Gati 20 mijë euro më shtrenjtë, shkon në qiell çmimi banesave në Prishtinë

Fotografi ilustruese

Blerja e një banese në Prishtinë sivjet kushton shumë më shtrenjtë. Gazeta Express ka bërë një përllogaritje, sipas së cilës tash duhet të paguani gati 20 mijë euro më shumë se vjet për t’u bërë pronar i një të tillë. Pavarësisht shtrenjtimit, diaspora ka vazhduar të investojë në patundshmëri. Bazuar në të dhënat e BQK’së, nga janari në korrik, janë investuar 278 milionë euro në këtë sektor.

Çmimi i banesave në Kosovë është rritur jashtëzakonisht shumë këtë vit. Ndikim në këtë ka pasur lufta në Ukrainë, si pasojë e së cilës u rritën çmimet e materialeve ndërtimore deri në 60 për qind.

Nga Shoqata e Ndërtimtarëve të Kosovës kanë treguar çmimin mesatar për metër katror, me të cilin po shiten aktualisht banesat në Prishtinë.

Reklama e sponzorizuar

Kreu i kësaj shoqate, Faton Hoxha, i ka thënë Gazetës Express se çmimi për metër katror sillet rreth 1 mijë e 300 euro, që i bie rreth 300 euro më shtrenjtë sesa para një viti.

“Çmimi mesatar i banesave në Prishtinë është te 1300€/m2 dhe ka qenë para ngritjes së çmimeve rreth 980€/m2”, ka thënë Hoxha.

Me këto çmime, për të blerë një banesë me sipërfaqe 60 metër katrorë, më së liri kushton 78 mijë euro.

Para ngritjes së çmimeve, një të tillë mund ta blije me 20 mijë euro më pak.

Sipas Hoxhës, krahasuar me vitet paraprake, çmimet e materialeve ndërtimore janë rritur rreth 60 për qind.

Metalet ka thënë se janë shtrenjtuar për rreth 90 për qind, çimentoja me 105 përq ind dhe druri me rreth 70 për qind.

“Materialet bazë në ndërtim janë metalet, druri dhe qimento, këto janë materiale që tregtohen në berzë dhe përpunimi i tyre bëhet me energji elektrike, prandaj edhe çmimi i tyre është ngritur. Metalet janë me shtrenjtë për rreth 90%, krahasuar me dy vite më parë kur ka filluar ngritja, qimentoja me 105% kurse druri me rreth 70%. Pasi këto tri produkte bashkë me naftën janë bazë edhe për shumicën e materialeve tjera që përdoren në ndërtimtari mund të them se çmimet e materialeve janë rritur mesatarisht për 60%…”, ka deklaruar Hoxha.

Por, edhe me këto çmime, njohësit vlerësojnë se është më mirë të investohet tash në patundshmëri, meqë çmimet pritet të rriten edhe më shumë.

Një paralajmërim të tillë e ka dhënë eksperti financiar në Kosovë, Milazim Abazi.

Në një prononcim për Gazetën Express, Abazi ka deklaruar se s’pritet të ketë ulje të çmimeve të banesave për një kohë të gjatë.

“Marrë parasysh trendin e 23 viteve të fundit, çmimi i banesave dhe palujtshmërive vazhdimisht ka shënuar rritje e asnjëherë rënie, marrë parasysh trendin e rritjes së çmimeve të energjisë, transportit dhe inflacionin dyshifror, unë mendoj se nuk do të ketë ulje të çmimeve të banesave edhe për një kohë të gjatë, përkundrazi pritet rritje e çmimit të banesave edhe në të ardhmen”, ka deklaruar Abazi.

Nga rritja e çmimeve duket se s’janë ndikuar fort mërgimtarët, të cilët edhe sivjet kanë vazhduar të investojnë miliona në sektorin e patundshmërive.

Zëdhënësi i Bankës Qendrore të Kosovës, Kushtrim Ahmeti, i ka thënë Gazetës Express se nga janari deri në korrik në këtij viti, vlera e investimeve të huaja direkte në patundshmëri ka qenë 278.1 milionë euro.

Ndërkohë, vlera totale e investimeve ka qenë 402.9 milionë euro. Shtetet prej të cilave vijnë më së shumti këto investimeve vazhdojnë të mbeten Gjermania, Zvicra, Austria, Shqipëria, Turqia e SHBA’të,

“Shtetet prej nga më së shumti vijnë Investimet e Huaja Direkte në Kosovë janë: Gjermania, Zvicra, Austria, Shqipëria, Turqia, SHBA etj. Aktivitetet e patundshmërisë, aktivitetet financiare dhe të sigurimit, ndërtimtaria, xehetaria dhe guroret, pastaj furnizimi me energji elektrike dhe gaz avull, etj. Në periudhën Janar-Korrik 2022, vlera e IHD-ve në patundshmëri ishte 278.1 milionë euro. Në periudhën Janar-Korrik 2022, vlera e Investimeve të Huaja Direkte në Kosovë arriti në shumën prej 402.9 milionë euro”, ka deklaruar Ahmeti për Express.

Ndryshe, rritjen e çmimeve në përgjithësi të produkteve e ka shkaktuar fillimisht pandemia e koronavirusit, ndërsa hov të madh kjo rritje ka marrë pas nisjes së pushtimit të Ukrainës nga Rusia, në fund të shkurtit.

Sipas të dhënave të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në tremujorin e fundit të vitit 2021, materialet ndërtimore kanë shënuar rritje për mbi 20 për qind.