Pavarësisht se ky vend krenohet me një ndër infrastrukturat më të mira të çiklizmit në botë, ai dallohet gjithashtu në mbarë botën për shkak të faktit që ka disa ndër rrugët më të mira edhe për automjetet.
Holanda zuri pozicionin më të lartë nga të gjitha vendet e Europës në Raportin Global të Konkurrueshmërisë 2019 të publikuar nga Forumi Ekonomik Botëror, studimi i fundit i bërë për cilësinë e rrugëve përpara goditjes së pandemisë COVID-19.
Rreth 12,987 drejtues biznesesh nga 139 ekonomi të ndryshme në mbarë botën u anketuan lidhur me cilësinë, përhapjen dhe gjendjen e rrugëve në vendet e tyre.
Të anketuarit duhej të vlerësonin infrastrukturën rrugore të vendeve të tyre në një shkallë nga 1 në 7, ku 1 ishte “jashtëzakonisht keq” dhe ndër më të këqijat në botë, dhe 7 ishte “jashtëzakonisht mirë” dhe ndër më të mirat në të gjithë botën.
Në Europë, sondazhi zbuloi se europianët perëndimorë kanë – ose mendojnë se kanë – infrastrukturën më të mirë rrugore në të gjithë kontinentin. Europianët lindorë, nga ana tjetër, kanë një pamje të përgjithshme më të zymtë për sa i përket cilësisë së rrugëve në vendet e tyre.
Holanda (6.4) zuri vendin e parë për cilësinë e rrugëve në Europë dhe u tejkalua vetëm nga Singapori (6.5) në rang global. Ajo ndiqet nga Zvicra (6.3), e cila është gjithashtu e treta në botë, Austria (6.0), Portugalia (6), Spanja (5.7) dhe Kroacia (5.6).
Në nivel global, vendi i katërt dhe i pestë për cilësinë më të mirë të infrastrukturës rrugore shkuan për Hong Kongun (6.1) dhe Japoninë (6.1).
Pesëshja e fundit në listën e Europës përbëhet nga Malta (3.3), e 106-ta në listën globale me 141 vende, Ukraina (3.0) në vendin e 114-të, Rumania (3.0) në vendin e 119-të, Bosnje dhe Hercegovina (2.8) në vendin e 121-të, ndërsa vendi i fundit zihet nga Moldavia (2.6), e renditur e 127-ta.
Rrugët më të këqija në botë, sipas drejtuesve të bizneseve të anketuar nga Forumi Ekonomik Botëror, ndodhen në Afrikë, në Karaibe dhe në Lindjen e Mesme. Konkretisht, ato ndodhen në Çad (1.9), në Mauritani (2.0), në Madagaskar (2.0), në Jemen (2.1), në Haiti (2.1) dhe në Republikën Demokratike të Kongos (2.1).
Cilësia e rrugëve në Europë
Grafiku i mëposhtëm i ndan vendet në grupe: ngjyra e gjelbër e hapur nënkupton një infrastrukturë më të mirë rrugore, ndërsa e kuqja e theksuar tregon infrastrukturën më të keqe.
Disa surpriza mund të vihen re nga një vështrim i shpejtë në hartë. Belgjika (4.4) mbetet prapa shumicës së fqinjëve të saj në Europën Perëndimore. Po kështu edhe Italia (4.4), Irlanda (4.4) dhe Islanda (4.1).
Në anën lindore të Europës, Greqia spikat me rezultatin 4.6, një shifër shumë e vogël krahasuar me vendin e parë, por që mbetet më e mirë se fqinjët e saj: Bullgaria (3.4), Maqedonia e Veriut (3.4) dhe Shqipëria (3.9).
Një tjetër rezultat pozitiv është ai i Turqisë (5.0) e cila pati një vlerësim më të mirë se disa vende perëndimore dhe nordike, të tilla si Norvegjia (4.5) dhe Mbretëria e Bashkuar (4.9).
Po për sa i përket rezultatit për sigurinë rrugore në Europë? A ka ai lidhje me cilësinë e infrastrukturës rrugore?
Në vitin 2020, aksidentet rrugore në vendet anëtare të BE-së morën rreth 18,800 jetë dhe lanë më shumë se gjysmë milioni njerëz të lënduar. Këto shifra mund t’ju duken si shumë të larta, por Europa mbetet kontinenti më i sigurt në botë për sigurinë rrugore.
Megjithatë, mund të vihen re disa pabarazi mes rezultateve të vendeve të ndryshme.
Duhet të theksojmë se disa nga vendet që kryesojnë listën me numrin më të ulët të vdekjeve për një milion banorë, si për shembull Holanda, Zvicra, Norvegjia, Danimarka dhe Finlanda, renditen gjithashtu shumë mirë në studimin e cilësisë së infrastrukturës rrugore nga Forumi Ekonomik Botëror.
Megjithatë, Kroacia, një nga vendet me cilësinë më të mirë të infrastrukturës rrugore, renditet ndër vendet me numër të lartë viktimash nga aksidentet rrugore, ashtu si dhe Portugalia.
Përgjithësisht në Europë, rrugët po bëhen më të sigurta. Kjo mund të vihet re nga rënia e numrit të aksidenteve që rezultojnë në lëndime ose vdekje nga viti 2010 në vitin 2020.
Vende si Norvegjia, për shembull, kanë reduktuar numrin e aksidenteve fatale me 46 për qind në dekadën e fundit, nga 43 në vitin 2010, në vetëm 18 në vitin 2020.
Italia gjithashtu ka bërë një përparim të mirë, duke e ulur numrin me 44 për qind, nga 70 aksidente që rezultuan me lëndime ose vdekje, në 40 të tilla. Këtu vlen të përmendet edhe Kroacia me rënien e saj prej 42 për qind, nga 99 në 58 aksidente me vdekje ose lëndime.
Në BE, numri i aksidenteve të rënda është ulur me 22 për qind, nga 67 në 42.
Për sa i përket viteve të ardhshme, BE-ja ka vendosur një kornizë të re të politikës për sigurinë rrugore, me synimin për të reduktuar me 50 për qind numrin e vdekjeve nga aksidentet rrugore deri në vitin 2030, dhe gjithashtu, për të ulur për herë të parë dëmtimet serioze që vijnë nga këto aksidente. /Euronews/