Edhe pas deklaratës së sotme të Përfaqësueses së Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), Yan Sun kundër amnistisë fiskale në Shqipëri, kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla shprehu vendosmërinë e qeverisë për të miratuar këtë projektligj shumë të debatuar.
Në një konferencë për shtyp me ministren e Financave dhe Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Sun u shpreh se “projektligji për amnistinë fiskale mund të konsiderohet si një dëmtim për moralin tatimor”.
“Amnistia fiskale përfshin një falje të konsiderueshme të atyre që përfitojnë një heqje të interesave dhe penaliteteve, të cilat mund të japin një amnistim edhe nga ndjekja penale. Qeveria duhet të ndryshojë projektligjin e amnistisë fiskale në një program të vetë-deklarimit vullnetar. Por, që ta bëjë këtë gjë, duhet të ketë përmbushur disa parakushte. Që do të thotë një sistem modern të administratës tatimore dhe po kështu një sistem të përshtatshëm për zbatimin. Gjithashtu, administrata tatimore duhet të ketë dhe kompetenca të dëshmuara për publikun që ka një aftësi të besueshme për zbulimin”, tha përfaqësuesja e FMN-së.
“Nevoja për të pasur një sistem të tillë është për t’i dhënë besim publikut se evazorët fiskalë do të ndiqen dhe penalizohen. Një tjetër kusht është kuadri kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”, shtoi ajo.
Por pak pas deklaratës së përfaqësueses së FMN-së, deputeti socialist Taulant Balla tha se qeveria do ta kalojë këtë nismë ligjore, sepse është kërkesë e qytetarëve në Këshillimin Kombëtar.
“Na rezulton nga Këshillimi Kombëtar se më shumë se 2/3 e shqiptareve e mbështet këtë nismë, që synon kalimin e Shqipërisë në një fazë tjetër drejt formalizimit, pra është domosdoshmëri që na ndan nga tranzicioni që ishte i bashkëshoqëruar me informalitet”, deklaroi ai.
Kreu i grupit parlamentar të PS-së sqaroi se “ kemi qenë të qartë që përjashtohet çdo aktivitet kriminal dhe çdo person i ekspozuar, nga politikanët tek familjarët e personave me të shkuar kriminale”.
Balla shtoi se “e kanë bërë pothuajse çdo anëtar i BE-së, ne do ta miratojmë amnistinë fiskale. Çdo deputet duhet të kuptojë që kjo është gjë e mirë për të ardhmen e vendit”.
Sipas projektit, paratë e fituara me evazion fiskal, kontrabandë apo mashtrimit fiskal, mund të deklarohen, kundrejt një takse qe shkon 5 deri në 10 për qind të shumës.
Subjektet përfituese mund të deklarojnë deri në 2 milionë euro dhe më pas çlirohen nga frika e ndjekjes penale.