Kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka marrë vendim që tri centralet e fundit bërthamore të jenë funksionale deri në mesin e muajit prill të vitit të ardhshëm, pasi kriza e energjisë – e nxitur nga lufta e Rusisë në Ukrainë – është duke dëmtuar ekonominë.
Planet e Gjermanisë kanë qenë që të ndalë punimet në të tria centralet – Isar 2, Neckarwestheim 2 dhe Emsland – në fund të këtij viti.
Gjermania siguron 6 për qind të energjisë elektrike përmes këtyre centraleve.
Vendimi për mbylljen e tyre është marrë nga ish-kancelarja gjermane, Angela Merkel, pas katastrofës bërthamore në Fukushima më 2011.
Mirëpo tani çmimet e gazit janë rritur dukshëm prej nisjes së luftës në Ukrainë.
Rusia ka zvogëluar në sasi të konsiderueshme eksportet e naftës dhe gazit drejt Bashkimit Evropian.
Perëndimi beson se Rusia është duke përdorur energjinë si armë, pas vënies së sanksioneve të ashpra ndaj Moskës, për nisje të luftës.
Meqë Gjermania është shumë e varur nga energjia ruse, autoritetet kanë ndryshuar strategjitë për të siguruar rezervat për dimër.
Vitin e kaluar, Gjermania ka siguruar 55 për qind të gazit që i duhet, nga Rusia, mirëpo kjo shifër ka zbritur në 35 për qind gjatë verës dhe ka synime për ulje të mëtutjeshme.
Përveç vazhdimit të punës të centralet bërthamore, autoritetet gjermane kanë marrë vendim për të rikthyer në jetë termocentralet me thëngjill, ndonëse plani ka qenë që e gjithë energjia të zëvendësohet me energji efiçiente.
Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt.
Presidenti rus, Vladimir Putin, e konsideron luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.
Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre. /REL/