Indeksi i Bazelit për pastrimin e parave, Shqipëria me risk më të lartë se rajoni

Shqipëria është renditur në vendin e 74 mes 128 vendeve të botës sa i takon indeksit të Bazelit kundër pastrimit të parave.

Ky pozicionim ka ardhur me një përmirësim me vetëm dy në raport me një vit më parë por Shqipëria kryeson si vendi me risk më të lartë në rajon sa i takon pastrimit të parave. Totali i pikëve të mbledhura për 6 treguesit e marrë në vlerësim është 4.92.

Kosova sipas indeksit ka një pozicionim më të mirë me një total pikësh prej 4.14, Serbia me 4.87, Maqedonia e Veriut me 3.94 , Mali i Zi me 3.99. Indeksi llogarit me 0 riskun më të ulët dhe 10 riskun më të lartë. Të tjerë vende afër nesh si Greqia apo Italia renditen me një pikëzim më të mirë prej respektivisht 3.71 dhe 4.55.

Reklama e sponzorizuar

Vendet me riskun më të lartë të pastrimit të parave referuar indeksit janë Sudani i Jugut, Republika e Kongos, Afganistani, Haiti, Myanmar, Irani, Mozambiku apo Guinea, ndërkohë që vendet me rrezikun më të ulët sipas indeksit janë Estonia, Finlanda, Andora, Monako(për dy të fundit është bërë shënimi se mungojnë disa të dhëna të rëndësishme të pa raportuara), Suedia apo Islanda.

Por cilët janë elementët që merren në vlerësim për të nxjerrë pikëzimin final?

Së pari është kuadri ligjor për parandalimin e pastrimit të parave ku Shqipëria vlerësohet me 4.6, më pas vijnë korrupsioni dhe ryshfeti ku Shqipëria shënon 5.95 duke qenë një nga treguesit më negativë në vlerësimin por kryesimin në fakt e mban transparenca financiare me një vlerësim 6.14. Më mirë paraqitet transparenca publike me një vlerësim 3.4 ndërkohë që në nivele jo fort pozitive shfaqet edhe risku politik dhe ligjor me 5.54.

Pavarësisht këtyre treguesve Shqipëria cilësohet si një vend me rrezik mesatar të pastrimit të parave teksa ndaj saj ka “sanksione” të tilla si futja në listën e vendeve të treta me rrezik nga Britania e Madhe apo monitorim të rritur ( lista gri).

Në shkurt të vitit 2020 Shqipëria u rikthye në listën gri të vendeve që paraqesin rrezik për pastrimin e parave për shkak të deficencave strategjike të gjetura nga Task Forca për Veprim Financiar.

Sipas rekomandimeve të vitit 2020 Shqipëria duhet të punonte për të zbatuar planin e saj të veprimit, duke përfshirë:

(1) kryerjen e një analize shtesë të thelluar për të kuptuar sa duhet pastrimin e parave dhe rreziqet e tjera, dhe forcimin e koordinimit dhe bashkëpunimit institucional;

(2) përmirësimin e trajtimit në kohë të kërkesave për ndihmë juridike të ndërsjellë;

(3) krijimi i mekanizmave efektiv për zbulimin dhe parandalimin e infiltrimit kriminal të ekonomisë, përfshirë forcimin e kompetencave të autoriteteve kompetente për të ndërmarrë veprimet e nevojshme;

(4) duke siguruar që informacionet e sakta dhe të azhurnuara të pronësisë janë të disponueshme në baza në kohë;

(5) rritja e numrit dhe përmirësimi i sofistikimit të ndjekjeve penale dhe konfiskimeve për pastrimin e parave, veçanërisht në rastet që përfshijnë vepra kallëzuesish të huaj ose pastrim parash të palëve të treta;

(6) përmirësimi i zbatimit të sanksioneve financiare të synuara, veçanërisht përmes veprimit të zgjeruar mbikëqyrës dhe afrimit të synuar, proaktiv. /Monitor.al/