Banka Botërore ia përmend Qeverisë Kurti mungesën e investimeve kapitale

Banka Botërore

Banka Botërore (BB) ka paraparë ngadalësim të rritjes reale të Bruto Prodhimit Vendor (GDP) në Kosovë për vitin 2022.

Sipas raportit të BB-së të publikuar për ekonominë në Evropë dhe Azi Qendrore, rritja ekonomike në vend pritet të jetë 3.1 për qind dhe kjo si pasojë e ngadalësimit të investimeve dhe konsumit privat.

Në raport, Banka Botërore përmend edhe mungesën e investimeve kapitale dhe një ngadalësim të sektorit të ndërtimit në Kosovë.

Reklama e sponzorizuar

“Nga ana tjetër, kjo u shoqërua me një rënie të investimeve kapitale dhe një ngadalësim në sektorin e ndërtimit”, thuhet në raportin e BB-së.

Sipas raportit të Thesarit të Kosovës, për 6 mujorin e parë të këtij viti, del se të gjitha mekanizmat e shtetit, duke përfshirë organizatat buxhetore të nivelit qendror e lokal, kanë dështuar në realizimin e zotimeve buxhetore në shpenzimet kapitale.

Qeveria e Kosovës me gjithë mekanizmat buxhetor të shtetit ka shpenzuar vetëm 11% të buxhetit të planifikuar për shpenzime kapitale. Nga gjithsej 727 milionë sa kanë qenë të planifikuara për periudhën 6 mujore të këtij viti, shteti ka realizuar vetëm 147 milionë euro në investime. /Buletini Ekonomik/