Arra dhe Lajthia shpallen produkte strategjike në Kosovë

Të dielën në Therandë, ministri i Bujqësisë Faton Peci së bashku me përfaqësues të Shoqatës së Kultivuesve të Arrës dhe Lajthisë, shënuan “Ditën e Arrës”.

Ai thotë se përmes subvencioneve, është  rritur mbështetja për këtë kulturë, ndërsa synohet që përmes përkrahjes së vazhdueshme të rritet prodhimtaria vendore të të gjitha frutave arrore në përgjithësi.

Reklama e sponzorizuar

“Si arra ashtu edhe lajthia janë produkte strategjike për vendin tonë pasi që kultivimit të tyre i përshtaten kushtet klimatike dhe relievit që Kosova posedon, e në këtë mënyrë do të angazhohemi vazhdimisht që asnjë pëllëmbë e destinuar për këto kultura të mos mbetet e pa-mbjellur, qoftë përmes granteve apo subvencioneve”, shtoi ministri, përcjell Telegrafi.

Ministri i Bujqësisë thotë se kjo do të arrihet duke hartuar programe që favorizojnë bujqit meritorë pasi sipas tij këto kultura kanë përparësi edhe në tregun e jashtëm.

“Nga 15 hektarë të mbjelluara me arra, në plantacionin e Avni Gashit në vitin e tyre te katërt të mbjelljes, rendimenti ishte rreth 10 tonë”, ka treguar tutje Peci një histori suksesi.

“E duke parë këtë rezultat, përpos që do të arrijmë t’i plotësojmë nevojat e tregut vendor, poashtu do të kemi mundësi t’i eksportojmë, qoftë si lëndë të parë, ashtu edhe të përpunuara”, shton tutje ministri i Bujqësisë.