Pse po vonohet ligji i ri i sistemit të pagesave në Kosovë?

Mos hartimi i Ligjit të ri të Sistemit të Pagesave, i cili është paralajmëruar kohë më parë nga Banka Qendrore e Kosovës, po krijon probleme të njëpasnjëshme për qytetarët dhe bizneset në Kosovë.

Ky ligj tashmë besohet se është në grupe punuese, mirëpo arsyeja e vonesës së draftit përfundimtar, nuk është bërë e ditur ende.

Sipas paralajmërimeve, ky ligj pritet që fillimisht t’i eliminojë barrierat e IFJB-ve për të qenë të pavarura nga bankat komerciale, si dhe të decentralizojë funksionet e pagesave.

Reklama e sponzorizuar

Bashkim Zeqiri, shef ekzekutiv i kompanisë kosovare “Paysera Kosova” dhe nënpresident i Grupit Paysera, ka thënë për Buletinin Ekonomik se ky ligj i ri do t’i njoh edhe institucionet e tjera financiare në Kosovë si akterë në zhvillimin e pagesave, në krahasim me ligjin e vjetër, që aktualisht ua njeh këtë të drejtë vetëm bankave komerciale në vend.

Sipas tij, ligji në fjalë do të hapë mundësinë e caktimit të IBAN-it edhe në institucionet tjera dhe pritet të avancojë në përgjithësi pagesat në Kosovë.

Zeqiri shton tutje se përmes hapjes së këtyre mundësive, rrjedhimisht do të krijohen kushte të reja për t’u ulur edhe tarifat e pagesave dhe në të njëjtën kohë edhe të avancohet procesi i tyre.

“Ky ligj eliminon barrierat e IFJB-ve për të qenë të varur nga bankat dhe decentralizon funksionet e pagesave. Ky ligj hap rrugën dhe mundësinë e hapjes së bankave edhe në raport me zhvillimet e integrimeve të sistemeve më të avancuara globale”, thotë Zeqiri.

Gjithashtu, një funksion tjetër që pritet të realizohet përmes këtij ligji, është edhe termi i njohur si “open API”, i cili do të avancojë edhe integrimet instant dhe realizimet e pagesave jashtë orarit të punës së këtyre institucioneve dhe në vikende.

Po ashtu, vlerësohet se ky ligj do të jetë në harmoni edhe me Direktivën e Bashkimit Evropian, PSD2, të cilën e kanë zbatuar Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.

Bashkim Zeqiri shpreson se në një të ardhme të afërt Kosova do të avancojë më një ritëm më të shpejtë legjislacionin në fjalë, pasi vonesat e tilla, sipas tij, po paraqesin shumë pengesa sidomos në pjesën e pagesave dhe digjitalizimit të shërbimeve.

Kohë më parë, edhe zëdhënësi i Bankës Qendrore të Kosovë, Kushtrim Ahmeti, në një pronocim për media, kishte nënvizuar se ky dokument do të përfshinte Direktivën Evropiane për Shërbime të Pagesave (PSD2), Direktivën për Institucionet e Parave Elektronike, si dhe direktivën e BE-së “Për llogarinë e pagesës”.

Sipas tij, kjo direktivë, përtej nxitjes së mëtejshme të transparencës dhe konkurrencës nëpërmjet krijimit të procedurave të standardizuara për kalimin/këmbimin e llogarisë së një klienti nga njëra bankë në tjetrën, pritej të nxisë edhe përfshirjen financiare të popullsisë falë prezantimit të një llogarie me karakteristika bazike.

Kjo lloj llogarie do të mund të mbarte kosto minimale për personat që aktualisht nuk kanë qasje në llogaritë bankare.

“Paraprakisht, janë marrë masa, në diskutim me sektorin bankar, në lidhje me përfshirjen financiare dhe produktet bankare që ofrohen nga to. Informacioni i përfituar nga këto diskutime mund të ndihmojë BQK-në gjatë draftimit të ligjit për transpozimin e këtyre direktivave të BE-së, por edhe në lidhje me përcaktimin e komisioneve për instrumente dhe shërbimet, të cilat do të lidhen me këto “llogari bazike”, kishte thënë Ahmeti. /Buletini Ekonomik/