Në mledhjen e sotme të Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti është shqyrtuar mbikëqyrja e zbatimit të rekomandimeve të Kuvendit lidhur me auditimin e performancës të ndërmarrjes publike Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës (KOSTT).
Krahas të gjeturave, Arben Selimi nga Zyra e Kombëtare e Auditimit gjatë raportimit në Komision, ka thënë se KOSTT-i nuk ka zbatuar projektet me prioritet mbi 20 milionë euro, derisa sipas tij kjo kompani ka realizuar projekte të tjera.
Megjithatë ushtruesi i detyrës së kryeshefit të KOSTT, Sabri Musiqi ka pranuar të gjeturat e raportit të fundit nga ZKA-së për ndryshimin e listës së prioriteteve, me arsyetimin e kërkesave specifike.
Ndërsa, kryesuesi i Bordit të KOSTT, Jeton Mehmeti theksoi se janë të përkushtuar në përmbushjen dhe zbatimin e rekomandimeve që dalin nga auditori.
Mehmeti tha se disa të gjetura janë adresuar edhe në prokurori. Kryetari i Komisionit, Ferat Shala ka kritikuar KOSTT-in për veprimet.
Deputeti nga AAK-ja, Pal Lekaj ka kërkuar nga KOSTT që të gjitha të gjeturat të përmirësohen dhe adresohen. Lekaj ka kërkuar po ashtu përgjegjësi edhe për ngecjen e investimeve nëpër nën stacione. Një prej të gjeturave të tjera nga Auditori është avancimi dhe emërimi i disa zyrtarëve të KOSTT pa procedura konkurruese.