Çmimet në qiell, masat qeveritare “me hapa të breshkës”

Mbledhja e Qeverisë së Kosovës

Që nga fillimi i këtij viti ishte evidente se stabilizim të çmimeve nuk pritej që të kishte në muajt në vazhdim. Përkundrazi, shpërthimi i çdoditshëm i çmimeve dhe ngritja e egër e tyre pa ndalë, ishin sinjale të mjaftueshme për urgjencë për të ndërmarrë ndonjë masë më të efektshme, që së paku do të zbuste krizën e çmimeve që thellohej vazhdimisht.

Mehmet GJATA

Njohësit e zhvillimeve ekonomike dhe të ecurive inflatore në Kosovë, konsiderojnë se janë të vonuara përtej çdo parashikimi masat institucionale për stabilizimin pak a shumë të çmimeve të të gjitha produkteve, e veçmas të prodhimeve bazike ushqimore.

Edhe Projektligji për vendosjen e çmimeve tavan për disa produkte esenciale dhe që kanë ndikim të drejtëpërdrejtë në mirëqenien e kosovarëve, i miratuar së fundi nga Qeveria e Kosovës, po konsiderohet i vonuar nga ekonomistët. Sipas tyre, një vendim i tillë do të duhej të merrej në dhjetorin e vitit të kaluar kur shkalla e inflacionit ishte akoma vetëm 7 për qind.

Reklama e sponzorizuar

Projektligji i miratuar në Qeveri parasheh caktim të çmimit tavan për drithërat, miellin e grurin, bukën, orizin, pastat, vajin ushqimor të lulediellit, qumështin, kripën e kuzhinës, vezët e pulës, mishin e pulës, sheqerin kristalor, produktet e higjienës personale dhe lëndët e drurit për djegie.

Gjithsesi janë të vonuara masat e paralajmëruara për stabilizimin e tregut. Që nga fillimi i këtij viti ishte evidente se stabilizim të çmimeve nuk pritej që të kishte në muajt në vazhdim. Përkundrazi, shpërthimi i çdoditshëm i çmimeve dhe ngritja e egër e tyre pa ndalë, ishin sinjale të mjaftueshme për urgjencë për të ndërmarrë ndonjë masë më të efektshme, që së paku do të zbuste krizën e çmimeve që thellohej vazhdimisht.

Si rrjedhojë, mund të themi se nuk pati ditë që nuk kishte ngritje çmimesh në Kosovë. Që nga fundi i vitit 2021, dhe fillimi i këtij viti, sidomos çmimet e produkteve bazë ushqimore, e veçmas të atyre të shportës, nga muaji në muaj, javë pas jave dhe nga dita në ditë kanë shënuar çmime atipike të “fryra” – të ngritura tej mase, dhe, gjithsesi, ndër më të lartat karshi fqinjve me potencë më të shquar ekonomike se në vendin tonë. Fitohej përshtypja se në ngritjen e çmimeve nga tregtarët kosovarë sikur kishte garë, kush më shumë dhe kush më vrullshëm do t’i ngritë ato. Dhe, në rrethanat kur politika e ecurisë së çmimeve ishte totalisht jashtë kontrollit institucional, gjithnjë në këtë garë çmimesh, ngadhënjyen tregtarët matrapazë, ata të pandershmit, që mezi prisnin të agojë dita e re për të bërë manipulime të reja të egra me çmimet, edhe ashtu enorme dhe më të lartat në rajon dhe përtej.

Ngritje çmimesh, edhe sosh të egra dhe të vrazhda nga tregtarët manipulantë, ka përditë, madje në përmasa tronditëse. Ende pa u bërë publike çmimet e ngritura pak ditë më herët, në marketet, supermarketet dhe shitoret e artikujve të shportës, vërshonin çmimet e reja të ngritura dhe me përqindje jo të vogël. Tani, tregtarët kosovarë, thuaja të gjithë, nuk i ngrisin më çmimet me nga 50 e më shumë për qind deri në qind për qind, siç ndodhi në fund të vitit të kaluar dhe në fillimin e këtij viti, por i ngrisin për çdo javë pra, ditë për ditë në përqindje më të vogël, por që brenda javës, pastaj, konsumatori i vëmendshëm veç kur e sheh çmimin e shumë produkteve, sidomos të atyre qenësore-ushqimore, të ngritur në qiell.

Ecuria e ngritjes së çmimeve, sidomos të atyre ushqimore, gjatë tërë muajve të shkuar të këtij viti ishte e vrullshme dhe jashtë kontrollit institucional. Praktikisht, ecuria e ngritjes së çmimeve të produkteve të konsumit të përditshëm tashmë ka kohë që është bërë i pandalshëm, sado që duket suksesiv. Edhe verës, edhe tani në ditët e para të vjeshtës, nuk ka ditë që konsumatorin kosovar të mos e pret befasia e pakëndshme e ngritjes së rrufeshme të çmimeve me të hyrë qoftë në shitore të vogla, në markete apo në megamarketet tona.

Pos produkteve bazike ushqimore ngritje çmimesh ka te të gjitha produktet dhe shërbimet e tjera të shumta. Çmimet e patundshmërive kanë shkuar në qiell. Kostoja e ndërtimeve në vend sivjet, ka shënuar rritje për rreth 20 për qind, krahasuar me vitin e kaluar. Çmimi i çimentos, është rritur tri herë. Sipas përfaqësuesve të kompanive për prodhimin e betonit, çmimi i çimentos ka lëvizur nga 82 euro për ton, sa ka qenë në janar të këtij viti, në afër 130 euro. Ndërsa dihet, se sa shumë përdoret betoni në ndërtimtarinë kosovare.

Nga ngritja e pandalshme e çmimeve në Kosovë, në fund të gushtit inflacioni ka arritur në në 13 për qind, krahasuar me 0.2 për qind sa ka qenë gushtin e vitit 2021, tregojnë të dhënat e ASK-së. Në maj, inflacioni ishte 12.5%, ndërkohë që në fund të prillit ishte 11.2 për qind.

Tani, ekonomistë të shumtë vlerësojnë që inflacioni mund të jetë shumë më i lartë se kaq. Prandaj, njohësit e zhvillimeve ekonomike i vlerësojnë të vonuara masat e institucioneve të Kosovës. Edison Jakurti, doktorant i ekonomisë, thotë për medie se Projektligji do të duhej të miratohej nga dhjetori i vitit të kaluar, kur shkalla e inflacionit ishte vetëm 7 për qind, e jo të pritet që të rriten çmimet e pastaj të vendoset për masa.

“Nëse flasim për vendosjen e çmimit tavan në momentin kur ke inflacion 7 për qind dhe vendos çmimin tavan në momentin kur ke inflacion rreth 13 për qind, është kontekst tjetër dhe ndikimi i çmimit tavan është krejt tjetër. Koha kur e vendos është esenciale”, ka thënë Jakurti.

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, që vlerësohet si njohës i mirë i zhvillimeve ekonomike, ka propozuar katër veprime të tjera që, sipas tij, do t’u ndihmonin qytetarëve në përballje me inflacionin.

“Indeksimi i pagave, subvencioneve në bujqësi, pensioneve dhe ndihmave sociale me normën e inflacionit; Rritja e pagës minimale në sektorin privat; Ulja e TVSH nga 18% në 8% për naftë dhe për disa produkte ushqimore që ende janë me 18% TVSH; Pezullimi i përkohshëm i akcizës në naftë”, ka thënë Hoti.

Po ashtu, ai ka thënë se Qeveria aktuale po e zvogëlon qarkullimin në ekonomi duke mos zbatuar qindra miliona euro investime kapitale.

“Kjo qeveri jo vetëm që nuk po ul tatimet, por po e zvogëlon qarkullimin në ekonomi edhe duke mos implementuar qindra miliona euro investime kapitale. Sikur të ishin futur në ekonomi qindra miliona euro përmes projekteve kapitale, krahas uljes së tatimeve, do të rritej kërkesa agregate dhe do të parandalohej thellimi i krizës”, shton ai.

“Të gjitha këto masa nuk paraqesin problem për deficitin buxhetor, pasi bilanci bankar i Qeverisë është rekord i lartë. Këto veprime mund të merren menjëherë dhe jam i sigurt se e kanë mbështetjen e të gjitha palëve”, përfundon Hoti.

Ide të ndryshme, ndër to edhe sosh të mençura, të urta, rreth përballjes me krizën ekonomike dhe atë të çmimeve të ngritura, qarkullojnë goxha shumë nga njohës të rrethanave dhe nga ekspertë të lëmive të caktuara. Shumë nga këto ide janë të respektueshme, të bazuara në përvojat e suksesshme të botës dhe të dëshmuara në praktikë. Dhe, këto ide i kanë të njohura edhe kabinetet përkatëse qeveritare. Prandaj, ato duhet shfrytëzuar në të mirë të zhvillimit të vendit, në të mirë të tejkalimit, apo së paku, të zbutjes së krizave aktuale.

Autoritetet kompetente nuk duhet të kenë kaq shumë ngurrime, hezitime, mëdyshje, mosbesim, për të jetësuar një ide të mirë dhe dobi-prurëse për vendin. As për ndërmarrjen e masave anti-krizë, as për t’i ndihmuar realisht bizneset e angazhuara në punë publike që të përballojnë çmimin e lartë të produkteve. Duhet thënë në fund se fare pak nga masat e paralajmëruara për t’i ndihmuar qytetarët me frenimin e ngritjes së çmimeve në përgjithësi, e në veçanti të ngritjes abuzive të tyre, kanë dhënë efekte në këtë kohë në tregjet e Kosovës dhe fare, ose aspak efekte konkrete nuk janë shënuar as në gusht, e as në shtator sa i përket stopimit të egërsimit të mëtejshëm të çmimeve në vend. Çmimet pra, vetëm sa janë ngritur, edhe me shifra marramendëse. Dhe, këtë ngritje çmimesh, sidomos të produkteve elementare ushqimore po e ndiejnë në supet e tyre qytetarët e Kosovës. Edhe më shumë, ata, të varfërit që janë numerikisht shumicë në këtë vend. Ata, tashmë mezi po e përmbyllin muajin me muaj. Ka rënë pa diskutim fuqia blerëse e kosovarëve në përgjithësi, e në veçanti e të skamurve, edhe për pasojë se në muajt e fundit të 2022-tës familjet kosovare pothuajse çdo produkt po e blejnë më shtrenjtë. /Buletini Ekonomik/