Pse u përfshi Kosova në krizë të madhe elektroenergjetike në pikun e verës?

Mehmet Gjata

Shumë indikatorë kanë “folur” qartë se Kosova s’do ketë rrymë të mjaftueshme edhe në verë, përkatësisht në muajin gusht, dhe në muajt në vazhdim, e sidomos në periudhën dimërore kur mungesa e energjisë elektrike do të shpërfaqet në përmasa edhe më tonditëse, por, megjithkëtë, nuk u ndërmorrë asnjë hap e veprim i vetëm për ta sfiduar krizën e rishfaqur energjetike në pikun e verës, as në muajt në vazhdim të këtij viti dhe atij që vjen.

Mehmet GJATA

Kaherë ka qenë e ditur se Kosova edhe sivjet do të ketë mungesë të rrymës dhe kjo mungesë do të ndihet në muajt e vjeshtës dhe sidomos në stinën e dimrit, kur shtohet ndjeshëm konsumi i energjisë elektrike në Kosovë, përkatësisht gjatë pikut dhe në rastet kur konsumi shkon deri në 1280-1300 megavatorë. Ky fakt është i ditur për të gjithë. Nuk ka qenë mbase plotësisht e qartë që kriza e madhe energjetike do të shpërfaqet edhe në pikun e verës, në muajin gusht, kur kosovarët shpenzojnë ndjeshëm më pak rrymë.

Ekspertët, por edhe njohësit e zhvillimeve elektroenergjetike në vend, duke i parë ecuritë energjetike në zingjirin që ka për obligim dhe detyrë të sigurojë rrymën për konsumin e Kosovës (KEK, KOSTT, KEDS dhe KESCO), në njëfarë mënyre e kanë pasur të pritshme edhe krizën e egër mu në muajin gusht. Sepse, për ta ka qenë fare i njohur orari me afatet konkrete të shkuarjes në remont të planifikuar të secilit bllok, dhe ashpërsimin e mungesës së rrymës nga shkuarja e njësive konkrete në remontim, sikundër që kanë qenë të njoftuar për krizën globale energjetike dhe për çmimet rekorde të një megavati në tregun aktual energjetik.

Reklama e sponzorizuar

Në njëfarë mënyre, nuk është ditur për ndërprerje të prodhimit për shkak të defekteve teknike (rrjedhje të ujit në kalldajë) te A3-shi, e ndoshta nuk është parashikuar saktësisht as thatësia e madhe që për pasojë ka pasur shterrjen deri në minimum të kaskadës së lumit Drin në Shqipëri, që për pasojë ka shtuar edhe pamundësinë e Shqipërisë për të rikthyer borxhin për energjië e deponuar në KESH.

Sidoqoftë, shumë indikatorë kanë “folur” qartë se Kosova s’do ketë rrymë të bollshme edhe në verë, përkatësisht në muajin gusht, dhe në muajt në vazhdim, e sidomos në periudhën dimërore kur mungesa e energjisë elektrike do të shpërfaqet në përmasa edhe më tonditëse, por, megjithkëtë, nuk u ndërmorrë asnjë hap e veprim i vetëm për ta sfiduar krizën e rishfaqur energjetike në pikun e verës, e as në muajt në vazhdim të këtij viti dhe atij që vjen.

Praktikisht, pos fjalëve “trimëruese”, apeleve dhe udhëzimeve të stërpërsëritura për domosdonë e kursimit të energjisë elektrike, dhe fare në fund kur reduktimet u ashpërsuan ndjeshëm pas dhënies së 41 milionë eurove plus nga Qeveria për të siguruar rrymë, që i bie për ta importuar atë edhe me çmime rekorde të shtrenjta, asgjë tjetër, asnjë hap e veprim i vetëm nuk është ndërmarrë nga autoritetet kompetente në tetë muajt që shkuan. Dhe, në këtë mënyrë, para zyrtarëve të pafuqishëm dhe të pavendosur për t’u përballur me krizën energjetike, që në gusht, pra goxha larg muajve të dimrit, u rishfaqën pasojat e rënda egërsisht, të provuara nga kosovarët në fund të vitit të kaluar dhe në fillim të këtij viti, kur edhe Kosovën, sikundër shumicën e vendeve të botës, e kishte kapluar kriza e ashpër energjetike, reduktimet e gjata dhe shpenzimi i qindra miliona eurove për ta importuar energjinë me çmime rekorde të shtrenjta.

Po e ripërsërisim se të gjithë, edhe autoritetet qeveritare, edhe punonjësit në KEK dhe vetë konsumatorët kosovarë, e kanë pasur të qartë tashmë e sa kohë më parë, se kapacitetet e blloqeve të stërvjetëruara, por akoma, kushtimisht, aktive në termocentralet e Kosovës (dy blloqet e Kosovës B dhe tri blloqet e Kosovës A- A3, A4 dhe A5), janë diku mbi 1, 000 megavatorë (saktësisht 1. 070 megavatorë), dhe që nuk premtojnë sigurinë e nevojshme për prodhim kontinuel për të furnizuar bollshëm konsumin tonë të energjisë elektrike.

Nuk ka qenë fare e panjohur pra se kapacitetet aktuale në termocentralet Kosova A, tashmë 60 vjet e vjetër dhe në Kosova B- me 40 vjetët e saj, e vjetëruar bukur shumë (B-ja, siç dihet, ka nisur prodhimin më 1979), duhet të remontohen patjetër, sikundër që është dashur të dihet se te stabilimentet e stërvjetëruara të termocentraleve mund të ndodhin edhe defekte teknike të papritura.

Ndërsa, për të zhvilluar punët e remontit dhe të riparimeve të defekteve teknike, po ashtu, ka qenë e ditur dhe e qartë se duhet kohë (ca ditë, javë dhe te remontet kapitale edhe ca muaj), dhe gjatë kësaj kohe nga blloqet që iu nënshtrohen remonteve të planifikuara, ose të paplanifikuara nuk do të ketë prodhim fare, asnjë megavatë-orë rrymë, siç ndodhi tani në muajin gusht, kur që nga 7 gushti nisën punët remontuese në bllokun B2 dhe ato për riparimin e A3-shit, që pa planifikuar, për shkaqe të defekteve teknike iu nënshtrua për disa ditë remontit.

Paraprakisht ishte paraparë remonti kapital edhe në A5-sh, i cili, praktikisht, edhe pse u bë një kohë e gjatë që kur është jashtë funksionit, ende nuk kanë filluar punët për remontin e parashikuar të tij. Për shkaqet e zvarritjes të këtyre punëve në A5, Buletini Ekonomik, këto ditë ka raportuar gjerësisht. Dhe në mungesë të energjisë elektrike nga B2 (260 megavatë-orë), nga A5 -150 megavatë-orë dhe nga A3 -130 megavatë-orë, ose gjithsej minus 540 megavatë-orë rrymë nga kapacitetet vendore, Kosovën në pik të verës e ka përfshirë kriza elektroenergjetike.

Në ditë me radhë dhe në pik të verës pra, nuk pati energji të mjaftueshme për konsumin kosovar, që është ndjeshëm më i vogël se në muajtë e acartë të dimrit. Në muajin gusht ndodhën restriksionet jo të pakta, bile goxha të ashpra. Është reduktim i madh që në gusht të ndalet furnizimi me energji elektrike për 2 orë dhe të kesh 6 orë, dhe 3 me rrymë dhe 3 pa të. Prandaj, nuk është shumë bindës kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kur të enjten, duke komentuar krizën energjetike tha se “aktualisht kjo situatë ka qenë e paimagjinueshme vitin e kaluar”.

Kanë qenë të njohura për kosovarët, siç u tha më lartë, edhe informacionet e risjella nga kryeministri se “Termocentrali ‘Kosova A’ i ka tri njësi të cilat janë 60 vjet të vjetra, ndërsa termocentrali ‘Kosova B’ i ka dy njësi që janë 40 vjet të vjetra, prandaj riparimet e nevojshme apo prishjet e paparashikueshme po e zvogëlojnë gjenerimin, po na e rrisin importin dhe kësisoj po na shtojnë reduktimet. Meqenëse ka shkuar deri në 1,000 euro në bursën energjetike ndërkombëtare çmimi për një megavat orë”.

Po kështu nuk është kurrfarë satisfaksioni se “situata është e rënduar në të gjithë Evropën”, siç e tha Kurti.

“Ka qenë e paimagjinueshme vitin e kaluar kjo situatë e sotme. Ne brengoseshim kur në muajin dhjetor shkoj në 500 euro për megavat në orë, ndërsa sot pa ardhur dimri, ka pasur raste kur një megavat ka shkuar deri në 1,000 euro”, ka shtuar ai, duke harruar se vrulli i çmimeve të ngritura të rrymës në tregun global ka nisur që nga viti i kaluar.

Ndërsa sivjet në shumë raste dhe shumë herë ai ka kaluar 500, 600 e 700 euro për megavatin.

“Situata është e rëndë në të gjithë kontinentin evropian, mirëpo ne po bëjmë më të mirën e mundshme dhe jam i bindur që do t’ia dalim”, përfundon Kurti të enjten pikëpamjet e tij për krizën.

Dihet se gjendja është e rëndë në të gjithë Evropën, por reduktime në përmasa që përjetuan kosovarët që nga gjysma e gushtit e deri më 1 shtator, nuk i provuan evropianët e tjerë. Dhe, ç’është më keq, Kosova prap do të ketë mungesë të rrymës dhe kjo mungesë do të ndihet në muajt në vijim dhe sidomos në stinën e dimrit, kur shtohet ndjeshëm konsumi i energjisë elektrike në Kosovë, përkatësisht gjatë pikut dhe në raste kur konsumi shkon edhe në 1250-1300 megavatorë.

Me fjalë të tjera, edhe në rrethanat e funksionimit thuaja ideal të stabilimenteve aktuale të të gjitha blloqeve të termocentraleve kosovare (hiç A5-shin që remonti kapital do t’i zgjatë disa muaj), do të mungojë rryma për shkak të rritjes së pritshme të konsumit të vendit.

Ndërkaq, në rast të ndodhjes së ndonjë të papriture eventuale, ndonjë defekti teknik të paparashikuar, që te termocentralet e stërvjetëruara mund të ndodhë në çdo çast, mungesat e energjisë elektrike bëhen ndjeshëm më të mëdha, shpërfaqen pasojat evidente të kësaj mungese, sikundër që shumëfishohen edhe vështirësitë rreth sigurimit (importit) të rrymës me çmime stratosferike.

Për të gjitha këto çështje, njohësit e zhvillimeve elektroenergjetike kanë alarmuar pareshtur. Që nga viti i kaluar, nga njohësit e rrethanave dhe ekspertët u tha dhe u shtrua nevoja për zgjidhje urgjente të problemit, i cili nëse përsëritet edhe në dimrin e pritshëm, do të jetë goxha i komplikuar dhe, gjithsesi, me pasoja trishtuese për Kosovën e varfër. Por, ç’është bërë në këtë ndërkohë, në radhë të parë nga institucionet përgjegjëse dhe vendimmarrëse, që mos të na zë me mungesa të mëdha të energjisë elektrike të ftohtit që jo rrallë di të jetë i pamshirshëm në këto vise? A është bërë diçka konkrete, së paku, aty ku ka paksa mundësi reale për ndërmarrjen e ndonjë veprimi më urgjent, siç është, bie fjala, kontraktimi tani i importit të ndonjë sasie të energjisë elektrike, kur çmimet janë ndjeshëm më të ulëta? Ose, nisja e punëve përgatitore për të siguruar dhe për të ngritur impiantet e deponimit të energjisë elektrike gjatë muajve të verës, kur kemi relativisht boll rrymë për ta ruajtur për kohën e acartë!

Ose, ç’është bërë në këta pesë muajt e parë të këtij viti për të nisur ndërtimin e ndonjë kapaciteti më të efektshëm të energjisë së rinovueshme, qoftë me erë, qoftë të energjisë solare, sado që tashmë janë goxha të njohura potencialet për energjinë e gjelbër, madje janë të identifikuara edhe vendet e mundshme për të ngritur këto kapacitete?

Për sa dihet, dhe për sa është bërë e njohur publikisht, thuaja asgjë nga këto çështje të shtruara nuk është bërë nga institucionet përgjegjëse dhe nga pushteti aktual, të obliguara dhe kompetente për ta siguruar rrymën e nevojshme për qytetarët e vendit. Fare në fillim, që me ardhjen në pushtet të Qeverisë Kurti, u tha goxha sigurt dhe u vendos në dokumentet dhe planifikimet zhvillimore rindërtimi i tërësishëm i termocentraleve Kosova A (tre blloqeve – A3, A4 dhe A5), që, siç, kalkulohej nuk do të kushtone edhe aq sa të mos mund ta përballonte Kosova e varfër. Dhe, mbase nga trysnia e kalimit më të shpejtë te energjia e ripërtëritshme, ashtu si u shpërfaq shpejt ky synim premtues për të pasur energji më shumë, u heshtë.

Qeveritarët, pra e harruan qymyrin, rezervat e pafundshme të këtij resursi që Kosova e ka edhe në sipërfaqe të tokës, ndërkohë bota, shtetet e fuqishme dhe më të zëshme anti-karbon, tani iu kanë rikthyer termocentraleve në bazë të thëngjillit.

Pra, nuk u ba asgjë për rindërtimin e Kosovës A, në kushte të reja teknologjike, dhe me impiante moderne dhe shumë të sofistikuara për ruajtje në nivel të lartë të ambientit nga ndotja. Po të nisej së realizuari ky vizion elektroenergjetik kur u bë publik ai, tani, së paku një apo dy blloqe do të ishin rindërtuar dhe Kosova do të kishte energji goxha të shtuar elektrike. Kështu, nuk kemi ende asnjë nismë për të pasur ndonjë kapacitet të ri fare në bazë të qymyrit, u hesht ndërtimi i tërësishëm i Kosovës A, por nuk kemi tani për tani, në këtë vit as edhe një kapacitet të vetëm të ri të energjisë së rinovueshme. Pse po vonohemi duhet ta thotë dikush. Dhe, sa më shumë të vonohemi, më shumë do t’ia zgjasim vetës. /Buletini Ekonomik/