Firma kërkimore: Mundësia për një recesion global është 98%

Sinjalet paralajmëruese po vënë në alarm të gjithë ekonominë globale, pasi inflacioni i lartë, rritja drastike e normave të interesit dhe lufta në Ukrainë po shkaktojnë shumë dëme.

Aktualisht ka 98.1% mundësi që të ndodhë një recesion global, sipas një modeli probabilitar të përgatitur nga Ned Davis Research.

Herët e vetme që ky model për vlerësimin e recesionit ka arritur vlera kaq të larta, kanë qenë rastet e rënieve të mëdha ekonomike. Rasti më i fundit ishte në vitin 2020, ndërsa tjetri gjatë krizës financiare globale të viteve 2008 dhe 2009.

Reklama e sponzorizuar

“Kjo tregon se rreziku për një recesion të rëndë global po rritet për vitin 2023,” shkruajtën ekonomistët e Ned Davis Research në një raport të publikuar të premten e kaluar.

Në një kohë kur bankat qendrore po shtojnë përpjekjet e tyre për të vënë nën kontroll inflacionin, ekonomistët dhe investitorët po bëhen gjithnjë e më pesimistë për perspektivën ekonomike.

Shtatë nga 10 ekonomistë të anketuar nga Forumi Ekonomik Botëror e konsiderojnë një recesion global si “disi të mundshëm”, sipas një raporti të publikuar të mërkurën. Ekonomistët rivlerësuan parashikimet e tyre për rritjen ekonomike dhe tani presin që pagat reale të vazhdojnë të bien përgjatë pjesës tjetër të këtij viti dhe vitit të ardhshëm.

Duke marrë në konsideratë rritjen e çmimeve të ushqimeve dhe të energjisë, ka shqetësime se kostoja e lartë e jetesës mund të sjellë trazira. Shtatëdhjetë e nëntë përqind e ekonomistëve të anketuar nga Forumi Ekonomik Botëror presin që rritja e çmimeve të shkaktojë trazira sociale në vendet me të ardhura të ulëta, krahasuar me një pritshmëri prej 20% në ekonomitë me të ardhura të larta.

Investitorët gjithashtu po shqetësohen gjithnjë e më shumë, pasi Dow Jones Industrial Average po tregon shenjat e një tregu ku vlera e aksioneve është në rënie të vazhdueshme, për herë të parë që nga marsi i vitit 2020.

“Skenari ynë kryesor është për një situatë të vështirë deri në fund të vitit 2023,” tha të mërkurën investitori miliarder Stanley Druckenmiller në samitin e investitorëve të CNBC, Delivering Alpha. “Do të habitesha nëse nuk do të kishim një recesion në vitin 2023.”

Edhe zyrtarët e Rezervës Federale kanë pranuar se ekziston një rrezik i madh për të pasur rënie ekonomike.

Megjithatë, vazhdon të ketë disa drita shprese, veçanërisht për Shtetet e Bashkuara, të cilat përbëjnë ekonominë më të madhe në botë.

Tregu i punës në SHBA mbetet në një ndër situatat më të mira historike, pasi shkalla e papunësisë është në nivelet më të ulëta që nga viti 1969. Konsumatorët vazhdojnë të shpenzojnë para dhe fitimet e korporatave mbeten në nivele të qëndrueshme.

Ka gjithashtu shpresë se inflacioni më i rëndë i 40 viteve të fundit në SHBA do të reduktohet në muajt e ardhshëm, pasi oferta do të barazohet me kërkesën.

Studiuesit e Ned Davis thanë se, megjithëse rreziqet e recesionit janë duke u rritur, modeli i probabilitetit për vlerësimin e një recesioni në SHBA është “ende në nivele të ulëta”.

“Ne nuk kemi prova bindëse se SHBA-ja është aktualisht në recesion”, shkruajtën studiuesit në raport. /CNN/