Çmimet e larta rrisin në vlerë tregtinë e jashtme në Shqipëri

Çmimet e larta po rrisin tregtinë e jashtme në Shqipëri. Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, eksportet në shtator arritën në 38.5 miliardë lekë, shifër kjo 16 për qind më e lartë se një vit më parë.

Edhe në harkun e nëntë muajve, vlera e mallrave të shitur jashtë është rritur duke kapur shifrën e mbi 366 miliardë lekëve, gati 38 për qind më shumë se në të njëjtin hark kohor të vitit të shkuar.

Fasonët, industria nxjerrëse dhe ajo automotive kanë dhënë kontributin kryesor në këtë ecuri pozitive, ndërsa eksportet e materialeve të ndërtimit dhe metaleve janë tkurrur me 1.3 për qind.

Reklama e sponzorizuar

Por edhe importet kanë shënuar rritje. Sipas INSTAT, vlera e mallrave të blerë në shtator arriti në 88 miliardë lekë, 27 për qind më tepër se në po të njëjtin muaj të një viti më parë.

E marrë si 9-mujor, vlera e mallrave të blerë në periudhën janar-shtator kapi shifrën e mbi 695 miliardë lekëve, 140 miliardë më shumë se në 2021-shin.

Materialet e ndërtimit, metalet, mineralet, lëndë djegëse, energjia, makineritë, por edhe ushqimet, pijet e duhani kanë qenë mallrat më të blerë nga jashtë në harkun e muajve janar-shtator.