Fitimi neto i bankave iu ofrua 100 milionëshit në gusht

Gjithsej 97 milionë euro është profiti neto i bankave komerciale në Kosovë vetëm nga janari deri në fund të muajit gusht të këtij viti.

Në këto fitime enorme të tyre, kanë kontribuar në masë të lartë normat e larta të interesit në kredi, si dhe tarifat e larta të shërbimeve (të hyrat nga jo-interesi), përcjell Buletini Ekonomik.

Vetëm nga janari deri në muajin korrik të këtij viti, bankat që operojnë në vend kishin regjistruar fitim neto prej 83.3 milionë eurove, deri në qershor të njëjtat kishin arkëtuar në stoqet e tyre gjithsej 67.5 milionë euro profit neto, kurse vetëm deri në maj, fitimi i tyre ishte regjistruar në një shifër prej 56.4 milionëve. Pra, për vetëm një muaj operim (qershor-korrik), bankat në vend kanë arritur të shtojnë fitimet e tyre për 15.8 milionë euro, ndërsa balanca mes korrikut dhe gushtit ishte 13.7 milionë euro fitim.

Reklama e sponzorizuar

Sipas raportit të fundit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) për rrjedhën e sistemit financiar për muajin gusht të vitit 2022, të hyrat totale në këtë sektor deri në fund të muajit, ishin në vlerë të 240.1 milionë eurove, për dallim nga muaji korrik kur të njëjtat ishin në vlerë të 206.7 milionë eurove. Prej tyre, gjithsej 168.7 milionë ishin vetëm të hyra nga interesi. Të hyrat nga interesi në këtë sektor deri në muajin korrik të këtij viti, ishin në vlerë të 148.0 milionë eurove.

Shpenzimet totale të këtij sektori për këtë periudhë ishin 143.1 milionë, ndërsa shpenzimet për interes ishin vetëm 16.3 milionë euro, nga 16.0 milionë sa ishte vlera në korrik.

Ndërkohë, normat efektive të interesit mbetën pothuajse të njëjtat ashtu siç kanë qenë edhe në muajin korrik 2022, ku e përgjithshmja nga 6.1% sa ishte në korrik, ra në 6.0% në gusht. Norma e interesit për kreditë e dhëna për ekonomitë familjare në këtë periudhë ishte 5.9%, për ato konsumuese mbeti e njëjta poashtu me 6.3%, kurse ajo për kreditë për korporatat jofinanciare ra në 6.0% nga 6.2% sa ishte në muajin korrik.

Në anën tjetër, vlera totale e shumës së dhënë për kredi deri në muajin gusht të këtij vitit, arriti në 4 miliardë e 178.8 nga 4. 164.4 milionë euro sa ishte vlera në korrik. Prej gjithë kësaj shume, 1 miliardë e 561.9 milionë euro ishin kredi për ekonomitë familjare, 2 miliardë e 588.3 milionë tjerat për korporatat jo financiare, dhe 11.8 milionë euro për korporatat tjera financiare.

Kurse depozitat e qytetarëve të ruajtuara nëpër bankat komerciale në vend, në muajin gusht arritën në 5 miliardë e 206.1 milionë euro, nga 5 miliardë e 6.3 milionë sa ishte vlera e tyre në qershor.

Aktualisht, vlera totale e aseteve të sektorit bankar në vend, është 6 miliardë e 387.5 milionë euro.

Kujtojmë se tek në fund të vitit 2021, fitimi neto i këtyre institucioneve bankare në vend kishte shkuar mbi 100 milionë euro, duke e tejkaluar kështu mesataren disavjeçare që zakonisht ishte përmbyllur me nga 80 milionë euro, kurse sivjet profiti prej 100 milionëve besohet se do të arrihet gjatë shtatorit në bazë të kalkulimeve mujore të fitimeve të tyre. /Buletini Ekonomik/