Guvernatori i BQK: Sektori bankar në Kosovë është në pozicion të fortë

Masat e kujdesshme të ndërmarra nga BQK-ja në bashkëpunim me institucionet financiare që operojnë në Kosovë janë treguar shumë efektive në ruajtje të stabilitetit financiar dhe minimizimit të pasojave për ekonominë e vendit në përgjithësi.

Si rezultat i këtyre masave, sektori bankar arriti ta ruajë shkallën e lartë të qëndrueshmërisë ndaj ndikimit të krizës dhe të përballojë shumë mirë sfidat dhe implikimet e pandemisë dhe të luajë rol të rëndësishëm në rimëkëmbjen e ekonomisë nëpërmjet kreditimit të vazhdueshëm dhe ofrimit të masave lehtësuese për kredimarrësit

Kriza inflacioniste e ka gjetur sektorin bankar në kushte të mira dhe të aftë për të përthithur goditje të mundshme. Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, thotë për “Monitor” se sektori bankar është në pozicion shumë të fortë, duke pasur parasysh nivelet e larta të kapitalit, likuiditetit dhe cilësisë së mirë të aktiveve.

Reklama e sponzorizuar

Megjithatë, Mehmeti thotë se rreziku i kredisë mbetet kryesori në sektorin bankar dhe cilësia e portofolit duhet të menaxhohet me kujdes.

Sipas tij, përparësi e BQK-së do të jetë që bankat të vazhdojnë ta ruajnë shkallën e lartë të qëndrueshmërisë, sidomos duke u përqendruar në vlerësimin e praktikave të menaxhimit të rrezikut kreditor, mbajtja e shumave të përshtatshme të provigjioneve për humbjet nga kreditë dhe menaxhimit të kredive me vonesa.

Intervistë me Guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti

 

Si e vlerësoni ecurinë e sektorit bankar në Kosovë në vitin 2021 dhe në pjesën e parë të këtij viti?

Kosova ka arritur të ndërtojë një sistem financiar të shëndoshë, i cili, jo vetëm se u dëshmua i aftë ta përballojë një mjedis shumë të pafavorshëm ekonomik në vitin 2020, por edhe të marrë rol shumë të rëndësishëm në mbështetjen e ekonomisë për ta përballuar krizën me pasoja sa më të vogla që ishte e mundur.

Përkundër rreziqeve të rritura, si pasojë e vështirësive ekonomike që kanë trashëguar bizneset nga periudha e pandemisë, sektori bankar ka vazhduar të rrisë kreditimin dhe të ruajë shkallën e qëndrueshmërisë.

Deri në muajin dhjetor 2021, vlera e kredive të reja të lëshuara nga sektori bankar ishte mbi 1.8 miliardë euro, kurse vlera e përgjithshme e kredive aktive në sektorin bankar deri në dhjetor 2021, ishte 3.7 miliardë euro.

Gjithsej mjetet e sektorit bankar kanë vazhduar trendin e rritjes edhe në vitin 2021, duke arritur vlerën prej 5.95 miliardë eurosh në dhjetor, apo një rritje vjetore prej 15.5%. Sektori bankar vazhdon të gëzojë besim të lartë te publiku, i cili është i shprehur edhe në rritjen e vazhdueshme të depozitave.

Në dhjetor të vitit të kaluar, vlera e përgjithshme e depozitave ishte rreth 4.90 miliardë euro, apo një rritje prej 12.4% në krahasim me vitin 2020.

Rritja e depozitave diktohet kryesisht nga depozitat e ekonomive familjare në vlerë prej 3.36 miliardë eurosh, përcjellë nga korporatat jofinanciare me vlerë prej 987.1 milionë eurosh dhe korporatat e tjera financiare, në vlerë prej 196.8 milionë eurosh.

Norma mesatare e interesit në kredi në dhjetor 2021, shënoi 5.8%, që është më e ulët krahasuar me normën prej 6.0% e regjistruar në dhjetorin e vitit 2020. Treguesit e shëndetit financiar për sektorin bankar vazhduan të tregojnë nivel të lartë të qëndrueshmërisë në të gjitha aspektet.

Vlen të theksohet posaçërisht cilësia e mirë e portofolit kreditor me një normë të kredive joperformuese prej vetëm 2.4% në dhjetor të vitit 2021, ndërsa në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar (2020), norma e kredive joperformuese ishte 3.0%.

Cilat do të nënvizonit si zhvillimet më të rëndësishme për bankat që operojnë në Kosovë?

Sistemi financiar vazhdoi trendin pozitiv të rritjes, mirëpo me një ritëm dukshëm më të ngadaltë krahasuar me periudhën paraprake.

Dinamikat në sistemin financiar në tremujorin e parë të vitit 2022 u përcaktuan kryesisht nga ngadalësimi i rritjes së depozitave, ndërkohë që kreditimi shënoi rritje të theksuar. Në fund të marsit 2022, asetet e sistemit financiar arritën vlerën prej 8.80 miliardë eurosh, që paraqet një rritje vjetore prej 9.1% (12.4% një vit më parë).

Në përgjithësi, sektori bankar vazhdon të operojë në një ambient me nivel të ulët të kredive me probleme, likuiditet optimal dhe është mirë i kapitalizuar. Sektori bankar në këtë periudhë shënoi rritje të theksuar të kreditimit, mbështetur nga rritja e kërkesës për kredi, financuar përmes depozitave.

Rritja e aseteve të sektorit bankar u ngadalësua, pas tri vitesh të rritjes së përshpejtuar, duke reflektuar kryesisht ecurinë e arkëtimeve të depozitave. Në mars 2022, gjithsej asetet e sektorit bankar arritën vlerën në 5.82 miliardë euro, që paraqet rritje vjetore prej 6.9%.

Struktura e aseteve vazhdon të mbetet e ngjashme me vitet paraprake, ku kreditë që kanë peshën më të madhe në kuadër të aseteve (67.5%), pasuar nga ajo e parasë së gatshme (12.2%), letrave me vlerë (10.5%) dhe mjeteve të mbajtura në bankat tjera komerciale (6.7%) e që kryesisht janë jashtë vendit.

Cili është ndikimi aktual dhe ai i pritshëm i inflacionit të lartë dhe rritjes së normave të interesit në aktivitetin e sektorit bankar në Kosovë?

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës është duke përcjellë me vëmendje të gjitha zhvillimet ekonomike në Europë dhe është në koordinim të plotë me Bankën Qendrore Europiane dhe bankat qendrore të vendeve anëtare të BE-së dhe jo vetëm.

Bazuar në Anketën e Kreditimit Bankar, bankat deklaruan që si pasojë e rritjes së çmimeve në vend, në tremujorin e parë, nuk ka pasur ndryshim të ofertës kreditore, ndërsa kërkesa kreditore kishte rritje në masë të vogël.

Megjithatë, sa i përket ofertës kreditore, pothuajse të gjitha bankat nuk e përjashtuan mundësinë e përshtatjes së standardeve kreditore dhe kushteve të ofruara për kredi në tremujorët në vazhdim, nëse vazhdon rritja e çmimeve. Kushtet që mund të ndikohen nga rritja e çmimeve, janë rritja e normës së interesit, si dhe reduktimi i financimit të sektorëve më të ndikuar.

Për më tepër, një nga bankat deklaroi se tashmë i kanë ndryshuar politikat e bankës mbi raportin e borxhit ndaj të ardhurave për klientët me të ardhura më të ulëta. Në anën tjetër, kërkesa për kredi gjatë këtij tremujori kishte rritje veçanërisht nga ndërmarrjet për blerjen apo parapagimin e kapitalit punues, me qëllim të rezervimit të çmimit.

Ngjashëm, bankat presin që rritja e kërkesës të vazhdojë, megjithatë ritmi i rritjes së saj përcillet me pasiguri.

Nga përgjigjet e bankave gjithashtu vërehet më shumë pasiguri sa i përket kërkesës për kredi nga ekonomitë familjare, bazuar në ndryshimet në pritje, ku një pjesë e bankave presin kërkesë të shtuar për kredi konsumuese, e njëkohësisht ka banka që presin shtyrje të kërkesës për kredi deri në një periudhë të stabilizimit të çmimeve në treg.

Tashmë shumica e bankave në Kosovë kanë rritur edhe normat e interesit për kredi. Si e shihni ju këtë lëvizje? A ka qenë e domosdoshme të ndodhë kjo, dhe çfarë ndikimi do të ketë te qytetarët?

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës nuk ka kompetenca të politikës monetare, andaj normat e interesit përcaktohen nga dinamikat globale në normat e interesit, si dhe nga faktorë tjerë të shumtë në tregun e brendshëm.

Për kreditë ekzistuese, shumica e të cilave janë me norma fikse, nuk ndryshon kosto/interesi/kësti; ndërkaq për kreditë me norma variabile të interesit, mund të ndryshojë norma e interesit, në varësi nga ndryshimi i normës referente, kryesisht Euribor-it.

Cilat do të jenë sfidat kryesore për bankat dhe më gjerësisht për sektorin bankar në Kosovë për pjesën e mbetur të vitit 2022 dhe në vazhdim?

Si në gjithë botën, ashtu edhe në Kosovë, vitet e fundit kanë qenë mjaft sfiduese dhe të karakterizuara me pasiguri të lartë, për sistemin financiar dhe për ekonominë e vendit.

Si rezultat i kornizës rregullative adekuate, si dhe standardeve të larta mbikëqyrëse, situata e pandemisë e gjeti sistemin bankar në Kosovë me nivele të larta të kapitalit dhe të likuiditetit, si dhe kualitet shumë të mirë të mjeteve.

Gjithashtu, masat e kujdesshme të ndërmarra nga BQK-ja në bashkëpunim me institucionet financiare që operojnë në Kosovë janë treguar shumë efektive në ruajtje të stabilitetit financiar dhe minimizimit të pasojave për ekonominë e vendit në përgjithësi.

Si rezultat i këtyre masave, sektori bankar arriti ta ruajë shkallën e lartë të qëndrueshmërisë ndaj ndikimit të krizës dhe të përballojë shumë mirë sfidat dhe implikimet e pandemisë dhe të luajë rol të rëndësishëm në rimëkëmbjen e ekonomisë nëpërmjet kreditimit të vazhdueshëm dhe ofrimit të masave lehtësuese për kredimarrësit.

Lufta në Ukrainë, e cila para së gjithash është një tragjedi njerëzore, në të gjithë botën ka sjellë pasoja ekonomike, ku tani jemi përballë një ngadalësimi të rritjes ekonomike dhe rritje të inflacionit, një situatë krejt ndryshe nga ajo e pandemisë.

Sektori bankar tani është në një pozicion shumë të fortë, duke pasur parasysh nivelet e larta të kapitalit, likuiditetit, kualitetit shumë të mirë të mjeteve, për t’u përballur me këtë goditje.

Rreziku kreditor mbetet rreziku kryesor në sektorin bankar, për këtë arsye, kualiteti i mjeteve në sektorin bankar duhet të menaxhohet me kujdes.

Prioriteti ynë mbetet që bankat të vazhdojnë ta ruajnë shkallën e lartë të qëndrueshmërisë, për këtë arsye rreziku kreditor vazhdon të jetë në fokus të BQK-së edhe në vitin 2022, sidomos duke u përqendruar në vlerësimin e praktikave të menaxhimit të rrezikut kreditor, adekuatshmërisë së provizioneve për humbjet nga kreditë dhe menaxhimit të kredive me vonesa.

A është i sigurt tregu i bankave në Kosovë dhe sa ofron Kosova siguri për bankat që operojnë aktualisht?

Sektori bankar në Kosovë vazhdon të jetë shumë stabël dhe i sigurt. Kjo reflektohet nëpërmjet treguesve të shëndetit financiar, si nivele të larta të kapitalit, likuiditetit, profitabilitet të qëndrueshëm, si dhe kualitetit shumë të mirë të mjeteve.

Sektori bankar gjithashtu gëzon besueshmëri të lartë të publikut, e cila reflektohet në rritjen e vazhdueshme të depozitave, me rritje vjetore prej 11.8%.

Gjithashtu, korniza rregullative e përshtatshme, e vendosur nga BQK, e ngjashme me atë të Bashkimit Europian, si dhe standardeve të Bazelit, mundësojnë qëndrueshmëri dhe konkurrencë të mirëfilltë në sektorin bankar.

Si e konsideroni ju konkurrencën mes bankave në Kosovë, a ka konkurrencë të pastër?

BQK vlerëson se ka konkurrencë të mirëfilltë të bankave në Kosovë. Kjo dëshmohet edhe nga prania e gjithsej 11 bankave.

Gjithashtu, së shpejti pritet që sektorit bankar në Kosovë t’i shtohet edhe një bankë me kapital vendor, e cila do të kontribuojë më tej në konkurrencën e sektorit bankar.

A pritet që tregut të Kosovës t’i bashkohet edhe ndonjë bankë e re gjatë këtij viti?

Sektori bankar vazhdon të jetë nxitës, prandaj me Vendimin NR. 26 – 10/2022 të Bordit Ekzekutiv të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, subjektit “Pribank” i është miratuar paraprakisht kërkesa për licencim si bankë.

Subjekti “Pribank” obligohet që t’i përmbushë kërkesat e përcaktuara me Nenin 8, paragrafët 5 dhe 6, të Ligjit Nr. 04/L-093 për Bankat, Institucionet Mikrofinanciare dhe Institucionet Financiare Jobankare dhe Rregullores për Licencimin e Bankave dhe Degëve të Bankave të Huaja, para se të aplikojë për licencë përfundimtare. /Monitor.al/