Ekonomia e Kosovës me qasje në det- Fillon zhdoganimi në Portin e Durrësit për mallrat që destinacion kanë Kosovën

Ministria e Financave ka njoftuar se që nga sot ka filluar zhdoganimi në Portin e Durrësit për të gjitha mallrat që ekportohen dhe importohen nga Kosova. Si rrjedhojë e kësaj, tashmë ekonomia e vendit do të ketë qasje edhe në portin detar të Durrësit, me ç’rast pritet që eksportet të shënojnë rritje në tregjet e tjera ndërkombëtare.

Sot ministri i Financave, Hekuran Murati, bashkë me ministren e Financave nga Republika e Shqipërisë, Delina Ibrahimaj, dhe Koordinatorin Ndërqeveritar Shqipëri-Kosovë, z. Gentian Sala, ishin në përurimin e kësaj ngjarje.

Zhdoganimi i mallrave në portet e Durrësit i mundëson ekonomisë së Kosovës që praktikisht të ketë qasje në det, duke lehtësuar kështu depërtimin e bizneseve vendore në tregjet ndërkombëtare, përcjell Buletini Ekonomik.

Reklama e sponzorizuar

Ministri Murati gjatë fjalimit të tij, tha se Dogana e Kosovës që nga viti 2019 ka qenë prezente në Portin e Durrësit, por ka bërë vetëm regjistrimin për hyrjen e mallrave që kanë pasur për destinacion Kosovën pa pasur ndonjë ndikim të theksuar në kursimin e kohës apo kostos.

Ai tha se me përkushtimin, vendosmërinë dhe punën e vazhdueshme të të dyja ekipeve tash, është arritur që fillimisht nga data 1 shtator të pilotohet zhdoganimi i maunave ose karburanteve dhe nga data 1 tetor edhe zhdoganimi i plotë i të gjitha mallrave që kanë për destinacion Kosovën.

Murati thekosi se kjo marrëveshje ia mundëson Kosovës qasjen në det dhe ia lehtëson qasjen për në tregje globale eksportit që është në trend të rritjes së vazhdueshme.

“Marrë parasysh kohën që kursehet por edhe koston që arrinë diku në 2 milionë euro për biznese që bëjnë tregti konsiderojmë që kjo është një arritje e jashtëzakonshme. Këtij procesi i shton vlerë edhe vendosja e kontrollit fito sanitar dhe veterinar përmes Agjencisë së Kosovës dhe Veterinës që janë vendosur këtu bashkë me Doganën e Kosovës”, tha ai.

“Operimi me pagesa dhe kosto minimale në terminalin që kemi hapur në Mitrovicë tashmë, në hapësirat e Trepçës, por edhe atij në Podujevë, si dhe me evitimin e tarifave për hyrjet në terminalet tjera për mallrat që vijnë përmes Portit të Durrësit, bizneseve po ju jetësohet kërkesa për t’i hequr shpenzimet e panevojshme në të bërit biznes”, ka shtuar tutje Murati.

Ministri Murati tha gjithashtu se hapi tjetër do të jetë edhe fillimi i zhdoganimit në terminalin Vërmicë-Morinë, në të cilin po punohet në rikthimin dhe zgjerimin e terminalit shtetëror dhe me të përfunduar punimet, të gjitha shkëmbimet mes dy vendeve do të bëhen në një kohë më të shkurtër dhe pa kosto.

“Grupet tona punuese po shikojnë mundësitë që të hiqen të gjitha barrierat dhe të gjitha burokracitë mes dy vendeve tona që të mos ketë më kurrfarë pengese doganore”, ka përfunduar Murati.

Ndryshe, në mbledhjen e fundit në mes të dy Qeverive, të mbajtur në qershor të këtij viti, është nënshkruar marrëveshja për analizimin e bashkimit të mundshëm doganor, i cili shënon integrimin tregtar në mes të dy ekonomive./Buletini Ekonomik/