Djali i kryetarit të Prizrenit, Shaqir Totaj, Adonisi është punësuar në Kompaninë Rajonale për Mbeturina “Ekoregjioni”sh.a. –Prizren.
Përmes një vendimi që ka siguruar GazetaBlic, bëhet e ditur se Adonis Totaj është zgjedhur kandidati fitues për pozitën, Kordinator i Kujdesit ndaj Klientëve në Ekoregjion.
Për këtë pozitë ishin tre kandidatë, por ai që triumfoi ishte Totaj me 70 pikë kështu duke lënë mbrapa, Berat Shalën me 54 pikë dhe Armend Pulajn me 50 pikë.
Sipas këtij dokumenti, të tre kandidatët i ishin nënshtruar vlerësimit të testit me shkrim.
Lidhur me këtë GazetaBlic ka tentuar të marrë një konfirmim edhe nga kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, por ky i fundit nuk ktheu përgjigjie.
Ndaj këtij lajmi ka reaguar edhe ish-drejtori i administratës në Prizren Ilir Baldedaj, ku thotë se ky vendim i publikuar sot është i shoqëruar me një varg gabimesh.
Baldedaj thotë me këtë punësim është shpërfaqur fytyra e vërtetë e pushtetit lokal.
Shkrimi i plotë pa ndërhyrje:
PËRHAJËR RIZREN PUNËSIMI I KRYETARIT TË KOMUNËS
Nuk do të ishte lajm kaq i rëndësishëm, sikur i sapo punësuari në Ekoregjion në pozitën Koordinator i Kujdesit ndaj Klientëve të mos ishte djali i Talentit prizrenas, përkatësisht kryetarit të Komunës së Prizrenit z. Shaqir Totaj. Duke mos u lëshuar në mangësitë e vendimit , që u bë publik sot, i cili vendim është i shoqëruar me një varg gabimesh, dua ta ndaj gëzimin familjar të kryetarit të Komunës së Prizrenit, që ka rehatuar të birin me punë. Mënyra e punësimit, poentimit dhe pozita që ka marri djali i talentit, rezulton se është një super talent, sepse të jesh koordinator me klientë, do të thotë të kesh njohe të mjaftueshme për hallet dhe brengat e qytetarëve. Apo ndoshta përmes këtij punësimi edhe një organizatë punuese do të jetë e kapur nga kryetari i Prizrenit, siç janë kapur shumë punime, që po kryhen në Prizren deri në atë masë sa të bllokohet asfalti, rruga kryesore dhe të groposet një pjesë e mirë e trotuarit. Kjo kapje, do të jetë edhe në formë e mbylljes së gojës së qytetarëve nëse mendojnë ta ngrisin zërit për problemet e pastërtisë në Prizren.
Urime Prizren, punësimi i djalit kryetarit, kjo është fytyra e vërtetë e pushtetit lokal, ku mijëra të rinj e qindra familje po vuajnë për kafshatën e gojës.