Rezerva Federale në SHBA do të vazhdojë ta mbajë normën e interesit mbi 4 për qind

Banka Qendrore e Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të rrisë normën bazë të politikës së saj monetare në mbi 4 për qind dhe do ta mbajë atë në këtë nivel edhe përtej vitit 2023, në një përpjekje për të luftuar inflacionin e lartë.

Sondazhi i fundit, i kryer në partneritet me Iniciativën për Tregjet Globale në Shkollën e Biznesit Booth të Universitetit të Çikagos, tregon se Rezerva Federale është ende shumë larg planeve për të përfunduar fushatën e saj të shtrëngimit të politikës monetare.

Komiteti Federal i Tregut të Hapur i ka rritur normat e interesit këtë vit me ritmin më të shpejtë që nga viti 1981 dhe pritet që të vendosë për një rritje të tretë radhazi me 0.75 pikë përqindje ditën e mërkurë. Kjo lëvizje do të rriste intervalin e synuar, i cili ishte afër shifrës zero deri në mars, duke e ҫuar atë mes 3 për qind dhe 3.25 për qind.

Reklama e sponzorizuar

Gati 70 për qind e 44 ekonomistëve të anketuar në periudhën midis 13 dhe 15 shtatorit besojnë se norma e fondeve të FED gjatë këtij cikli shtrëngues do të arrijë nivelin më të lartë në shifrën midis 4 dhe 5 për qind.

Megjithëse FED zakonisht synon të ruajë një normë prej 2 për qind për indeksin e çmimeve të shpenzimeve personale për konsumin bazë, i cili nuk llogarit artikujt e paqëndrueshëm si ushqimet dhe energjia, banka monitoron gjithashtu nga afër indeksin e çmimeve të konsumit.

Inflacioni në SHBA u rrit papritur në gusht, me indikatorin bazë që pati një rritje me 0.6 për qind në harkun e një muaji, ose 6.3 për qind krahasuar me një vit më parë.

Rënia e presioneve të çmimeve, paqëndrueshmëria në tregun financiar dhe përkeqësimi i gjendjes së tregut të punës janë arsyet më të mundshme që do ta nxisnin FED për t’i dhënë fund fushatës së saj të politikave shtrënguese, por nuk parashikohet asnjë ulje e normës së fondeve të FED deri në vitin 2024, sipas 68 për qind të të anketuarve. Nga kjo shifër, një e katërta nuk parashikon që FED do të ulë normën bazë të politikës monetare deri në gjysmën e dytë të vitit 2024.