Trusti në Kuvend për herë të dytë me nënshkrimet e qytetarëve

Krahas nevojës së madhe për mjete financiare të qytetarëve të Kosovës, të cilët po përballën me inflacionin më të madh që nga paslufta, edhe njëherë rikthehet në diskutim “saga” e tërheqjes së mjeteve të qytetarëve nga Trusti Pensional i Kosovës.

Për këtë ka folur iniciuesi i kësaj nisme, Adnan Jashari, si dhe njohës të ekonomisë, duke vlerësuar qeverinë si refuzuese të çdo gjëje dhe duke e parë ‘absurd’ barikadimin kundër të mazhorancës në Kuvend ndaj kësaj ideje.

Kujtojmë se në qershor të këtij viti, shumica aktuale parlamentare e cila përbëhet nga Lëvizja Vetëvendosje me aletë, kishte votuar kundër që të iu lejohej qytetarëve të vendit që të tërheqjen një pjesë të caktuar të kursimeve të tyre nga Trusti.

Reklama e sponzorizuar

Adnan Jashari, njëri nga iniciatorët e parë për të dërguar përpara këtë nismë në Kuvend, ka folur për Gazetën Metro, duke thënë se përpjekja e dytë për të kaluar kjo iniciativë, tanimë është në rrugë të mbarë.

Menjëherë pas dështimit të kalimit të këtij propozimi në Kuvend, Jashari mori mundin që ta dërgojë edhe njëherë në legjislativ këtë ide, por kësaj radhe duke shfrytëzuar mjete të tjera kushtetuese, pra me nënshkrimet e qytetarëve.

Jashari tregoj se për një kohë të shkurtë janë mbledhur mijëra nënshkrime, të cilat tashmë janë verifikuar sit ë rregullta nga organet përgjegjëse.

“Deri më tani janë konfirmuar nënshkrimet nga KQZ, mbi 17 mijë nënshkrime të qytetarëve që janë pro tërheqjes deri 30% të Trustit, janë në lista të votimit rrjedhimisht si të sakta” tha ai.

Ai shpjegojë edhe në detaje se si do të shkojë rrjedha e kësaj nisme tashmë pasi ka shkuar në Kuvend, dhe se në çfarë procedurash duhet të kalojë deri tek diskutimi i tij në Kuvend.

“Tash me fillimin e sesionit të ri të Kuvendit, Kryesia e Kuvendit e ka obligim që t’ia dërgoj si pyetje qeverisë Nismën Legjislative me nënshkrime të qytetarëve. Qeveria ka afat 30 ditë që të jap përgjigje që pastaj të shkohet me procedurat tjera në komision parlamentarë e më pas të procedohet për diskutim dhe votim në Kuvend”, u shpreh ai.

Nisma e kaluar ishte propozuar nga shumica e deputetëve nga opozita, e tani Jashari sheh një shpresë se tani kjo nismë legjislative, burimin e ka te qytetarët, dhe se për këtë arsye nuk do duhej të refuzohej nga shumica parlamentare.

“Unë shpresoj që kësaj radhe pasi Nisma Legjislative është direkt prej qytetarëve të Kosovës me nënshkrimet e tyre, deputetët ta kuptojnë rëndësinë e votimit të projektligjit dhe ligjit që lejon tërheqjen deri 30 % të kursimeve të qytetarëve”, u shpreh bartësi i kësaj nisme legjislative.

Ai thotë se shumë qytetarë janë të interesuar me fatin e kësaj ideje, pasi që gjendja e tyre është e pafavorshme ekonomikisht, pas krizave të një pas njëshme ekonomike dhe shëndetësore.

“Gjithashtu gjendja e rëndë ekonomike, e ka bërë të vetën. Çdo ditë me shkruajnë qytetarë të ndryshëm nga e gjithë Kosova, dhe më bëjnë pyetje vazhdimisht se kur do të votohet projektligji për Trustin. Ata tregojnë për gjendjen e rëndë në të cilën po kalojnë si shkak i çmimeve të larta dhe krizës ekonomike”, tha Jashari.

Sipas tij ideja e tërheqjeve e mjeteve të kursyera nga Trusti, shihet edhe si “shpresë” nga qytetarët, dhe se për këtë arsye edhe shumica parlamentare duhet të reflektoj.

“Dhe si të vetmen shpresë për kalim të kësaj krize e shohin tërheqjen e kursimeve të tyre nga Trusti. Prandaj nuk shoh arsye që kësaj radhe të ketë hezitim nga deputetët e Kuvendit që ta votojnë projektligjin në fjalë”, u shpreh ai.

Ideja e Trustit ka një “armik” të madh para saj

Në qershor ishte shumica parlamentare e cila udhëhiqet nga LVV dhe ‘satelitët’ e saj që pamundësuan që kjo nismë të realizohet.

Nga njohësit e ekonomisë, politikës, dhe nga vetë bartësi i kësaj ideje, shihet me “absurditet” barikadimi kundër i mazhorancës në Kuvend ndaj kësaj ideje.

Për njohësin e ekonomisë, profesor Mustafë Kadrijaj, i cili ka folur për Gazetë Metro ku ndër të tjera theksoi se kjo qeveri di vetëm të thotë jo.

“Kjo qeveri di vetëm të refuzojë dhe të paragjykojë dhe kjo po e ngulfatë ekonominë, merreni me mend të ishte realizu ideja e tërheqjes së mjeteve nga Trusti para, 4,5 muajsh, do të ishte lehtësi shumë më e madhe për faktin që, shumica e atyre që kanë kursime do të i kishin shfrytëzuar, dhe kjo do të ndihmonte edhe vet qeverinë”, u shpreh ai.

Për Adnan Jasharin, bartësin e kësaj nisme, qasja e ekzekutivit ndaj kësaj nisme është e “pakuptimtë”.

“Rezistenca e qeverisë ndaj kësaj nisme është e pakuptueshme duke e ditë që edhe qytetarët pa dallime politike janë pro kësaj nisme. Gjithashtu arsyeja e qeverisë se shumica kanë pak të hyra në trust ndërsa në anën tjetër, 50 euro nga pako për kalim të krizës i sheh si të mëdha, është absurditet i llojit të vet”, u shpreh ai.

E për politologun, Shkelzen Krivaqa, i cili foli për Gazetën Metro në lidhje me këtë temë, theksoi se, sa ma shumë para të ketë në qarkullim ekonomia e një vendi, aq më e “shëndetshme” është ajo.

“Sa më shumë para në qarkullim në ekonomi, aq më e shëndetshme është ekonomia, e pakuptimtë rezistenca e shumicës parlamentare për të mos e lejuar një gjë të tillë”, potencoi ai.

Krivaqa madje listoi arsye të tjera se se përse do duhej që të lejoheshin këto mjete të derdheshin në bruto produktin vendor të vendit.

“Jemi në kohën e vjeshtës njerëzit kanë nevojë për mjete financiare, të cilat iu duhen për gjëra të prekshme madje edhe egzistenciale, është kohë kur secila familje mesatare në vend, i bënë parapregaditjet për sezonën e dimrit, psh. blenë dru zjarri, tekstile për fëmijë në shkolla, dhe sigurim të gjërave elementare për pjesën më të vështirë të vitit, andaj këto mjete do duhej të lejoheshin që të futeshin në gjepin dhe ekonominë kosovare”, tha ai.

Profesor Kadrijaj jep një argument interesant se përse e gjithë kjo rezistencë e qeverisë kundër kësaj nisme ose ideje.

“Vetëm pse ideja vinte nga opozita, qeveria me kryeneqësi po e refuzon, dhe tani po tenton ta balancojë me kërkesat e sindikatave me këtë pakon prej 150 milionë euro të propozuar së fundi, zakonisht kryeneqësia vjen si rezultat i mungesës së argumenteve, i paditurisë, dhe kjo po rezulton në vazhdimësi nga kjo qeveri dhe nga kjo shumicë parlamentare e cila me mungesë të argumenteve ka kriju vetëm paragjykime”, theksoi ai.

Ekonomisti Kadrijaj tërhoqi një paralele interesante ndërmjet kësaj nisme legjislative, dhe asaj që ka propozuar qeveria javëve të fundit.

“Tani më e kanë kuptuar edhe opinioni publik dhe sindikatat, se kjo qeveri tani më nuk mund të mashtrojë, kjo qeveri nuk do të mund të arrijë qetësinë e sindikatave, aq më pak me këtë pakon 150 milionë euro”, tha ai.

Gjithashtu profesori i ekonomisë konkludoi se qeveria aktuale përveç që po tregohet “amatore”, sipas tij nuk dëshiron të qeverisë më shumë me vendin.

“Kjo qeveri po na tregon se është qeveri vetëm për këtë mandat, dhe nuk mund të marrë një mandat të dytë ose të tretë, kjo po rezulton me mungesë e politikave ekonomike, dhe kjo qeveri duhet ta përfundojë mandatin dhe të bindet se sa zor është me qeverisë, dhe me këtë rast ta sheh edhe votuesi i cili ka bërë një gabim, të cilin nuk e ka bërë asnjëherë më parë, gabimin o fjala për votimin kaq masiv të kësaj shumice paralamentare, e cila çdo ditë po i kthehet bomerang votuesit, ku çdo ditë po ngulfatet vet jeta e qytetarit”, u shpreh ai.

E titullari i kësaj nisme, Jashari, e sheh një dritë në fund të tunelit, pasi që kjo shumicë parlamentare di të thirret shpesh në emër të qytetarëve, zaten prej tyre e ka besimin me udhëheqë, dhe nuk do të pengojë përsëri që kjo të miratohet në Kuvendin e Kosovës.

“Prandaj nuk shoh arsye qe kësaj radhe te këtë hezitim nga deputetet e Kuvendit qe ta votojnë projektligjin ne fjale”, u shpreh Jashari.