“Përveç shkallës së ulët të punësimit në Kosovë, 12.8 për qind e personave të punësuar punonin në vende pune të paqëndrueshme”, thuhet në Anketën e Fuqisë Punëtore për tremujorin e tretë 2021, të përgatitur nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK).
Punëtorët në punë të paqëndrueshme janë ose persona të vetëpunësuar pa punonjës, ose ata që punojnë pa pagesë në një biznes familjar. Këto dy grupe punëtorësh kanë gjasat më të ulta të kenë një marrëveshje formale pune në krahasim me punëtorët me pagesë dhe rrogë.
“Meshkujt kanë më shumë gjasa të mbajnë punë të tilla të paqëndrueshme (14.9 % e meshkujve të punësuar krahasuar me 6.8% të femrave të punësuara).
Shprehur në numra absolutë, 53,040 persona nga 414,704 të punësuar i përkasin kategorisë së punësimit të paqëndrueshëm.
“Të punësuarit në fusha profesionale kanë më pak gjasa të jenë të punësuar në punë të paqëndrueshme, si dhe personat me nivel të lartë arsimimi”, thuhet tutje në raport. /Buletini Ekonomik/