 shkurt 2022, raporton Kosovo.Energy.
Pasi punimet ishin planifikuar të fillonin në shkurt të vitit 2022, ato ishin shtyer për të filluar në vitin 2023.
Tani nisja e këtyre punëve, të planifikuara të bëhen në vitin 2023, është shtyrë për dy vite, pra për vitin 2024.
Fondi prej 76,4 milionë eurosh, mjete të nevojshme për finalizimin e këtij projekti rivitalizues në Kosovën B është i siguruar nga BE-ja dhe nga KEK-u.