Aktualisht, nga kapacitetet vendore gjenden në prodhim vetëm dy blloqet e termocentraleve Kosova B (B1 dhe B2), që kanë bashkarisht kapacitet në rrjet 520 megavatë. Nga burime të sigurta të Buletinit Ekonomik në Korporatën Elektroenergjetike të Kosovës mësohet se sasia e munguar nga prodhimi i Kosovës A, do të komenzohet nga rikthimi i borxhit nga KESH-i.
Buletini Ekonomik
Kosova prej sot sërish mbetet pa energji të bollshme elektrike nga kapacitetet vetanake. Pas ndërprerjes së prodhimit në bllokun A4 në ditët e para të këtij muaji, për shkak të remontit, siç theksojnë në KEK, të planifikuar dhe që do të zgjatë rreth 25 ditë, sot, nga ora 00:00 është ndërprerë prodhimi edhe në bllokun A3, po për shkak të nevojës së remontit.
Te blloku A3, siç dihet, një ndërprerje si rrjedhojë e defekteve teknike, rrjedhjes së ujit në kalldanë e kësaj njësie prodhuese, është bërë një remont disa ditësh, në fund të gushtit, pikërisht në ditët kur në remont të rregullt ishte edhe blloku B2 i Kosovës B.
Në këto ditë të fundit të gushtit, Kosovës i ka munguar një sasi jo e vogël e energjisë elektrike për nevojat e konsumit të Kosovës, dhe në mungesë të mundësive financiare për të importuar energji elektrike të shtrenjtë (ato ditë ka ndodhur që megavati në tregun ndërkombëtar të energjisë elektrike të shitet edhe 500-600 euro), janë aplikuar reduktime goxha të ashpra dhe jo shumë të pritshme për stinën e verës.
Tani në KEK, janë të bindur, se edhe përkundër mungesës së energjisë elektrike që kanë prodhuar të dy njësitë e Kosovës A (A3 dhe A4), që diku bashkarisht kanë gjeneruar 220-240 megavatë-orë rrymë, nuk do të ketë reduktime gjatë ditëve sa do të gjenden këto kapacitete në remont.
Në KEK, nëpërmjet një komunikate për medie, kanë theksuar se për të mbuluar mungesat e shkaktuara nga kjo ndërprerje, janë ndërmarrë masat e nevojshme që të evitohen reduktimet e energjisë elektrike, pa saktësuar se cilat janë ato masa, a do të importohet energjia e munguar apo do të rikthejë KESH-i një sasi të borxhit të akumuluar, e që tashmë në bazë të të dhënave të KEK-ut, deponimet e energjisë elektrike nga KEK-u në KESH, deri më tash në këta muajt e sivjetshëm, ka arritur në 150 mijë megavatë-orë.
Nga burime të sigurta të Buletinit Ekonomik në Korporatën Elektroenergjetike të Kosovës (KEK), mësohet se sasia e munguar nga prodhimi i Kosovës A do të kompenzohet nga rikthimi i borxhit nga KESH-i.
Tani, pas të reshurave të mëdha edhe në veriun e Shqipërsisë, ka nisur mbushja më e vrullshme e liqeneve akumuluese në Kaskadën e Drinit. Si rrjedhojë e prurjeve më të mëdha të ujit në akumulimet e Hidrocentralit të Fierzës, të Komanit dhe Vaut të Dejës, tashmë krijohen mundësitë për t’u mbështetur më shumë në rast të nevojave urgjente dhe të krizave, siç është kjo e shkaktuar nga remonti i A3-shit dhe A4-shit, dhe të presim edhe këmbim më të sigurtë të energjisë ndërmjet dy shteteve.
Mësohet, gjithashtu, se te blloku A3 i Kosovës A, ka qenë i domosdoshëm një remont disa ditor, më së shumti 4-5 ditësh, për të reahabilituar gypat të cilat, siç është konstatuar, kanë zënë të rrjedhin sërish. Këto punë rehabilituese teknike, mendohet që të përfunojnë për 4-5 ditë më së shumti. Ndërsa A4-shi, që nga fillimi i këtij muaji, siç thonë zyrtarët e KEK-ut, gjendet në remont të planifikuar, i cili do të zgjasë 25 ditë.
Aktualisht, pra, nga kapacitetet vendore gjenden në prodhim vetëm dy blloqet e termocentraleve Kosova B (B1 dhe B2), që kanë bashkarisht kapacitet mbi 600 megavatë në gjenerator, ndërsa në rrjet fuqia e tyre është 520 megavatë. Secili bllok, pra ka kapacitein në rrjet 260 megavatorë. Nëse kthehet brenda 4-5 ditësh në prodhim A3-shi, siç thonë zyrtarët e KEK-ut, atëherë prodhimit aktual prej 520 megavatësh të Kosovës B, do t’i shtohen edhe 110-120 megavatë të prodhuar nga A3-shi, që përafërsisht do të bëheshim 630-640 megavatë, plus rreth 160-170 megavatë nga kapacitetet e energjisë së ripërtëritshme (hidrocentralet e vogla të Kosovës dhe nga parqet e energjisë në bazë të erës në Shalë të Bajgorës dhe në Kitkë të Anamoravës).
Kjo sasi e energjisë elektrike, edhe pa prodhimin e A4-shit që do të jetë deri kah fundi i muajit në remontin e planifikuar, do të ishte thuaja e mjaftueshme për të plotësuar nevojat e konsumit të Kosovës në këto ditë në prag të ndërrimit të stinëve verë-vjeshtë. Ndërsa, për muajt e dimrit, kur nis të ftohtit dhe kur shtohet ndjeshëm konsumi i energjisë elektrike në Kosovë, do të jetë shumë më vështirë.
Alternativa më e sigurtë për ta zbutur mungesën e rrymës në muajt e dimrit mbetet këmbimi i energjisë elektrike me Shqipërinë, respektivisht kthimi i borxhit, aq sa është e mundshme nga KESH-i. Mirëpo, edhe domosdoja për të kursyer sa më shumë energjinë elektrike, gjithnjë aty ku është e mundur, sidomos te grupi i konsumatorëve të amvisërisë, do të ndihmonte goxha shumë në zbutjen e krizës energjetike.
Alternativa për të importuar rrymë në muajt e dimrit, për Kosovën e varfër, mbetet më shumë iluzion, për shkak se, siç është thënë shumë herë deri tani, priten çmimet e energjisë elektrike të shkojnë në stratosferë, një megavat-orë të shkojë ehe mbi 1 mijë euro. Me këto çmime dhe me këtë potencë të brishtë financiare, Kosova do të ketë mundësi të kufizuara që të sigurojë rrymë nga importi. Prandaj, është mirë që tani të mendohet shumë më seriozisht për alernativat e para, e sidomos te kursimi i rrymes në këta muaj.
Fundja, kursimin si alternativën më të favorshme dhe më të kapshme për ta zbutur krizën eventuale energjetike dimërore, tashmë e kanë paraparë edhe shumë shtete të botës, edhe sosh të fuqishme financiarisht. Edhe ne duhet të kursejmë aty ku është e mundshme, të zbatohen masat e parapara zyrtare për kursimin e rrymës dhe të mbështetemi sa më pak që është e mundshme në ngrohjen e shtëpive me rrymë. S’ka tjetër zgjidhje përderisa të mos ndërtohet edhe ndonjë kapacitet i ri prodhues qoftë nga thëngjilli, qoftë nga energjia e rinovueshme. /Buletini Ekonomik/