Shqiptarët më 2020 shpenzuan 541 milionë euro për blerjen e pronave jashtë vendit

Shpenzimet e shqiptarëve për blerjen e pronave jashtë vendit po rriten me shpejtësi nga viti në vit.

Treguesi, veç të tjerash, është një pasqyrë e transferimeve të cash që është krijuar brenda vendit në mënyrë jo të ligjshme për blerjen e banesave jashtë vendit.

Në seksionin e llogarive kombëtare për Prodhimin Kombëtar Bruto (PKB), INSTAT raportoi se, në vitin 2020, shpenzimet e shqiptarëve rezidentë në Shqipëri për prona jashtë vendit arritën 65 miliardë lekë, ose 541 milionë euro, me një rënie 6% në krahasim me vitin 2019. Rënia duket se vjen për shkak të pandemisë Covid-19, kur e gjithë bota ishte nën kufizime të ashpra në lëvizje. Por me gjithë këto kufizime, shqiptarët arritën të nxjerrin një sasi të konsiderueshme fondesh jashtë vendit për blerjen e banesave, niveli më i lartë historik, duke përjashtuar vitin 2019.

Reklama e sponzorizuar

Blerjet e pronave jashtë vendit shënuan një nivel rekord në vitin 2019, me një rritje vjetore mbi 44%. Shpenzimet për prona jashtë vendit erdhën në rritje të vazhdueshme, sidomos pas vitit 2011. Ato ishin të ulëta deri në vitin 2007, por pas krizës së vitit 2008 u pa një rritje jo e zakontë e tyre.

Gjatë periudhës 2010-2020, shpenzimet e shqiptarëve për blerjen e pronave jashtë vendit arritën në 412 miliardë lekë ose rreth 3.4 miliardë euro me kursin aktual të këmbimit.

Nga 7 miliardë lekë shpenzime për prona jashtë vendit në vitin 2007, një vit më pas, më 2008 kjo vlerë u rrit më shumë se katërfish, në 32 miliardë lekë. Pas këtij viti shpenzimet për blerjen e pronave jashtë vendit u rriten me shpejtësi, sipas të dhënave zyrtare.

Gjatë periudhës 2008-2013, shpenzimet e shqiptarëve rezidentë në Shqipëri për prona jashtë vendit ishin 1,6 miliardë lekë euro. Në vitin 2013 pati një rënie të treguesit, ku shihet të jenë shpenzuar vetëm 11 miliardë lekë, ose tre herë më pak se më 2012.

Nga viti 1996 deri në vitin 2020, shpenzimet për prona jashtë vendit arritën në 497 miliardë lekë, ose rreth 4 miliardë euro.

Në Shqipëri dhe në Rajon, fenomeni i blerjes së pronave jashtë vendit nëpërmjet parave jo të ligjshme është mjaft i përhapur. Mungesa e alternativave për investim dhe prirja për të diversfikuar pasurinë ka bërë që shumë shtetas shqiptare të investojnë në prona jashtë.

Sipas Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2021, Shqipëria ka grumbulluar vetëm 35 pikë nga 100 pikë në total, duke u renditur në vendin e 110, si ndër vendet më të korruptuara nga 180 vende të marra në konsideratë. Shqipëria ka rënë 6 vende në një vit në renditjen globale

Ekspertë të pastrimit të parave pohojnë se, paratë e korrupsionit në Shqipëri që kanë pas zhytarë publik dhe shtetas të tjerë që zakonisht përdorin kanalet e investimeve në prona e depozita bankare jashtë vendit. Në të kundërt grupet e krimit të organizuar që ushtrojnë aktivitet jashtë vendit sjellin një pjesë të parave në vendin tonë. /Monitor.al/