Kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat, Jusuf Azemi thotë se punëtorët e kompanive publiko-private janë të dënuar nga Qeveria, pasi të njëjtit nuk paguhen mjaftueshëm.
Sipas tij, Qeveria po thotë se po e rregullon çështjen sociale në sektorin privat, por në anën tjetër e njëjta i ka sanksionuar këta punëtorë.
“I kemi të dënuar punëtorët e sektorit privat për momentin aty ku ka në mënyrë direkte gisht Qeveria e Kosovës, dhe përderisa kjo trumbeton se po rregullon çështjen sociale të punëtorëve të sektorit privat të Kosovës, ju bëj me dije se pikërisht Qeveria e Kosovës i ka sanksionuar dhe i ka dënuar punëtorët e sektorit të kompanive publiko-private, ku këta punëtorët kryejnë shërbime kryesisht për ministri të ndryshme, kryejnë shërbime të pastrimit, shërbime të mirëmbajtjes së objekteve”, tha ai në ”Këndi i Debatit” në Tëvë 1.
Azemi shtoi se punëtorët që i mirëmbajnë zyret e kryeministrit Albin Kurti dhe ministrit, Hekuran Murati marrin pagë deri në 200 euro.
“Dhe sot zyret që i fshijnë të kryeministrit dhe ministrit Hekuran Murati, këta njerëz marrin pagë 180 eventualoisht 200 euro, kurse jashtë kompanive publiko-private, pjesa dërmuese e punëtorëve kanë kaluar shumën e mbi 400 euro”, potencoi ai.