Edhe pse kufizimet e pandemisë janë lehtësuar dhe gjithnjë e më shumë kompani po kërkojnë që punonjësit e tyre të kthehen në zyrë me kohë të plotë, punët fleksibël dhe ato në distancë vazhdojnë të mbeten tepër të kërkuara nga punonjësit.
Sipas një sondazhi të Gallup në qershor të vitit 2022 me 8,090 punonjës nga SHBA, kërkimet në Google për “punë në distancë” kanë arritur një maksimum historik që nga nisja e pandemisë Covid-19 në fillim të vitit 2020, pasi 32% e njerëzve pohojnë se preferojnë një punë totalisht në distancë.
Megjithëse kërkesa për punë të tilla mbetet e lartë, numri i punëve në distancë ka filluar të bjerë: në korrik, rreth 17% e vendeve të lira të punës në SHBA të publikuara në LinkedIn, ishin punë në distancë, raporton Wall Street Journal. Por, në mars të vitit 2022, kjo shifër ishte afërsisht 20%.
Punët në distancë janë gjithashtu të vështira për t’u gjetur, pasi rreth 95% e punëve në distancë kanë disa specifika gjeografike, që mund të kenë të bëjnë me një rajon, shtet apo qytet të caktuar, sipas FlexJobs.
Sipas konceptit të një pune të vërtetë në distancë, njerëzit duhet të jenë në gjendje të punojnë “100% nga distanca, të jenë të pavarur për sa i përket vendndodhjes dhe, në shumë raste, të jenë gjithashtu të pavarur edhe për sa u përket zonave specifike kohore”, thotë për CNBC ekspertja e karrierës në FlexJobs, Toni Frana.
Ajo beson që këto punë do të bëhen edhe më të përhapura në muajt e ardhshëm, madje konkurrenca për to është duke u rritur, pasi një numër gjithnjë e më i madh kompanish po i kërkojnë punonjësve që të kthehen nëpër zyra.
Sipas dy ekspertëve të punës në distancë, nëse synoni të gjeni një punë të tillë e cila do t’ju mundësonte të punonit nga kudo në botë, këto aftësi mund t’ju ndihmojë që të dalloheni nga të tjerët:
- Komunikimi
Komunikimi është një aftësi që po kërkohet gjithandej, në çdo punë, pavarësisht se për çfarë pozicioni po aplikoni, por ajo është akoma më e rëndësishme në një punë në distancë, thotë Frana.
Kjo sepse ju me shumë mundësi do të duhet të punoni me njerëz në zona të ndryshme kohore dhe, rrallë herë do t’ju qëllojë që të jeni në të njëjtën dhomë me kolegët tuaj, kështu që do t’ju duhet të jeni proaktiv për t’i treguar ekipit tuaj se për çfarë po punoni dhe kur jeni në gjendje të ofroni ndihmën tuaj. Komunikimi efektiv dhe proaktiv mund të krijojë besim dhe të përmirësojë bashkëpunimin midis kolegëve që punojnë në distancë.
- Përvoja me platformat teknike të punës në distancë
Njohuritë lidhur me platformat e njohura në internet që përdoren nga kompanitë për të komunikuar dhe për të koordinuar punën do t’ju ndihmojnë shumë në kërkimet që do të bëni për punë në distancë, thotë ekspertja e karrierës në distancë, Kate Smith. Slack, Trello, Zoom, Notion dhe Google Workspace janë disa nga platformat më të njohura për punonjësit në distancë, shton ajo.
- Menaxhimi i kohës
Me punën në distancë vjen një “nivel i ri lirie”, thotë Smith – por ju gjithsesi duhet të jeni në gjendje të përmbushni pritshmëritë dhe afatet kohore, pa pasur një menaxher që ju mbikëqyr në mënyrë konstante.
Kompanitë u japin përparësi kandidatëve të cilët mund të menaxhojnë në mënyrë efektive kohën e tyre të punës, përgjegjësitë, si dhe ata që janë të aftë të informojnë anëtarët e ekipit për çdo ndryshim në oraret e tyre.
Frana rekomandon gjithashtu që të shtoni një seksion në CV-në tuaj me “përvojat e punës në distancë”, për të theksuar se keni punuar në një mjedis të ngjashëm edhe më parë. /CNBC/