Evropa mund të përballet me një krizë akoma më të rëndë energjetike vitin e ardhshëm, pasi të mbarojnë rezervat e saj të gazit natyror që duhen për të kapërcyer të ftohtin e këtij dimri, tha të mërkurën kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, ndërkohë që BE-ja po kërkon mënyra për të lehtësuar krizën.
Vendet evropiane i kanë mbushur magazinat e tyre të gazit në rreth 90% të kapacitetit pasi Rusia ndërpreu furnizimet me gaz si përgjigje ndaj sanksioneve perëndimore që u vendosën për pushtimin e Ukrainës.
Çmimet e gazit, të cilat u rritën në muajt pas fillimit të pushtimit në shkurt, kanë pësuar rënie. Por, kjo rënie mund të jetë vetëm për një kohë të shkurtër, pasi të gjitha vendet po konkurrojnë për të blerë gaz natyror të lëngshëm dhe alternativa të tjera ndaj furnizimeve ruse.
Për të ndihmuar në përballimin e kësaj situate, Bashkimi Evropian po shqyrton vendosjen e një kufiri për çmimin e gazit, një çështje që e ka ndarë bllokun prej 27 vendesh, pasi disa shtete shqetësohen se një masë e tillë mund të vështirësojë sigurimin e furnizimeve.
“Me depozitat e gazit që janë mbushur në pothuajse deri 90% të kapaciteteve, Evropa do të jetë në gjendje t’i mbijetojë dimrit të ardhshëm me vetëm disa probleme anësore, për sa kohë që nuk ka ndonjë surprizë politike apo teknike,” tha Fatih Birol, drejtor ekzekutiv i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë me qendër në Paris.
Sfidat e vërteta me të cilat po përballet Evropa, e cila historikisht është mbështetur te Rusia për rreth 40% të furnizimeve të saj me gaz natyror, do të fillojnë në muajin shkurt ose mars, kur magazinat do të duhet të rimbushen pasi kërkesa e lartë gjatë dimrit do t’i ketë çuar ato në kapacitete prej 25%-30%.
“Ky dimër është i vështirë, por dimri i ardhshëm mund të jetë shumë i vështirë,” tha Birol për gazetarët në Finlandë.
Qeveritë evropiane kanë marrë masa për të mbrojtur konsumatorët nga ndikimi i çmimeve më të larta dhe, të mërkurën, Gjermania tha se do të subvencionojë faturat e energjisë vitin e ardhshëm duke paguar pothuajse 13 miliardë euro për tarifat e shfrytëzimit që do të aplikohen nga katër kompanitë e rrjeteve të transmetimit të tensionit të lartë.
Këto tarifa janë pjesë e faturave të energjisë elektrike, duke zënë rreth 10% të kostove të përgjithshme për klientët individë dhe një të tretën për kompanitë industriale në sektorë të tillë si çeliku apo kimikatet.
Ndërhyrja e Berlinit arrin t’i stabilizojë këto tarifa, të cilat në të kundërt do të ishin trefishuar, duke pasur parasysh çmimet e shitjes së energjisë dhe rritjen e kostove operacionale për kompanitë e rrjeteve të transmetimit të tensionit të lartë, tha ministri gjerman i ekonomisë, Robert Habeck.
Derisa shpërtheu lufta në Ukrainë në fund të shkurtit, gazsjellësi Nord Stream 1 në Detin Baltik që lidhte Rusinë me Gjermaninë, ishte një nga burimet kryesore për furnizimin me gaz të Europës Perëndimore.
Nord Stream 1 përbëhet nga dy linja të veçanta, ashtu si edhe Nord Stream 2, e cila ishte e mbushur me gaz, por nuk u lejua kurrë të dërgonte furnizime në Europë pasi Gjermania pezulloi autorizimin e këtij tubacioni pak kohë përpara se Rusia të pushtonte Ukrainën më 24 shkurt.
Tre nga katër linjat janë çaktivizuar për shkak të asaj që Perëndimi dhe Rusia thonë se ishte një sabotim që shkaktoi rrjedhje të mëdha dhe autoritetet daneze thanë se linjës së katërt po i ulej presioni të martën.
Sabotazh?
Presidenti Vladimir Putin fajësoi të premten Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre, akuza të cilat u hodhën poshtë nga Uashingtoni. Rusia ka dënuar ato që i quajti si teori “të pakuptimta” në Perëndim, sipas të cilave ajo i sabotoi vetë tubacionet në shpërthimet e javës së kaluar.
Kremlini tha të mërkurën se Rusia duhet të jetë pjesë e hetimeve për këto incidente, ndërsa një nga aleatët e Putinit tha se ata mbanin mend shumë mirë sulmet e mbështetura nga Agjencia Qendrore e Inteligjencës së SHBA-së në infrastrukturën e naftës në Nikaragua, në vitin 1983.
Shefja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, tha se vendet e BE-së duhet të rrisin mbrojtjen e infrastrukturës së tyre kritike duke kryer testet e stresit dhe duke përdorur mbikëqyrjen satelitore për të zbuluar kërcënimet e mundshme.
Ajo e mbajti këtë fjalë në Parlamentin Europian, përpara një takimi të liderëve të 27 vendeve të BE-së të premten në Pragë, ku ata do të debatojnë lidhur me planin për kufirin e çmimeve.
Detajet ende duhet të përpunohen, por kjo ide ka mbështetjen e shumicës së vendeve që e shohin atë si një mënyrë për të përballuar inflacionin. Megjithatë, ky plan ka hasur kundërshtime nga Gjermania, Danimarka dhe Holanda, të cilat pretendojnë se kufiri i çmimeve do ta bëjë më të vështirë sigurimin e furnizimeve.
Von der Leyen tha në fjalimin e saj se vendet duhet gjithashtu të fillojnë të blejnë bashkërisht gaz për të shmangur ofertat konkurruese të vendeve anëtare të BE kundër njëri-tjetrit në tregjet botërore, të cilat do të rrisnin akoma më tej çmimet.
Tensionet e mëparshme në tregun e gazit janë lehtësuar pasi kompania energjetike ruse Gazprom rifilloi të mërkurën eksportet e gazit në Itali nëpërmjet Austrisë, pas zgjidhjes së një problemi mbi garancitë që kishte sjellë pezullimin e furnizimeve gjatë fundjavës.
Megjithatë, zëvendëskryeministri Alexander Novak tha të mërkurën se Rusia mund të ulë prodhimin e naftës në mënyrë që të kompensojë efektet negative të kufizimeve të çmimeve të vendosura nga Perëndimi për shkak të veprimeve të Moskës në Ukrainë.
Plani i kufirit të çmimit, i dakordësuar nga Grupi i Shtatë vendeve të pasura, kërkon që vendet pjesëmarrëse të mos ofrojnë sigurimin, financat, ndërmjetësimin, navigimin dhe çdo shërbim tjetër për ngarkesat e naftës që kanë çmime mbi kufirin ende të pacaktuar për naftën e papërpunuar dhe produktet e saj.