Banka Qendrore Europiane duhet të rrisë normat e interesit në vlera pozitive duke llogaritur edhe inflacionin, pavarësisht nga rreziqet për një recesion të mundshëm, tha shefi i bankës qendrore të Belgjikës për CNBC.
Rritja e normës bazë të depozitave të BQE-së në muajin shtetor, duke e çuar atë në shifrën 0.75%, nënkupton se normat janë ende në nivele negative në terma realë, tha Pierre Wunsch, guvernator i Bankës Kombëtare të Belgjikës. Normat “reale” të interesit përshtaten duke llogaritur edhe inflacionin, i cili arriti një rekord prej 10% në eurozonë gjatë muajit shtator dhe parashikohet të jetë mesatarisht 8.1% për këtë vit.
“Sipas skenarit tonë bazë, i cili tani është pak a shumë një recesion teknik në Europë, mendoj se do të duhet të shkojmë drejt normave pozitive në terma real,” tha Wunsch për CNBC.
Nuk dihet saktësisht se kur duhet të ndodhë kjo gjë apo sa do të duhet të jetë norma, pasi kjo do të varet nga ndikimi i ngadalësimit ekonomik tek inflacioni dhe te mënyra se si do të llogaritet norma reale, tha ai. Megjithatë, ai shtoi se norma bazë “me shumë mundësi” do të duhet të shkojë në mbi 2% deri në fund të vitit.
“Ne kemi pretenduar se ajo që ndodh në Europë është e ndryshme nga çfarë ndodh në Mbretërinë e Bashkuar apo në SHBA, por, në gjashtë muajt e fundit, drejtimi që kemi ndërmarrë në thelb nuk ka qenë edhe aq i ndryshëm. Pra, mendimi im është se norma do të shkojë në mbi 2%, dhe nuk do të habitesha nëse do të tejkalonte shifrën 3%,” tha Wunsch në Takimet Vjetore për vitin 2022 të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Grupit të Bankës Botërore në Uashington, D.C.
BQE rriti normat nga -0.5% në zero gjatë mbledhjes së korrikut, duke shënuar kështu rritjen e parë të normave në 11 vitet e fundit, pasi i kishte mbajtur ato në nivele negative që nga viti 2014.
Ekonomia e eurozonës pati një rritje në tremujorin e dytë dhe papunësia është në një nivel rekord të ulët, por shumë analistë parashikojnë se do të ketë një recesion, duke pasur parasysh kufizimet e furnizimeve me energji, rritjen e normave dhe inflacionin e lartë.
Rezerva Federale e SHBA-së, e cila duhet të balancojë veprimet e saj për të adresuar inflacionin e lartë, duke mos e futur vendin në një recesion të mundshëm, e ka çuar normën e fondeve federale në një interval prej 3% – 3.25%, shifrat më të larta që nga fillimi i vitit 2008. Zyrtarët kanë lënë të kuptohet vazhdimisht se normat do të rriten akoma më tepër.
Banka e Anglisë ka ndërmarrë gjithashtu një sërë rritjesh të normave të interesit dhe kryeekonomisti i saj tha të mërkurën se nevojitet një tjetër rritje “e konsiderueshme” në mbledhjen që do të mbahet më 3 nëntor. Aktualisht, banka po përpiqet të adresojë paqëndrueshmërinë e madhe në tregjet e Mbretërisë së Bashkuar përmes një programi emergjent të blerjes së obligacioneve, pasi qeveria shpalli një buxhet që ka nxitur shumë diskutime.
Edhe një rritje tjetër prej 75 pikësh bazë?
Duke folur për CNBC në Uashington, guvernatori i bankës qendrore austriake, Robert Holzmann, tha se politikëbërësit e BQE-së kishin ndërmarrë një vendim të ndërgjegjshëm për t’u përpjekur që të “bashkëpunojmë me tregun, të shprehim pikëpamjet tona dhe të jemi më të parashikueshëm”.
Ai vuri në dukje se rritja prej 75 pikësh bazë e BQE-së ishte e pritshme nga tregjet, madje edhe pritshmëritë për rritjen e radhës të normës në mbledhjen që do të mbahet më 27 tetor, janë të ngjashme.
“Përshtypja ime është se tregjet janë të sakta,” tha ai. “Duke folur me tregun, duke dëgjuar edhe nga tregu se çfarë ata presin nga takimi i radhës, mendoj se rritja e radhës do të jetë në të njëjtat nivele.”/CNBC/