Kryediplomati i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, thotë se bankat qendrore janë të detyruara të vijnë në një linjë me rritjet e shpeshta të normës në SHBA, për të mbrojtur monedhat e tyre.
Rezerva Federale po udhëheq një vrull mbarëbotëror të rritjes së normave të interesit nga bankat qendrore, i cili rrezikon ta fusë botën në një recesion, tha kryediplomati i BE-së, teksa paralajmëroi se unioni nuk po lufton për të mbrojtur pozicionin e tij.
Josep Borrell, përfaqësuesi i lartë i bllokut me 27 vende anëtare, tha se bankat qendrore po detyroheshin që të ndiqnin rritjet e shpeshta të normës së interesit të Fed, për të parandaluar zhvlerësimin e monedhave të tyre kundrejt dollarit – duke krahasuar ndikimin e bankës qendrore amerikane me dominimin e Gjermanisë në politikën monetare të Europës përpara krijimit të euros.
“Të gjithë duhet të ndjekin rritjet e Fed, sepse përndryshe monedha e tyre do të zhvlerësohet,” tha Borrell përpara ambasadorëve të BE-së. “Të gjithë po nxitojnë për të rritur normat e interesit, kjo do të na fusë në një recesion botëror.”
Këto komente për Fed erdhën në një fjalim ku ai kritikoi BE-në se ka dështuar të dëgjojë vendet e tjera, por ka kërkuar të “eksportojë” modelin dhe standardet e saj të qeverisjes te të tjerët. Ai gjithashtu pranoi se blloku nuk arriti të parashikonte pushtimin e plotë të Ukrainës, pavarësisht paralajmërimeve nga Uashingtoni.
Fjalët e Borrell-it për politikën monetare të SHBA-së pasojnë paralajmërimin e Bankës Botërore muajin e kaluar se rritja e normave të interesit nga shumë banka qendrore mund të shkaktojë një rënie ekonomike globale në vitin 2023, pasi argumentoi se “niveli i sinkronizimit” nga bankat qendrore nuk ngjasonte me asgjë tjetër në pesë dekadat e fundit.
Paralajmërimet e tij vijnë pasi Banka Botërore dhe FMN kanë nisur një javë plot me takime të përbashkëta në Uashington, ku zyrtarët do të diskutojnë kërcënimet e shumta me të cilat po përballet ekonomia globale. Fondi pritet të ulë parashikimet ekonomike globale për të katërtin tremujor radhazi.
Fed po debaton nëse duhet të ndërmarrë një rritje të katërt radhazi të normës së interesit prej 0.75 pikë përqindjeje në mbledhjen e saj në nëntor, një lëvizje e cila do ta çonte normën e fondeve federale në 3.75 – 4 për qind. Për shkak të përballjes me një inflacion prej 10 për qind, Banka Qendrore Europiane ka rritur normën e saj të depozitave me 1.25 pikë përqindjeje në dy takimet e fundit të komitetit të politikave monetare dhe tregjet po vlerësojnë se do të ketë një rritje të mëtejshme prej 0.75 pikë përqindjeje më 27 tetor.
Zyrtarët e lartë të Fed kanë pranuar kohët e fundit në mënyrë më të drejtpërdrejtë se fushata e tyre për të shtrënguar politikën monetare, më agresivja që nga fillimi i viteve 1980, mund të sjellë pasoja që do të rrezikonin ekonomitë më të dobëta. Megjithatë, ata nënvizojnë se shqetësimi i tyre kryesor mbetet mbajtja nën kontroll e inflacionit të SHBA-së, duke nënkuptuar kështu se pasojat globale të planeve të tyre janë dytësore.
Lael Brainard, nënkryetare e Fed, tha të hënën se megjithëse banka qendrore e SHBA duhet të vazhdojë të rrisë normat, ajo duhet ta bëjë këtë “me një qëllim të caktuar dhe duke u bazuar te të dhënat” për shkak të “pasigurisë së madhe ekonomike dhe financiare globale”.
Ajo shtoi se Fed “merr parasysh nevojën e bankave të tjera qendrore për të rritur gjithashtu normat e interesit, forcimin e dollarit dhe dobësimin e kërkesës nga ekonomitë e tjera” dhe se likuiditeti i tregut financiar (lehtësia e blerjes dhe e shitjes së letrave me vlerë) është “paksa e brishtë”. Muajin e kaluar, ajo vuri në dukje rreziqet e tregjeve në zhvillim që kanë borxhe të larta, pasi kostot e huamarrjes po rriten me shpejtësi.
Pas takimit më të fundit të komitetit të politikave monetare të Fed në shtator, kryetari Jay Powell tha gjithashtu se banka qendrore ishte në “kontakt të rregullt” me bankat homologe në të gjithë botën. “Ne jemi shumë të vetëdijshëm për atë që po ndodh në ekonomitë e tjera në mbarë botën, për atë që do të thotë kjo për ne, si dhe anasjelltas,” shtoi ai./ FT