Kryeministri Albin Kurti, ka njoftuar edhe në Facebook, për masat që përfshihen në kuadër të Pakos për përballje me inflacionin.
Kurti ka thënë se do të ndajnë 150 milionë euro për këtë pako.
Sipas Kurtit, përmes subvencionimit të atyre që kursejnë energjinë do të përfitojnë të gjitha familjet, rreth 300 mijë sosh, kurse nga pagesat direkte do të përfitojnë rreth 600 mijë qytetarë.
“Në përkrahje të qytetarëve tanë, në muajt në vijim, do të ndajmë rreth 150 milionë euro për Pakon për Përballjen me Inflacion. Përmes subvencionimit të atyre që kursejnë energjinë do të përfitojnë të gjitha familjet e Republikës sonë, rreth 300 mijë sosh, kurse nga pagesat direkte do të përfitojnë rreth 600 mijë qytetarë”, ka shkruar Kurti.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë për media sot ka bërë publike një pako ndihmese për të përballuar inflacionin.
Kurti ka bërë me dije që qeveria do të subvencionojë ata që kursejnë energjinë elektrike. Nëse një qytetar kursen krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, qeveria do të subvencionojë dyfishin e shumës që është kursyer.
“Si qeveri mbetemi të përkushtuar për t’iu dalë në ndihmë qytetarëve. Prandaj sot po prezantojmë një pako të re, që ka për qëllim përkrahjen e qytetarëve për t’u përballur me krizën inflacionare. Do të subvencionojmë të gjithë ata që kursejnë energjinë elektrike. Ata që kursejnë në krahasim me vitin e kaluar periudhën e njëjtë, do të subvencionojmë dyfish atë që është kursyer”, ka thënë kryeministri.
Ai ka thënë se do të ndihmohen edhe pensionistët, ata me asistencë sociale, zyrtarët publik, punëtorët e ndërmarrjeve publike dhe sektori privat.
“Për pensionistët do të ndajmë shumë e njëhershme prej 100 euro. Familjet me asistencë sociale do ti mbështesim duke dyfishuar shumën e asistencës për një muaj. Për zyrtarët publik do të ndahet shtesa prej 50 eurove duke filluar nga shtatori. Kurse nga punëtorët në ndërmarrje publike do të ndajmë shumën e njëhershme në vlerë prej 100 euro”, shtoi ai.
Ai tha se gjendje e rënduar është edhe në sektorin privat. 80% janë të punësuar në sektorin privat.
“Do të mbështesim secilin biznes që i rrit pagat e punëtorëve. Subvencionojmë 50% të rritjes së pagës për punëtorë, maksimumi 100 euro për tre muajt e parë. Do të ndajmë shumën e njëhershme prej 100 eurove në nëntor edhe për studentët”, ka thënë Kurti.
Gjithashtu, ai ka prezantuar edhe një ndihmesë për bizneset të cilat janë prekur nga inflacioni dhe rritja e çmimit të materialeve ndërtimore.